Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
Si e lashë Shqipërinë...
Nga Ismail Qemal Bej Vlora
Mbretërimi i shkurtër i Wilhelm Wiedit, qe më i pasur në episode groteske, se sa në veprime për organizimin e një shteti të ri. Kjo ishte prova e kujdesit të pakët që Fuqitë kishin përdorur në zgjedhjen e një sovrani për një vend, lumturia e të cilit varej nga një zgjedhje e kujdesshme. Kishim shpresuar se takti dhe urtësia e Princit, do të shërbenin si kundërpeshë për humbjet e territorit, për të cilat kishim vuajtur, dhe ngjitja e tij në Fron, do ti jepte një shtytje të konsiderueshme zhvillimit të vendit. Përkundrazi situata u bë më e ngatërruar dhe për pak kohë u bë kritike. Një mëngjes mora një telegram nga Vlora, që më shkaktoi një tronditje të thellë. Shtëpia e Esad Pashës ishte bombarduar dhe vetë ministri ishte arrestuar. Ky njoftim i shkurtër pa asnjë shpjegim tjetër, mu duk kaq i çuditshëm, sa për një çast nuk e besova për të vërtetë. Sidoqoftë, nxitova të shkoja tek konsujt italian e austriak në Nicë e në Vjenë për të vërtetuar informatën nëse ishte e vërtetë e për të përcaktuar domethënien. Përgjigjet që mora, nuk lanë asnjë dyshim, e pas pak kohe mora vesh hollësitë e ngjarjes.
Kisha parashikuar gjithnjë se Esad Pasha do të ndodhej në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë në Durrës. Ky qytet me më pak se pesë mijë banorë, kishte qenë qendër intrigash e kundërshtimesh për kandidaturën e Ëiedit si princ evropian, si dhe qendër e kryengritjes së Esadit kundra Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Esadi, që menjëherë pas një kthimi të dyshimtë, ishte vënë ministër pikërisht i atij Princi që ishte aq i padëshiruar për shokët e tij, nuk mund të kishte tjetër veç mungesë popullariteti e përbuzje. Mllefi kundra tij u bë shpejt më i thellë dhe demonstratat popullore në vend, morën një karakter kërcënues. Princi, përkundrazi, në vend që të qetësonte popullin kur lëvizja ishte në kulm, përdori topin. Nga ana tjetër, në vend që të pushonte ministrin e tij të padëshirueshëm, me një procedurë legjitime të rregullt, Princi vetë, duke vepruar nën një influencë, që nuk jam në gjendje ta përcaktoj, përdori përsëri mjete të dhunës. Ai adaptoi një linjë veprimi të pashembullt në analet e qeverisjes. Shtëpia e Esadit u rrethua e u bombardua deri sa gruaja e tij doli në një dritare duke tundur një çarçaf të bardhë si shenjë armëpushimi. Bombardimi u pezullua. Ndërhyri ministri italian Carlo Aliotti, në sajë të të cilit Esadi pati mundësi të dilte pa incidente të tjera. Të shoqëruar me marinarë e gjithë familja mundi të largohej me një anije vrojtimi austriake, nga ku u transferua në anijen bazë të Italisë, me të cilën Esadi shkoi në Evropën Perëndimore, pasi kishte dhënë fjalën e nderit, se nuk do të kthehej më në Shqipëri.
Duke patur parasysh këto ngjarje të çuditshme, e quajta detyrë që të kthehesha menjëherë në Vlorë. Pikërisht kur po i hipja trenit në Nicë, më takoi konsulli italian, me një telegram të Ministrit të Jashtëm, Markezit San Xhiuliano, që më kërkonte të njihte mendimin tim, për gjendjen në Shqipëri dhe për masat që duheshin marrë, duke pasur parasysh se gjendja po bëhej gjithnjë e më alarmuese. Meqë kërkonte, nëse ishte e mundur të diskutonim argumentin me të, ndalova në Romë, ku San Xhuliano e unë u morëm vesh për masat që do të ishin të përshtatshme të merreshin. Në Vlorë, sapo arrita, mora vesh hollësitë e ngjarjeve që isha njoftuar dhe se Durrësi ishte i rrethuar nga të gjitha anët e nuk kishte komunikim me pjesën tjetër të vendit. Autoriteti më i lartë dhe juridiksioni i Mbretit tonë ishte kufizuar në atë qytet të vogël. Pas disa ditësh, u nisa për në Durrës me pesëmbëdhjetë fisnikë të krahinës, me qëllim që ti parashtronim Princit opinionin tonë për situatën, që përputhej me atë të ministrit San Xhuliano. Gjatë një takimi tete-a-tete (kokë më kokë) që pata me të, i paraqita konkluzionet që kishim arritur dhe masat e nevojshme. Princi më çuditi për mungesën e një ideje për gjendjen dhe koshiencën e vështirësive të jashtëzakonshme të momentit. U tregua i paaftë të bënte një vërejtje, apo të bënte një pyetje të dalë nga arsyetimi i tij personal. Ndërsa i ilustroja masat e ndryshme që mund të zgjidhte, për të dalë nga gjendja e vështirë, nuk më pyeti asnjëherë se si mund të viheshin në praktikë këto masa.
Të nesërmen Princi priti të pesëmbëdhjetë fisnikët e Vlorës. Nuk na la megjithatë, pa dhënë më parë ndonjë shenjë kujdesi për vendin. Në Pallat u bë një mbledhje e të gjithë krerëve shqiptarë që ndodheshin në Durrës. Princi e hapi vetë mbledhjen me pak fjalë frëngjisht, duke shpjeguar që na kishte mbledhur që të shprehnim mendimet tona personale mbi gjendjen në vend. Nuk kishim pasur asnjë diskutim paraprak, siç është zakon kur është puna për të dhënë një mendim në rrethana të këtij lloji, por iu përshtatëm dëshirave të tij. Në vend që të mbyllja serinë e propozimeve, siç duhet të bëja lidhur me pozitën time, unë fola i pari. Në fund Princi na falenderoi e tha se pasi të përktheheshin vërejtjet tona e ti studionte, do të na njoftonte vendimin e tij. Pritëm disa ditë, dhe pastaj për shkak të mungesës së njoftimeve të tjera, shkuam në Vlorë.
Duke parë rëndimin e gjendjes së përgjithshme të vendit dhe të paaftësisë së dukshme të Qeverisë së Durrësit, me qëllim që të merreshin masat përkatëse për të shpëtuar Shqipërinë, u caktua në sheshin e madh të Vlorës një mbledhje e banorëve të qytetit e të krahinës, ashtu dhe të gjithë refugjatëve të krahinave të tjera të pushtuara nga armiku. Mbas një diskutimi të gjerë, u vendos të formohej Komiteti i Shpëtimit Publik, nën kryesinë time. Njoftuam Fuqitë e Mëdha dhe Princin me një proklamatë, në të cilën deklarohej se përfaqësuesit e popullit të Vlorës dhe të një duzine krahinash të tjera, ishin mbledhur dhe kishin votuar krijimin e Komitetit të Shpëtimit Publik me qëllim që tu kërkonin Fuqive garante të princit, që tia transferonin përkohësisht pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, e të merrnin të gjitha masat që kërkonin rrethanat. Mesazhi i nënshkruar nga tridhjetë delegatë, i bënte thirrje drejtësisë së Fuqive, e i lutej ti besonte Komisionit këtë detyrë pa vonesë, duke shtuar se ishte fjala për të vetmen masë, sipas mendimit tonë, që mund të mbajë sovranin legjitim në fron, të sigurojë bashkimin kombëtar dhe tërësinë tokësore e të shpëtojë nga shkatërrimi mbi njëqind mijë qenie njerëzore, që duke u larguar nga hekuri e zjarri, iu desh të braktisin pronat e tyre të djegura e vatrat e tyre të rrënuara e të mbroheshin në të vetme qoshe të Shqipërisë që ende ishte e lirë, në qytetin e Vlorës e në rrethinat e saj.
Arrita në momentet e fundit të këtij mbretërimi të dhimbshëm e të kotë. I mbyllur, siç kam thënë, në kryeqytetin e tij fatkeq Princi kishte humbur çdo autoritet dhe sovraniteti i tij nuk ekzistonte më. Nuk mbeti asgjë nga dhjetë milion frangat që i kishin dhënë paradhënie dhe që ai i kishte harxhuar marrëzisht në gjëra si krijimi i një gjykate Kasacioni, kur në vend nuk kishte asnjë gjykatë, emërimin e inspektorëve të arsimit publik, kur nuk kishte shkolla, mbajtjen e ministrave të plotfuqishëm të akredituar në vende të huaja, por që rrinin rehat në shtëpi. Megjithëse dërgonte Ministrin e Financave në Romë për kontribute të tjera, qoftë Roma, qoftë Vjena luajtën pjesën e shurdhit. Si një spekulator i falimentuar Ëilhelm Ëiedi e kuptoi se nuk mbetej tjetër veçse të largohej. Lufta e madhe kishte filluar e do të përmbyste shpejt Evropën. Anijet e Fuqive e braktisën Durrësin dhe e lanë në dorë të ngjarjeve, kurse Princi i ndoqi me një jaht të vogël italian, që i ishte lënë në dispozicion.
Me gjithë përvojën e këtyre tre muajve, bashkatdhetarët e mi e panë me trishtim të largohej, sikur ai të përfaqësonte një shpresë që merrte fund, një ëndërr që zhdukej. Ai skishte bërë asgjë për ti njohur e kuptuar, asnjë hap për tiu afruar zemrave të tyre, që i ishin hapur me aq besim.
Tashti nuk mbetej tjetër, veçse të pritej dita kur përfaqësuesit e njerëzimit të mblidheshin e të vendosnin të njihnin të drejtat tona që deri në këtë moment fatkeqësisht kishin mbetur të harruara, me preteksin për të evituar atë që ishte e paevitueshme. Jemi të bindur që një akt drejtësie i dhënë për ne, do të jetë i dobishëm jo vetëm për ne vetë, por dhe për të gjithë ata që kanë kërkuar zgjerimin e tyre me shkatërrimin tonë. Rindërtimi i bllokut ballkanik dhe garancia e pavarësisë së tij, do të jetë një nga faktorët më të fuqishëm për paqen e Evropës Lindore dhe të botës.
Kjo ndërtesë ballkanike mund të forcohet, vetëm me forcimin e Shqipërisë, që përbën kolonën e katërt që e mban.
*Paris, korrik 1917
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
Si u shkruan kujtimet e Ismail Qemalit?
Shkruan: Astrit Lulushi - SHBA
Pluhuri shpesh shoqërohet me harresën, por vetëm kur cështja mendohet thellë, del se është pluhuri në sipërfaqe që zbulon të padukshmen. Heminguei përdori një parim të ngjashëm, ashtu si Kadareja gërvishtte pluhurin e diktaturë për t’a zbuluar atë. Eshtë i njëjti parim që u përvetësua nga arti fotografik, ku trupi lakuriq mbulohej me nje tyl të hollë për t’a bërë më joshës a për të shmangur censurën ndaj pronografisë. Kjo të shtyn të mendosh se shprehja “pluhuri i harresës” apo i mbulesës krijohet nga ata që e dinë që në një periudhe të caktuar të së kaluarës, dicka e keqe e turpshme ka ndodhur, ose nuk ka ndodhur asgjë për t’u regjistruar, dhe përpiqen që mbi harresën të krijojnë një histori të rremë a të shtrembëruar.
Kur njeriu largohet, pas mbeten gjurmët e tij, të cilat si shenjat e gishtrinjëve, sa më të padukëshme në kohën e prekjes aq më të theksuara bëhen kur mbi to hidhet pluhur apo ndricohen nga një dritë e re.
Shpesh nevojitet vetëm një vështrim i tillë për të kuptuar se njeriu duhet vlerësuar jo më shumë për rezultatin sesa për punën e mundin drejt këtij rezultati. Kur Davincin e përgëzonin për pikturën MonaLisa, ata nuk e dinin se për këtë vepër artisti kishte punuar për 4 vjet. “Falë Zotit, që nuk e dijnë këtë” thoshte da Vinci me vehte nga frika se mos të tjerët talleshin. Po ashtu kritikët qeshnin me skulptorin Auguste Rodin kur ky u thoshte se kishte punuar 7 vjet për statujën e Balzakut dhe ende nuk e quante të përfunduar. Në historinë e artit, Rodin sot renditet si skulptori më i madh që nga koha e Mikelanxhelos.
Historianët thonë se Enriko Karuzo, një nga tenorët më të mëdhenj që ka njohur bota, kur dilte në skenë admirohej nga të gjithë, por kush e shikonte pas shfaqjes, në mbrapaskenë, të rraskapitur në kulm, të djersitur e mezi mbushej me frymë, mendonte ndryshe. Adhurimi ndaj një personi është deri-diku dëshira për t’u bërë njësoj si ai, por pa u lodhur. Kjo është edhe arsyeja që shumë njerëz ëndërrojnë të bëhen të pasur por pak janë të tillë. Shume e dëshirojnë suksesin, por jo të gjithë e duan lodhjen, megjithatë prapë nuk heqin dorë e përpiqen të gjejnë rrugën tjera, më të shkurtrën e mundur. Por kjo vijë midis njeriut dhe qëllimit, si ajo midis dy pikave, është e drejtë vetëm në gjeomoetri, pasi në jetë është e gjatë e me shumë kthesa, ngritje, rënie e ndalesa të shkaktuara nga mundimi e lodhja.
“Kam njohur shumë njerëz të mëdhenj, por të rrallë janë ata që mund të krahasohen me plakun e urtë shqiptar, Ismail bej Qemalin”, shkruante gazetari britanik Somerville Story në vitet 1920. Dhe ai përmend mjaft emra që sot janë harruar, flet kalimthi mbi figura bashkëkohore si Pucini e Karuzo që i kishte njohur personalisht, por përshkruan si një figurë nga më tërheqëset, Ismail Qemalin, mbi shpatullat e të cilit rëndonin shpifjet e kundërshtarëve vendas a të huaj, vitet e jetës, dhe halle të gjithfarëshme, kombëtare e vetiake, që nga ato për sigurimin e jetesës. Këto përbënin atë pluhurin që zbulonte vlera të cilat u vunë re nga shkrimtari britanik Sommerville Story.
Në vitin 1927, Sommerville Story, botoi librin “20 year in Paris with a pen”, ku flet rreth pervojës se tij si gazetar. Në kapitullin “A few famous people”, Story thotë se nuk mund ta linte pa përfshirë në këtë libër Ismail Qemalin, jo vetëm sepse ai ishte një nga figurat më interesante që kishte njohur personalisht por edhe sepse bashkëpunoi me të për 16 muaj për hartimin e librit “The Memoris of Ismail Kemal bey”.
Në vitin 1916, gazetari amerikan William Morton Fullerton në atë kohë korrespondent i gazetës London Times në Paris, hyri në zyrën e Storyt i shoqëruar nga një burrë i rreth të 70-ve; Ismail bej Qemalin, ish diplomat i perandorisë osmane, guvernator i Rumelisë, nxitësi i lëvizjes xhonturke, njeriu që bëri Shqipërinë, dy herë president i saj dhe tani thuajse i dëbuar jetonte e në mërgim. Për këta dy gazetarë të huaj, historia e tij i ngjante asaj të një profeti i mohuar në vendin e tij. Atë ditë ata u takuan, e biseduan gjatë dhe përshtypjet e para duket se ishin të mira, pasi shënuan “fillimin e një bashkëpunimi të suksesshëm, megjithëse të vështirë”, tregon Sommerville Story në librin; “20 vjet në Paris me penë” Më poshtë vijon tregimi i Storyt, shkëputur nga kapitulli “A few famous men”
“Bisedat me Qemal beun ishin leksione, pasi ky plak i urtë që kishte qenë për 50 vjet guvernator e guvernator i përgjithshëm në disa provinca të perandorisë osmane, dinte thuajse gjithçka që njeriu ia vlente të dinte rreth politikave, sjelljeve dhe mendësive në Lindjen e Afërme. Ishte interesante dhe stimuluese të dëgjoje diskutimet mbi politikat lindore e evropiane nga një njeri që kishte biseduar me sulltanin Abdyl Hamidin po aq familjarisht sa edhe me mua, që kishte njohur nga afër gjeneralin Charls Gordon i njohur si Gordoni i Khartumit - dhe nderonte kujtimin e tij - kishte qenë mik me kryeministra e kishte biseduar me monarkë evropianë e burra shteti gjatë jetës së tij të gjate politike…...
Në bisedë të lirë Ismail Qemali ishte i këndshëm e plot humor, ndërsa kur fillonim punën për të regjistruar kujtimet ai bëhej tepër serioz. Megjithë përvojën dhe intelektin e tij, ai tregonte kujdesin e një diplomati. I. Qemali nuk mbante me vete asnjë shënim a dokument dhe shpesh shprehte keqardhje që të gjitha letrat e tij i kishte lënë në Stamboll. Kur ndonjëherë donte t’i referohej një dokumenti diplomatik, ose të gjente datën e saktë të një ngjarjeje që ai kishte përjetuar, ne na duhej të shkonim në librarinë Quai d’Orsay ose në Bibliotheque Nationale…..
Për të punuar, përdornim një tryezë të madhe. Unë ulesha në karrige në njërin skaj e Ismail Qemali në skajin tjetër të tryezës dhe ai fillonte të tregonte incidente e ngjarje të ndryshme nga jeta e tij. Por atij nuk i pëlqente që unë të mbaja shënime edhe as nuk donte që ai të diktonte e unë të shkruaja. Kjo ma bënte punën shumë të vështirë. Ndonjëherë ai fliste për një orë a më shumë, dhe nëse më shikonte që mbaja shënime, nevrikosej, e ndërpriste tregimin dhe ma hiqte letrën nga dora. Ismail Qemali ishte shumë i përpiktë për ato që donte të përfshiheshin në librin e kujtimeve dhe për ato që duheshin lënë jashtë. Këto të fundit, zakonisht ishin pjesët më interesante dhe përbënin një burim të jashtëzakonshëm për një shkrimtar. Po kujdesi i tij që ato të mos përfshiheshin në libër, ishte edhe më i jashtëzakonshëm. Ismail Qemali ishte i mendimit se në kujtimet politike duhet të përfshihen vetëm ngjarje serioze.
Kur mbaronim bisedën dhe Qemal beu ikte, unë ulesha e shkruaja ato që mbaja mend dhe kur vinte herën tjetër ia lexoja çfarë kisha shkruar. Pasi i miratonte, unë i shtypja me makinë shkrimi dhe ai më kërkonte t’ia lexoja përsëri. Në disa raste më duhej të bëja edhe ndryshime, sepse I. Qemali shpesh ndryshonte mendje e donte që ndonjë pjesë të tregohej ndryshe ose të mos tregohej fare. Bisedat i zhvillonim në frëngjisht, por unë shënimet i mbaja në anglisht dhe pastaj ia lexoja të përkthyera në frëngjisht, sepse nuk e kuptonte mirë anglishten.
Ismail Qemali ishte shumë i kujdesshëm për ato që tregonte dhe një herë me të qeshur thashë, “Ju keni ardhur tek një gazetar e shkrimtar i cili pak-a-shumë i njeh shijet e publikut. Përse nuk më lejoni ta shkruaj librin ashtu siç di vetë? Ndoshta do të dilte më interesant?” Sigurisht përgjigja e tij ishte se gjithmonë e njëjtë - “Nuk dua të dëgjoj gjëra të tilla”.
Ismail Qemali ishte shumë i thjeshtë dhe gjithmonë ndjehej ngushtë kur e lëvdonin. Ndonjëherë mendoja se historia mund të kishte qenë ndryshe, nëse ky njeri do të kishte marrë vendime të prera e të rëndësishme në momentin e duhur dhe në se do të ishte treguar më shumë ambicioz.
Një herë një revistë e njohur franceze i kërkoi Ismail Qemalit të shkruante diçka “të lehtë” rreth përvojës të tij. Në këtë rast ai u shpreh lirshëm, duke e mbushur shkrimin me episode plot humor, pasi e dinte se publikut francez i pëlqenin gjëra të tilla. Por ai nuk pranoi që ky shkrim të përfshihej në “Kujtimet” në anglisht, duke thënë, si gjithmonë, se ato nuk ishin mjaft dinjitoze për të zënë vend në librin e një diplomati.
Nisur nga përvoja, Ismail Qemali parashikoi shumë zhvillime që më pas edhe ndodhën. Por vetëm për një prej zhvillimeve më të rëndësishme parashikimi i tij doli i gabuar. Ismail Qemali besonte se Lufta e parë Botërore do të përfundonte me fitoren e Gjermanisë. Kjo jo sepse Gjermania ishte ndër fuqitë më të mëdha ushtarake të kohës, por sepse Britania e Franca do të mundeshin. Ai bënte krahasim me të kaluarën kur politikat britanike e franceze ndaj Lindjes shumë herë kishin qenë të gabuara. Ismail Qemali thoshte se Gjermania e Austro-Hungaria kishin hyrë aq thellë në Ballkan vetëm falë pakujdesisë dhe indiferentizmit të Britanisë dhe se kishte qenë frika ndaj Gjermanisë që prej periudhës së Bismarkut, që ndikoi në krijimin e aleancës franko - ruse dhe po ashtu frika ndaj Gjermanisë që i shtyu sllavët e jugut të bashkoheshin në një federatë, duke menduar se vetëm kështu mund t’i bënin ballë kërcënimit gjerman e austro-hungarez.
Një herë e pyeta Ismail Qemalin se përse pranoi të largohej nga vendi dhe nuk e mbajti pushtetin me çdo kusht e me forcë, siç do të kishin bërë shumë të tjerë në pozitat e tij. Ai tundi kokën dhe me një zë të mendueshëm tha “Gjëra të tilla nuk mund t’i bënte një njeri që kishte luftuar për Liberalizim në një vend të prapambetur”.
Ismail Qemalit nuk i pëlqente të fliste për veten pasi i dukej se mburrej, prandaj edhe puna për të shkruar kujtimet e tij zgjati më shumë sesa unë kisha parashikuar, pasi ndonjëherë më duhej t’ia nxirrja fjalët thuajse një nga një. Me ditë a javë të tëra ai zhdukej dhe kur kthehej i lodhur, më tregonte për takimet që kishte zhvilluar me ministra, diplomatë, burra shteti e bashkatdhetarë për të ndihmuar çështjen shqiptare. Ndonjëherë preferonte të ulej pranë zjarrit e të bisedonte. Por libri i Kujtimeve kurrë nuk përfundoi si duhej; kapitulli rreth Shqipërisë, kurrë nuk u skicua as në vija të trasha. Më 1919, Ismail Qemali u nis për në Spanjë, pasi duke qenë vend neutral, mendonte se ai mund të ishte më i pavarur në punën e tij për Shqipërinë. Disa ditë para se të nisej, më pyeti nëse do ta ndihmoja mbi një libër tjetër më të gjerë mbi gjeografinë, historinë dhe etnografinë e Shqipërisë. Unë i thashë, po, por më gjatë nuk e diskutuam. Shqetësimi im i vetëm ishte se nëse puna do të kryhej me ritmin e shkrimit të “Kujtimeve”, që kishte ecur shumë ngadalë, për një libër të dytë do të na duheshin disa vite.
Nga Spanja, miku im i vjetër, me ftesë të qeverisë italiane shkoi në Itali, dhe kur arriti atje, autoritetet e mbajtën nën mbikqyrje; dhe ashtu zemërthyer e afro 80 vjeçar, Ismail Qemali vdiq në Peruxhia.
Gjithashtu për ata që besojnë në bestytni nuk mund të lë pa treguar një ngjarje që ndodhi në Parisi. Miku im Reginald Darcy, pianist i njohur që jetonte në Algjer, kishte ardhur për vizitë në Paris. Një mbrëmje, ai, Ismail Qemali dhe një miku i tyre po hanin darkë dhe Qemal beu i pyeti nëse u besonin bestytnive. Ata u përgjigjën se jo, dhe pastaj u befasuan kur Ismail Qemali tha se dëshironte të dëgjonte Marshin Funebër të Shopenit. Darcy e luajti në piano, të gjithë pjesën deri në fund. Në më pak se një vit pas kësaj ngjarjeje, Ismail Qemali dhe Reginald Darcy vdiqën, ndërsa personi i tretë ndërroi jetë disa muaj më vonë”.
Libri “Memoirs of Ismail Kemal bey” u botua më 1920 në Londër e Nju Jork, me një pamje e përmbajtje me të vërtetë serioze, siç e kishte dashur Ismail Qemali kur ishte gjallë. Sot ky libër është një nga veprat më të cituara nga studiues e historianë mbi çështje të Lindjes së Afërme e të vendeve të ish perandorisë osmane. Libri përmban edhe një parathënie shkruar nga W.M.F, akronim i përdorur nga Willam Morton Fullerton,(1865-1952) mik i Sommerville Storyt dhe nxitësi kryesor që Ismail Qemali të hidhte në letër kujtimet e tij. Fullerton ka qenë një prej gazetarëve dhe analistëve të njohur të gjysmës së parë të shekullit të XX. Lindur në Boston e i diplomuar në Harvard, në vitet 1890, Fullerton u vendos në Paris, ku punoi si korrespondent për London Times. Ai është autor i disa librave si “Problems of Power’ edhe “Patriotism and Science” ku analizohen politikat e fuqive të mëdha në fillim të shekulli të kaluar. Shumë kritikë thonë se filmi i kohëve të fundit “Wings of the Dove” bazohet në jetën e Fullertonit, të paktën gjatë rinisë së tij.
Ndërsa të dhënat biografike rreth Sommerville Storyt janë tepër të pakta. Mendohet se ai lindi në Britani aty nga mesi i viteve 1800, punoi si gazetar në disa kryeqytete të fuqive të evropiane deri aty nga viti 1903, kur u vendos përfundimisht në Paris, ku edhe vdiq para fillimit të Luftës së dytë Botërore. Somerville Story la pas shumë shkrime, monografi e përshkrime, por më shpesh emri i tij përmendet për librin “The Memoirs of Ismail Kemal bey”.
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
Mjafton te lexosh kete fjalim te Ismail Bej Vlores qe te kuptosh urtesine, shpirtmadhesine, vizionin dhe besimin e ketij njeriu qe edhe pse u lind e u thinj ne nje nga epokat me te erreta te historise, arriti qe ti falte drite dhe shprese nje populli te tere, ne ditet me te veshtira te tij. Fjalet e tij me lart nuk jane fjale qe na bejne te ndihemi mire sot kur i lexojme 100 vjet me pas, fjalet e tij jane fjale profetike qe koha i beri realitet. Dhe qe te kuptoni vizionin e tij, duhet te kuptoni rrethanat e kohes ne te cilen u shpall pavaresia:
- Vizioni: 90% e gjithe popullsise shqiptare, qe nga ai fshatari i pashkolle e analfabet, e deri tek intelektualet me te mire te vendit, askush nuk e imagjinonte dot Shqiperine te pavarur. Gjithe inteligjenca e kohes, e shihte te ardhmen e Shqiperise gjithmone te varur nga nje fuqi tjeter: nje grup i madh besonte ne autonomine e Shqiperise brenda Turqise Evropiane; grupi tjeter besonte se Shqiperia duhet ti bashkohej ne nje konfederate/mbreteri me popujt fqinje qe e kishin fituar pavaresine e tyre. Ismail Bej Vlora ishte i vetmi qe besonte ne nje Shqiperi te pavarur ne radhet e inteligjences shqiptare, dhe perkrahjen e vetme qe ai gjeti, ishte tek kolonite shqiptare ne Rumani. Dhe jo vetem qe shume patriote shqiptare nuk e mbrojten nismen e Ismail Bej Vlores para shpalljes se pavaresise, por shume prej tyre e sulmuan e minuan ate edhe pas shpalljes se pavaresise. Kjo nuk e ndali plakun e urte qe te bente histori.
- Besimi ne Zot: Eshte nje gje t'i apelosh emocioneve te turmes si nje politikan e orator i mire, por eshte dicka tjeter te kthesh fjalimin historik te shpalljes se pavaresise se popullit tend, ne nje lutje drejtuar Zotit per popullin tend. Asnje njeri i mbledhur ne ate shesh, asnjeri prej delegateve, nuk e kishin idene me te vogel se cfare po realizonin ate dite. Te gjithe ishin te preokupuar vetem me situaten e momentit: renia e perandorise otomane dhe kercenimi i ushtrive te fqinjeve qe po marshonin ne trojet e shqiptareve. Ismail Bej Vlora kete akt nuk e shihte vetem si nje akt politik, por si nje akt shpirteror: ai ze ne goje te paret tane, ai nxjerr nga xhepi nje flamur qe asnje prej atyre te mbledhurve ne shesh nuk e kish pare me pare, ai u tregon atyre se ky eshte flamuri i te pareve tane. Nuk mjaftonte per Ismail Bej Vloren vetem akti i shkeputjes nga pushtuesi osman dhe mevehtesia, por ishte po aq i rendesishem rizgjimi i kujteses historise dhe tradites se te pareve tane, te cilen pushtuesi u mundua te fshinte plotesisht nga kujtesa shqiptare.
- Guximi: Arsyeja perse shumica e patrioteve shqiptare nuk mbeshtesnin pavaresine e Shqiperise ishte se a) i trembeshin ndeshkimit te Portes se Larte dhe administrates se saj ne vend b) i trembeshin bejlereve shqiptare pasuria e pushteti i te cileve ishte i lidhur me ekzistencen e Perandorise Otomane. Ismail Bej Vlora thote me lart se le te jete ai deshmori i pari i pavaresise se vendit te tij. Ai ve jeten e tij ne rrezik per hir te Shqiperise. Gje qe shume nga bashkekohesit e tij nuk ishin gati ta benin. Por duke qene se ai ishte vete nga nje nga familjet me te pasura te bejlereve ne Shqiperi, familjen e Vlorajve, akti i tij ishte nje shembull i jashtezakonshem per kete klase. Gjithashtu, duke qene se ai kish punuar gjithe jeten e tij si nenpunes ne administraten osmane ne shume nivele, ai jepte shembullin e mire per te gjithe ata nenpunes se administrates osmane te shperndare ne cdo cep te Perandorise, qe te vinin e punonin per vendin e tyre.
- Profecia: Le te jem une deshmori i pare i atdheut tim, shprehet Ismail Bej Vlora me lart. Zoti ia plotesoi edhe kete deshire, plaku i urte u helmua ne nje hotel ne Itali, ku interesat italiane hoqen qafe njeriun e vetem qe gezonte nje mbeshtetje te jashtezakonshme politike ne mbare vendin. Per aq kohe sa Ismail Bej Vlora do te ishte gjalle, ai do te ngrinte zerin e tij ne mbrojtje te interesave te popullit te tij. Dhe ky nuk ishte nje njeri ordiner qe mund te genjehej kollaj apo blihej me flori, sic qellonte me shume prej bashkekohesve shqiptare te kohes se tij. Thone qe Perendia i shperblen sherbetoret e vete te zgjedhur, duke u dhene atyre jete te ameshuar, por edhe duke perjetesuar kujtimin dhe nderimin e tyre nder te gjallet. Ceremonia e vdekjes se Ismail Bej Vlores e mbajtur ne Shqiperi kur sollen trupin e pajete nga Italia, ishte po aq historike, bile ne shume aspekte shume me historike, se vete akti i shpalljes se pavaresise. Nje popull i tere doli ne rruge qe ta nderonte.
Bekimi i vertete i Perendise per shqiptaret ishte jeta dhe vepra e ketij njeriu qe sakrifikoi gjithcka per popullin e tij. Shume jane munduar te njollosin apo erresojne figuren e Ismail Bej Vlores, por ja tek jemi, 100 vjet me pas, dhe fjalet e tij kumbojne relevante sot si ne momentin qe qe u shpall pavaresia.
Ismail Bej Vlora beri realitet amanetin e gjithe rilindasve tane qe per ate dite vetem enderronin e thurrnin vargje.
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
50 fakte të rralla nga jeta e Ismail Qemalit
Kush është Ismail Qemali. Edhe një vogëlush 6-vjeçar e ka në majë të gjuhës përgjigjen: Plaku që ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë. Problemi është se po aq sa ky vogëlush, është një pjesë e madhe e popullsisë së Shqipërisë që dinë vetëm kaq për plakun flokëbardhë që kreu aktin më të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Ka një takëm njerëzisht që dinë më shumë. Ca të tjerë që dinë edhe pak më shumë. Edhe Ismail Qemali ka lindur më 16 tetor, në tekstet e historisë ditëlindja e tij njihet 24 janari, pikërisht për këtë arsye edhe dje u festua 168 vjetori i lindjes së tij. Përse i zhdukën ditëlindjen më 16 tetor, pse përkonte me atë të Enver Hoxhës. Cili është arsimi i tij. Cilat ishin detyrat e tij më të larta në hierarkinë e Perandorisë Osmane. e Si ngriti në Stamboll klubin për pavarësinë shqiptare dhe si u internua nga pushteti turk. Përse sulltani e emëroi këshilltar të tij. Si u emërua Vali në Libi, por ai nuk shkoi Tripoli, por në Paris, nga ku nisi punën për pavarësinë e Shqipërisë. Historia e 28 Nëntorit, me kë shkoi në Vlorë dhe përse shkoi në Vlorë. Cilin flamur ngriti dhe historia e dokumentit themeltar që u falsifikua. Një histori plot lavdi dhe kontradikta të një jete, që, siç vetë Ismail Qemali e ka thënë në fjalimin e 28 Nëntorit, Zoti i donte që të ishte i pari shqiptar që ngriti flamurin.
1. Ismail Qemali, në fakt quhej Ismail bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”, por asnjëherë asnjë historian dhe personalitet nuk e ka shpjeguar këtë ndryshim.
2. Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishme të familjes së njohur Vlora, një familje e pasur dhe me shumë tradita, dhe që ka nxjerrë shumë personazhe të rëndësishëm në jetën politike shqiptare.
3. Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare, Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë, duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1844.
4. Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum të kohës, kravatë e kohës, flokë të thinjur të krehur me kujdes dhe me një mjekër të bardhë të krehur edhe atë. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele.
5. Ismail Qemali gjatë gjithë jetës së vet jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali, Bullgari, Siri dhe për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.
6. Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe pas një karrierë të konsiderueshme në administratën turke. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.
7. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.
8. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.
9. Në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë, ai nuk e përdori këtë moment sublim për të përfituar dhe marrë vlerësime. Madje, në fjalimin e tij ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ai është shprehur, se, siç e donte Zoti që të ishte i pari të ngrinte flamurin e pavarësisë, ashtu të bëhej edhe hero i parë i shtetit shqiptar.
10. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.
11. Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin e kuq me dy krena shqiponjash, një flamur që deri më sot na vjen në tre variante. I pari, se këtë e qëndisi një Marigo, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit, atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleadro Kasstriota burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.
12. Në vlerësimet e punës që i kanë bërë drejtuesit e administratës turke për Ismail Qemalin janë shënuar këto fjalë: Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetari i parë i shtetit shqiptar.
13. Ismail Qemali e nisi karrierën e vet politike si përkthyes në Ministrinë e Jashtme të Turqisë Osmane në vitin 1860. Detyra e dytë në administratë e Ismail Qemalit ishte në vitin 1868, drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane.
14. Ismail Qemali më pas mori detyrën e nënprefektit të rajonit të Rusçuk, një detyrë që e mbajti për pesë vjet. Në vitin 1873, ai jep dorëheqjen dhe largohet nga ajo detyrë.
15. Ismail Qemali u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Turqisë në vitin 1876, një detyrë që e ndihmoi shumë të njihte diplomacinë turke nga brenda, por edhe atë të huaj. Në këtë detyrë qëndroi për një vit.
16. Në vitin 1877, ai pëson një dënim në karrierën e tij, pikërisht për aktivitetin e tij patriotik ndaj Shqipërisë. Me arsyetimin se kërkoi autonominë e Shqipërisë, ai internohet për shtatë vjet në Kytahja të Anadollit. Por presioni i një pjesë të administratës turke, por edhe të patriotëve shqiptarë, bëri që sulltan Avdylhamiti t’i hiqte internimin dhe ta emëronte madje Vali në Bollu të Turqisë.
17. Ismail Qemali emërohet Vali në Siri, një detyrë shumë e lartë në atë kohë dhe për më tepër që bëhej fjalë për një krahinë që më vonë mori edhe ajo pavarësinë si shtet i pavarur. Këtë detyrë e mbajti deri në 28 qershor të vitit 1892.
18. Për punë të mirë Ismail Qemali arriti të bëhej deri këshilltar personal i sulltan Avdylhamitit, në momentin kur Perandoria Osmane ishte në fund të saj. Një detyrë që e mbajti nga viti 1892 deri në vitin 1900. Kjo e ndihmoi atë ta njihte nga brenda perandorinë.
19. Nga e gjithë detyra e tij si këshilltar i Sulltanit, mbahet mend se Ismail Qemali ishte ai që i propozoi atij ndërtimin e një hekurudhe që niste në Durrës dhe mbaronte në Stamboll. Një vepër që nuk u ndërtua as në atë kohë dhe vazhdon të mos jetë e ndërtuar edhe sot.
20. Më 1 maj të vitit 1900, sulltan Avdylhamiti për punë dhe cilësi të mira e emëron Vali i Përgjithshëm i Libisë, një detyrë mjaft e lartë e asaj kohe. Por Ismail Qemali u nis për në Tripoli, por rrugës kthehet dhe shkon në Paris, Londër e gjetkë, për të punuar për çështjen shqiptare.
21. Më 1908, me ndihmën e shqiptarëve të veriut të Maqedonisë, Ismail Qemali zgjidhet deputet i rrethit të Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë. Gjatë kohës që Ismail Qemali ishte deputet në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme. Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket dhe më me mendim, duke nxitur kundërshtarët ta sulmojnë pa të drejtë.
22. Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane, se paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll për të krijuar alfabetin shqip.
23. Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë, duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin.
24. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj atij.
25. Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka në fakt një variant eksplicit të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime.
26. Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare.
27. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.
28. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932.
29. Varrimi i dytë është bërë me urdhër posaçërisht të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë. Zogu dhe partia e asaj kohe i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit, duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë.
30. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt babai i kombit.
31. Ismail Qemali është nga ata personalitete politike dhe shtetërore që ka shkruar kujtimet e veta. Por kujtimet e tij nuk janë botuar asnjëherë të plota dhe kjo është çudia që e ka shoqëruar çdo gjë në jetën e tij.
32. Akuza më e madhe që është hedhur ndaj Ismail Qemalit, është ajo se ai ideoi pas pavarësisë ndarjen e Shqipërisë në kantone një model si Zvicra. Por sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.
33. Për herë të parë gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar diskutohet që të hiqet emri i Ismail Qemalit nga një institucion. Ky skandal ndodhi pikërisht kur rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, propozoi që emri i Ismail Qemalit t’i hiqej Universitetit të Vlorës. Propozim ky që ngjalli një reagim mjaft të ashpër si nga politika, media, intelektualët dhe publiku.
34. Pasardhësit më aktivë të Ismail Qemalit në ditët e sotme janë Darling Vlora, Nedim Vlora dhe Ariana Vlora. Ndërsa shumica e pasardhësve të tjerë kanë vdekur, kurse pjesa tjetër është në emigracion prej shumë vitesh.
35. Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Qemalit që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë, më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armëmbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u bë me turbekuloz dhe vdiq në moshën 55-vjeçare.
36. Ismail Vlora dhe Xhevdet Vlora ishin dy nipërit e Ismail Qemalit. Ata ishin poliglotë që punuan për bukën e gojës. Dy nipërit e Ismail Qemalit nuk pranuan të bashkëpunonin me regjimin komunist dhe në këtë mënyrë u detyruan të punonin nëpër fshatra të ndryshëm me punë krahu.
37. Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek nga krahina e Edërnesë.
38. Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë për arsye se ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse. Siç shkruan në kujtimet e veta Ismail Qemali, me këshillën e vjehrrit e rrëmbeu nusen e ardhshme, ndërsa martesa u njoh zyrtarisht në 1886-n, ai ishte 23 vjeç.
39. Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati 9 fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej.
40. Fjalimi i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, zgjati rreth pesë minuta. Fjalimi përmbante 450 fjalë dhe u ndërpre disa herë nga thirrjet e njerëzve që ishin mbledhur në sheshin e qytetit. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!”.
41. Fjalimi i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë u lexua i gjithi në gjuhën shqipe. Në të përmendet Shpallja e Pavarësisë, lufta e Skënderbeut, vuajtjet e shqiptarëve dhe së fundi, një lutje drejtuar Zotit që të mbrojë shqiptarët dhe Shqipërinë e Lirë.
42. Fjalia më e veçantë e fjalimit të Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”.
43. Vendimi i parë i Ismail Qemalit pas firmosjes së deklaratës së Pavarësisë dhe marrjes së detyrës si kryeministër, është dërgimi i lajmit në të gjitha qarqet e vendit dhe dërgimi i telegrameve në shtetet e mëdha për njohjen e pavarësisë.
44. Ismail Qemali është djali i Mahmut bej Vlorës që disa herë u ndëshkua nga Porta e Lartë dhe i Hadije Hanëmit nga familja e njohur Alizoti e Gjirokastrës. Ismail Qemali kishte një motër dhe një vëlla më të vogël, Sulejmanin. Sulejmani vdiq gjatë internimit që iu bë familjes nga turqit në Selanik, rreth vitit 1871.
45. Kopja e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, e publikuar në vitin 2007, mendohet se i përket Lef Nosit, i cili në qeverinë e parë shqiptare ishte ministër i Postë-Telegrafës. Teksti shqip i Deklaratës së Pavarësisë përbëhet vetëm prej katër rreshtash dhe janë ato ku thuhet: “Shqipëria të jetë më vete, e lirë dhe e mosvarme”. Më pas vijojnë dy rreshta në turqishten e vjetër.
46. Nga teksti dhe proklamata e Pavarësisë, nga regjimi komunist janë hequr mjaft emra nga firmëtarët e pavarësisë. Por në proklamatë janë hequr edhe disa pasazhe.
47. Kabineti i qeverisë së Vlorës përbëhej nga 10 anëtarë. Kryeministër – Ismail Qemali, Zëvendëskryeministër – Nikoll Kaçorri, Ministër i Jashtëm – Myfit Libohova, i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla, i Drejtësisë – Petro Poga, i Arsimit – Luigj Gurakuqi, i Financave – Abdi Toptani, i Bujqësisë – Pandeli Cale, i Post Telegrafit – Lef Nosi.
48. Deri më sot nuk ekziston asnjë fotografi nga momenti i Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ende nuk dihen shkaqet sepse ajo foto mungon. Ndërkohë që fotografia që paraqet ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali nuk i përket datës 28 Nëntor 1912, por datës 1 dhjetor 1912.
49. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nuk u njoh që më 28 Nëntor të vitit 1912 nga Evropa. Pavarësia e Shqipërisë nga shtetet evropiane u njoh vetëm në vitin 1913, gjithashtu në këtë vit u njoh edhe Ismail Qemali si kryeministër i Shqipërisë.
50. Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hyn Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi.
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
"Ju rrëfej stërgjyshin tim Ismail Qemali sipas kujtimeve të familjes"
Darling Vlora është një prej stërnipave të Ismail Qemalit. Jeton në Itali dhe ka organizuar dy ekspozita fotografike për Ismail Qemalin, të parën në vitin 2009 në ambientet e shtëpisë së tij me rastin e 165 vjetorit të lindjes së Qemalit dhe të dytën në Parma në nëntor të 2010-ës në bashkëpunim me Shoqatën ‘Scanderbeg’.
“Ismail Qemal bej Vlora, është paraardhësi im. Gjyshi im, Qamil bej Vlora (babai i babait tim) ishte njëri nga djemtë e Ismail Qemalit. Pra, në vijë mashkullore, jam stërnip i tij...” – e prezanton Darlingu veten.
Ismail Qemali ka qenë në shërbim të Perandorisë Osmane për 50 vjet. Është ndër liberalët e parë osmanë dhe në 1909 edhe themelues e Kryetar i Partisë Liberale. Angazhimi i tij në forcat reformatore të Perandorisë është më i hershëm sesa ai në Rilindjen Kombëtare. Ç’e shtynte Ismail Qemalin të ishte liberal: autonomia më e madhe për vilajetet shqiptare apo ndërgjegjja e tij si shtetar osman?
Kohët e fundit e kam ndeshur si një farë kritike faktin që Ismail Qemali i shërbeu Perandorisë Osmane. Ky këndvështrim, jo vetëm për mendimin tim, është krejtësisht i gabuar. Shërbimi i tij në Perandorinë Osmane përkon pikërisht në një kohë kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë ndaj ai nuk i shërbeu asaj por vendit të tij. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore Ismail Qemali u shqua si njeri me ide liberale dhe reformatore.
Ai hyri në administratë në moshën 16-vjeçare, kur kjo drejtohej nga burra të shquar e përparimtar si Mit'hat Pasha, Fuad Pasha e Ali Pasha. Megjithatë veprimtaria e tij duhet parë gjithmonë paralel dhe e lidhur ngushtë me përpjekjet e tij në dobi të Shqipërisë. Që në vitin 1864 atë e gjejmë në mbledhjet e organizuara në Stamboll për të formuar një shoqëri kulturore kombëtare për hapjen e shkollave shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ka qenë njeri largpamës. E ka deklaruar gjithmonë bindjen se me forcimin e Perandorisë i shërbente edhe vendit të tij. Ai bashkëpunoi me Mit'hat Pashën në hartimin e Kushtetutës së parë osmane, shpallur më 1876 dhe neni 108 i saj pranonte që «administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit». Një nga idetë e Mit'hat Pashës e sugjeruar nga Ismail Qemali, ishte krijimi i një Vilajeti shqiptar. Dhe këtu jemi dy vjet përpara Lidhjes së Prizrenit dhe gati 40 vjet përpara Pavarësisë.
Fatkeqësisht Mit'hat Pasha u arrestua; Kushtetuta mbeti e pazbatuar deri më 1908 dhe vetë Ismail Qemali u internua. Pasi u lejua të kthehej në Stamboll, duke parë qëndrimin e pandryshuar të Sulltanit, Ismail Qemali vendosi të largohej përfundimisht nga Turqia, veprim që e kreu më 1900, duke iu kushtuar më pas tërësisht çështjes kombëtare shqiptare. Në letrën që i drejtonte Sulltanit, nga bordi i anijes angleze që do ta nxirrte në Europë shkruante: «Krimi im ndaj atdheut është dashuria ndaj tij».
Sami Frashëri ose Shemshedin Sami, konsiderohet nga historiografitë shqiptare e turke si nja nga themeluesit e nacionalizmave të këtyre dy kombeve. Si shihet Ismail Qemali nga historiografia turke?
Siç del edhe vetë në pyetjen tuaj, pjesa më e madhe (për mos thënë gati të gjithë) e rilindësve tanë, kush më shumë e kush më pak, shërbyen në administratën shtetërore turke por pa e harruar vendlindjen e tyre. Ashtu si edhe Sami Frashëri, i cili me punën e tij i shërbeu dijes dhe kulturës së mbarë kombësive që jetonin në Perandorinë Osmane, edhe Ismail Qemali, kudo që shërbeu, u dallua si mbështetës i dijes dhe përparimit.
Akoma edhe sot, nëpër vendet ku ai mbuloi postin e guvernatorit, kujtohet me respekt për veprat e tij, në hapjen e shkollave, kundër diskriminimit racor e fetar, etj. Po ashtu ai kujtohet me respekt si një figurë liberale, ndër të parët liberal të Perandorisë. Së fundi «Kujtimet» e tij janë botuar edhe në gjuhën turke, përveç një punimi me disa fjalime të tij në Parlament që është botuar shumë vite më parë.
Në dallim nga figura të tjera, Ismail Qemali duket shumë aktiv në Rilindjen Kombëtare vetëm në vitet që paraprijnë Revolucionin e Xhonturqve. Si mund të shpjegohet kjo “vonesë”?
E drejtë. Duket sikur është aktiv në lëvizjen kombëtare më tepër në prag të Revolucionit, por nuk është ashtu. Gjithë veprimtaria e Ismail Qemalit është e lidhur ngushtë me origjinën e tij, me atdhedashurinë, me historinë e vendit dhe familjes së tij. Ishin këto faktorë që, bashkë me inteligjencën dhe përgatitjen e tij të rrallë, krijuan burrin e shtetit liberal i cili, ashtu siç e ka deklaruar gjithmonë, kërkonte që nëpërmjet forcimit të Perandorisë t'i shërbente gjithë kombësive që bënin pjesë në të, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, pra ai dilte përtej përmasave kombëtare. Por, nëse kemi një "ritardo" të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare të para 1900-ës nuk duhet të harrojmë edhe faktin se ai ishte i internuar për 7 vjet rresht (1877-1884) dhe më pas, ashtu siç ka qenë edhe mendimi i historianëve si Luarasi, Xoxi, Naska, etj, ai u mbajt nga Sulltani qëllimisht larg Stambollit, pikërisht për të qenë larg veprimtarive kombëtare.
Në ekspozitën e fundit që ke organizuar në Parma mbi Ismail Qemalin, në bashkëpunim me Shoqatën Scanderbeg, më bëri përshtypjen një foto e 1908-ës, kur Qemali kthehet në Shqipëri e zgjidhet deputet në Parlamentin Osman. Karroca e tij mbahet në krahë nga vlonjatët nga moli në qendër të qytetit. E donin kaq shumë në Vlorë?
Ismail Qemali kishte lindur në Vlorë. Familja e tij drejtonte Sanxhakun e Vlorës që nga viti 1480. Pavarësisht se ai ishte larguar i ri nga Vlora asnjëherë nuk i kishte ndërprerë lidhjet me vendlindjen. Të gjithë shqiptarët që shkonin në Stamboll gjenin gjithmonë mbështetjen e tij.
Ai konsiderohej si përfaqësuesi më i shquar i familjes Vlora. Menjëherë pas shpalljes së Kushtetutës populli i Vlorës, me anë të një telegrami, iu lut të kthehej në vendlindje. Ardhja e tij u kthye në një manifestim popullor. Një delegacion prej 39 vetave kishin shkuar ta prisnin në Korfuz. Në skelë kishte dalë ta priste gjithë populli i Vlorës. U mbajtën fjalime të ndryshme patriotike në nderim të tij; u zbrazën të shtëna topi, si në skelë ashtu edhe në qytet. Për të shprehur dashurinë dhe respektin e madh, karrocës së Ismail Qemalit ia hoqën kuajt dhe e morën në krahë përgjatë gjithë rrugës prej afro 2 km, deri në qendër të qytetit.
Shqiptarët e fituan pavarësinë? Apo kjo ishte rezultat i politikës së ‘800-ës e cila bazohej në ekuilibrin midis fuqive të mëdha dhe kompensimin e fituesve?
Për mendimin tim, njëkohësisht bazuar edhe në «Kujtimet» e Ismail Qemalit dhe vlorajve të tjerë, shqiptarët e fituan dhe merituan krejtësisht Pavarësinë. 28 nëntori 1912 ishte kurorëzimi i luftërave shekullore të popullit tonë. Ata që hera herës e paraqesin Pavarësinë si një «dhuratë» të politikës evropiane apo një zgjidhje të saj, nuk bëjnë gjë tjetër veçse denigrojnë veprën dhe sakrificat e patriotëve tanë dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve për pavarësi.
Sigurisht gjatë Luftës I-rë Ballkanike, kur shqiptarët Shpallën Pavarësinë, ekzistonin kontradikta midis Fuqive të Mëdha të kohës të cilat, për të ruajtur ekuilibrin e tyre menduan jo të krijojnë por të mbështesin Pavarësinë e Shqipërisë. Pra këtu është një diferencë e madhe.
Ismail Qemali, gjatë lëvizjeve të tij në kryeqytetet europiane (tetor-nëntor 1912) në mbrojtje të çështjes kombëtare, arriti t'i bindë Fuqitë e Mëdha të mbështesnin aksionin e shqiptarëve dhe përfitimi që ai nxori nga kontradiktat dhe interesat e Fuqive duhet konsideruar padyshim si një arritje gjeniale. Pra a s'është edhe kjo një fitore më vete?
Ismail Qemali udhëtonte shpesh në Itali. Që në fillim të 1900-ës, disa të përditshme italiane i dedikonin faqen e parë. Pse vallë? Cilat ishin lidhjet e tij me Italinë?
Pavarësisht se lidhjet dhe miqësitë më të forta ai i kishte me burrat e shtetit anglez, për sa i përket të ardhmes së Shqipërisë ai kërkoi që të gjente mbështetjen kryesore tek Italia. Deri në fund të jetës Ismail Qemali shpresoj tek ndihma e sinqertë italiane dhe bëri të pamundurën që të tërhiqte vëmendjen si të qeverisë ashtu edhe të industrialistëve italianë për të bashkëpunuar me Shqipërinë.
Udhëtonte shpesh në Itali, shpeshherë duke qëndruar gjatë nëpër qytetet italiane si Roma, Milano, Napoli, San Remo, etj. dhe kishte krijuar lidhje personale me mjaft personalitete italiane të kohës, midis të cilëve Markezin San Giuliano i cili më pas, pikërisht në prag dhe gjatë viteve të para të pavarësisë, ishte Ministër i Jashtëm i Italisë. Idetë e Ismail Qemalit, si në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë si në lidhje me raportet italo-shqiptare, dalin qartë në intervista të ndryshme që ai ka lëshuar në shtypin italian, shumë herë publikuar nga periodikë prestigjiozë dhe në faqet e para të tyre, siç ju e kini vënë re.
Italia është edhe vendi ku Ismail Qemali vdiq në 24 janar 1919, siç thuhet “në rrethana jo të qarta”. Pse gjendej në atë periudhë aty?
Ishte aty sepse në përfundim të Luftës I-rë Botërore çështja e kufijve të Shqipërisë sigurisht do të shqyrtohej përsëri. Interesat e Italisë kishin qenë dhe ishin akoma të mëdha në lidhje me çështjen shqiptare ndaj, për të bashkërenduar veprimet qeveria italiane e ftoi Ismail Qemalin në Romë. Në atë kohë ai ndodhej në Spanjë. Udhëtonte sepse ishte zgjedhur nga shqiptarët e Amerikës si përfaqësues i tyre në Europë, në mbrojtje të çështjes kombëtare. Më 23 janar 1919 ndërsa priste në Peruxhia pësoi një hemorragji cerebrale dhe megjithë kurimet e mundshme vdiq më 24 janar.
Është folur edhe se mund të ketë pasur një komplot kundër tij...
Saktësisht Ismail Qemali erdhi në Itali, nga Genova, më 9 dhjetor 1918 dhe mbylli jetën pikërisht në qytetin e Peruxhias, më 24 janar 1919.
Ka patur mendime të ndryshme mbi vdekjen e tij, e cila përkoi në një moment mjaft delikat për çështjen kombëtare dhe kur ndihma që pritej prej tij ishte e mjaft e rëndësishme. Sigurisht, si përfaqësues i çështjes kombëtare ai kishte edhe armiq, armiq të betuar të Shqipërisë. Ekziston mundësia që të ketë patur edhe një komplot ndaj tij pikërisht nga këto qarqe antikombëtare.
Ke qenë i pari që ka bërë një ekspozitë fotografike për Ismail Qemalin si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Bile të parën e ekspozove në ambientet e shtëpisë tënde në Sirtori. Duket sikur kujtesa historike e një burri shteti si Ismail Qemali në Shqipëri konsiderohet çështje familjare....
Unë nuk mendoj që "kujtesa historike" e një burri shteti, e aq më tepër e Ismail Qemalit, të mbetet apo kthehet një çështje familjare. Padyshim që është detyra e historianëve të shkruajnë historinë e vendit dhe figurave kombëtare dhe, në këtë rast, detyrë e familjarëve për t'i ndihmuar ata.
Por, kur historianët bëjnë politikë, shkruajnë historinë në shërbim të saj ose heshtin (dhe ky fenomen fatkeqësisht ka ndodhur, ndodh dhe ka për të ndodhur) atëherë detyra e trashëgimtarëve është që ta tregojnë ata historinë e paraardhësve të tyre. Në këtë rast unë kam dhënë kontributin tim, aq sa kam mundur dhe do përpiqem ta jap edhe më pas.
Fati i varrezës familjare të Vlorajve
Që nga viti 1500, kur pranë kalasë së Kaninës u varros Sinan Pasha, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane, njohur edhe si themeluesi i Familjes Vlora, edhe pjesëtarët e tjerë të familjes u varrosën gjithmonë aty duke u kthyer pak nga pak në një varrezë madhështore familjare. Në të, midis shumë familjarëve të shquar, ishte edhe varri i një tjetër Veziri të Madh të Perandorisë, Ferid Pasha Vlora. Varreza u shkatërrua pas vitit 1945. Sot veç vendvarrimit të Sinan Pashait, nuk ka mbetur asgjë dhe ajo madhështi ekziston vetëm nëpër foto.
Ç’kanë thënë firmëtarët e Aktit të Pavarësisë për Ismail Qemalin
1 - Dhimitër Zografi, një ndër delegatët e Kuvendit të Vlorës, i cili e shoqëroi Ismail Qemalin nga Trieste deri në Vlorë: “Ç’ka bërë Ismail Qemali për Shqipërinë, ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që i di dhe i pa veprat e tij”.
2 - Qazim Kokoshi, një tjetër firmë në Aktin e Pavarësisë, më 12 shkurt 1919, përpara trupit pa jetë të Ismail Qemalit, Babait të Kombit, siç e quante ai, do i drejtohej popullit të pranishëm: “Juve që ishit në vitin 1912, o atdhetarë të dashur, juve jini edhe sot, më 28 të vjeshtës së tretë t'atij viti patë, bëtë dhe gëzuatë, patë luftën ballkanike me rrezik për ju, bëtë përpjekje të shpëtoni tokën t'uaj dhe u gëzuatë me fitimin e plotësimin e idealit. Ju, pra, jeni një histori e gjallë e Shqipërisë së re, por krijonjësi dhe heroji i parë i kësaj historie është Ismail Qemali”.
3 - Ferit Vokopola, një tjetër firmë në Aktin e Pavarësisë do shkruante në 100-vjetorin e lindjes së Ismail Qemalit: “Ismail Qemali, si biri i vetëm i Shqipërisë, rrëmbeu Flamurin, dolli në ballkon dhe e ngriti me dorën e vet, duke iu drejtuar popullit me fjalën e madhe patriotike, me të cilën i bëri të dijtur Shqipërisë dhe Botës mbarë se në këtë çast vendimtar, nën rradhët e Mbretërive të Mëdha e të vogla shtohej dhe një shtet i ri, që populli i vetë ishte një nga trashëgimtarët më të vjetër të Ballkanit. Atë unë e njoha dhe e pashë nër këto çaste vendimtare shumë më të ndryshuar se herë të tjera... Ishte më parë një Yll e tani një Diell i botës shqiptare; ishte më parë një Luftëtar i Lirisë, një shërbëtor besnik i Kombit e tani një shpëtimtarë i Popullit”.
Si e përshkruanin gazetat italiane Ismail Qemalin
Ka artikuj të shumtë të shkruar në vite të ndryshme. Për shembull, menjëherë pas pavarësisë së Shqipërisë, e përditshmja “La Stampa” në faqe të dytë shkruan kështu:
“Në pritje të ngjarjeve që pashmangshmërisht do të ndjekin shpalljen e pavarësisë shqiptare, kurioziteti përqendrohet tek njeriu që është vënë në krye të lëvizjes që arriti qëllimin e saj, Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemalin. Qemali nuk është i panjohur në Europë e sidomos në Itali. Dashurinë për vendlindjen e tij e pagoi me persekutimet nga ana e Abdul Hamitit dhe më pas me internimin. Revolucioni i Xhonturqve e nxorri nga vendqëndrimi i tij në Paris. Ai besoi në një shndërrim të Turqisë në një Konfederatë kombësish me të drejta të barabarta si Zvicra apo Austria. Historia e tre viteve te fundit, i dha te drejtë Ismail Qemalit. Por, para se të vërehej shpërbërja e Turqisë, duke parashikuar fatin e rrezikuar të vendit të tij, vrapoi ne Romë e Vienë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, më pas shkoi në Durrës e Vlorë, ku Kuvendi i shqiptarëve e zgjodhi Kryetar të Qeverisë së Përkohshme.
Ismail Qemali është një plak simpatik, i gjatë, i kuq në fytyrë, me sy të çelët e të gjallë e me mjekër të bardhë. Figurë e shquar, vishet alla europiançe, kryesisht me një “redingote” të pakapshme. Mendje e ndritur, flet rrjedhshëm 5 gjuhë, kupton italisht por e flet me pak vështirësi. Është i informuar për çështjet ndërkombëtare dhe njeh personalisht politikanët europianë kryesore”.
Pavarësia e shqiptarëve ishte edhe në interes të vetë Europës. Në 2 prill 1913, në një artikull të gjatë në faqe të parë të prestigjozes «Il giornale d'Italia», gazetari italian Benedetti shkruan: “Kauza e paqes i detyrohet shumë këtij njeriu që pati detyrën historike më të vështirë në betejat diplomatike më të cilën iu desh të përballej. Do kish qenë më e lehtë për të, të zhbënte Europën”.
16 vjeç
ka qenë Ismail Qemali kur hyri fillimisht në administratën osmane. Ishte koha kur kjo drejtohej nga Mit'hat Pasha, Fuad Pasha e Ali Pasha, të cilët historiografia i rendit si qeveritarë liberalë
1876
Ishte viti kur Mit'hat Pasha në hartimin e Kushtetutës së parë osmane futi nenin 108 sipas të cilit «administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit». Një nga idetë e Mit'hat Pashës e sugjeruar nga Ismail Qemali, ishte krijimi i një Vilajeti shqiptar. Dhe këtu jemi dy vjet përpara Lidhjes së Prizrenit dhe gati 40 vjet përpara Pavarësisë.
“Anija e Ismail Qemalit” në një monedhë austriake
Anija e Lloyd-it austriak ‘Brünn’, që shoqëroi Ismail Qemalin dhe 14 patriotët e tjerë, nga Trieste në Durrës, për të shpallur Pavarësinë, është vënë në një monedhë argjendi austriake. Ajo është stampuar në vitin 2006 ekzaktësisht më 7 qershor. Vlera e saj është 20 euro, me diametër 34,00 mm dhe peshë 20.00 g. Mësohet se ka në treg 50 mijë të tilla. Nga njëra anë e monedhës është pikërisht “anija e Ismail Qemalit” (për austriakët ajo është një prej anijeve më të rëndësishëm të marinës së tyre tregtare), ndërsa nga ana tjetër shihet një pamje e portit të Triestes. Për sa i përket udhëtimit të Ismail Qemalit dhe 14 patriotëve, që e shoqëruan nga Trieste (atëherë port i Perandorisë Austro-Hungareze) deri në Durrës, është folur shumë pak apo më saktë, është përmendur vetëm fakti se ai erdhi në Durrës nga Trieste. Aty këtu, nëpër kujtime apo edhe studime të mëvonshme, është përmendur se anija që shoqëroi Ismail Qemalin në Durrës ishte e shoqërisë së lundrimit të Lloyd-it Austriak.
Renzo Falaschi, shkruan se Ismail Qemali hipi në anijen ‘Brünn’, e cila e shoqëroi në Durrës, duke bërë një ndalesë jashtë programi, ndërsa Safa Vlora shkruan se ‘Vjena i vuri Ismail beut në dispozicion një anije lufte për ta çuar në Shqipëri që të mos pengohej nga bllokada greke’.
Si qëndron e vërteta e këtij udhëtimi? Darling Vlora na thotë se në ndihmë na vjen shtypi europian i kohës: ‘Le Temps’, ‘Le Figaro’, ‘La Croix’ dhe ‘L’Ouest-Eclair’. Sipas tyre, më 18 nëntor 1912 Ismail Qemali u nis nga Budapesti dhe mëngjesin e 19 nëntorit arriti në Trieste. Pas një ndalese të shkurtër, në ‘Excelsior Palace-Hotel’, në orën 14:00, shoqëruar nga 14 patriotë, midis të cilëve: i biri i tij Qazim Vlora, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Spiridon Ilo, etj, u nis nga Trieste për në Durrës. Në bordin e ‘Brünn’, u përhap menjëherë fjala se midis pasagjerëve ndodhej “princi shqiptar Ismail Qemali” me shoqërues.
Bisedoi Alban Trungu
Shekulli
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
Jeta e panjohur e Ismail Qemalit, pa ditëlindje dhe pa mbiemrin Vlora. Grekja Surmeli, gruaja e Ismail Qemalit, zonja e parë e Shqipërisë.
Lindi më 16 tetor 1846 në shtëpinë ku ngriti flamurin më 1912.
Dokumentari, zbardhen të pathënat e biografisë së themeluesit të shtetit shqiptar.
Gruaja e parë, Nasipe Hanëmi, vdiq një vit pas martesës me Ismail Qemalin.
Grekja Kleoniqi Surmeli, zonja e parë e shtetit shqiptar.
Eshtrat e bashkëshortes së Ismail beut prehen në Spanjë.
Ismail Qemali që nuk kemi njohur! Të tjera fakte e dëshmi mbi jetën dhe veprën e themeluesit të shtetit shqiptar bëhen publike në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë. Këtë radhë është gazetari Roland Qafoku, i cili pas një hulumtimi të gjatë na sjell një biografi të kompletuar të Ismail Qemal bej Vlorës, duke ndriçuar aspekte të panjohura të jetës dhe veprës së tij. Dokumentari “Jeta e panjohur e Ismail Qemalit”, që u promovua mbrëmë në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve në Tiranë, zbulon për herë të parë profilin e plotë të familjes së krijuesit të shtetit shqiptar, raportet e tij me fisin dhe qytetin e lindjes, pronat dhe sarajet e Vlorajve, ku lindi dhe u rrit kryeministri i parë i Shqipërisë, karrierën e Ismail beut në administratën osmane, celebrimin me greken Kleoniqi Surmeli me të cilën pati 10 fëmijë etj. Investigimi i gazetarit i jep zgjidhje dilemës për ditën e lindjes së Ismail Qemalit që përkon çuditërisht me atë të diktatorit Hoxha dhe rrethanave si u shmang nga gjeneralitetet e tij mbiemri Vlora. Filmi përshkruan me mjeshtëri çast pas çasti ditën e fundit të Ismail Beut në Peruxha të Italisë dhe momentet kur ndërroi jetë i helmuar në hotel “Brufani”. Po si e përshkruan historinë e Ismail Qemalit gazetari Qafoku…
DITËLINDJA DHE MBIEMRI I HARRUAR
Gjatë 50 viteve të regjmit komunist, në të gjitha tekstet e historisë shkruhej se Ismail Qemali lindi në vitin 1846, pa përmendur ditën dhe muajin. Pa datë e muaj rezultonte edhe në të gjitha tekstet shkollore. Sakaq historiani turk me origjinë shqiptare, Nexhip Alpan, në librin e tij “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, duke iu referuar arkivave të Perandorisë, shkruan se Ismail Qemali ka lindur më 16.10.1846. Pra, në 16 tetorin e famshëm, ku për gjysmë shekulli festohej me madhështi ditëlindja e Enver Hoxhës. Në logjikën e mbrapshtë të regjimit kjo datë nuk mund të ndahej me tjetërkënd, qoftë edhe me themeluesin e shtetit shqiptar, se ndryshe eklipsonte figurën e Zeusit. Zgjidhja ishte gjetur: për ditëlindjen e Hoxhës do tundeshim malet nga festa, për Ismail Qemalin bëhej sikur nuk i dihej data e saktë. E vërteta është se ditëlindja e tij asnjëherë nuk u festua. Një rast pa precedent ky në historinë e burrave të shtetit. Andralla tjetër, tipike komuniste, kishte të bënte me emrin e themeluesit të shtetit shqiptar. Nuk ka një rast të dytë në historinë e Shqipërisë që t’i ndërrohej mbiemri. Babai dhe themeluesi i kombit quhej Ismail Qemal bej Vlora, ndërkohë edhe sot shqiptarët vazhdojnë ta quajnë thjesht Ismail Qemali. Ndryshimi në fakt ka nisur që në kohën e mbretërimit të Ahmet Zogut dhe ka vazhduar edhe në regjimin komunist. E ndërsa në vitet ’30 ai quhej pa ndonjë arsye Ismail Qemal, komunistët gjetën arsyen për ta zhdukur fare mbiemrin Vlora. Kështu, pas vitit 1944, historiografët komunistë e zyrtarizuan zëvendësimin e mbiemrit Vlora me titullin turk Qemal, që Ismaili e përdorte prej kohës si hierarki e Perandorisë Osmane. Në asnjë rast nuk përmendet Ismail Qemal bej Vlora, por vetëm Ismail Qemali. Për ironi, duke e justifikuar me famën që kishte marrë tashmë emri i tij, në shumë raste në tekst shkruhet I.Qemali. Komunizmit nuk i shkonte për shtat as titulli bej e as fama e familjes Vlora. Një familje me identitet të qartë shqiptar, e sërës më të lartë të bejlerëve, por që komunistët për 50 vjet i përndoqën të gjithë pasardhësit e atij që e quanin themeluesin e shtetit shqiptar. Për 50 vjet mbiemri Vlora nuk kishte lidhje me Ismailin që themeloi shtetin. Në të njëjtën kohë, ironikisht, mbiemri Qemali nuk ekzistonte në asnjë regjistër të gjendjes civile, rrjedhimisht kështu, njeriu që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë nuk mund t’i bënte hije kultit të Enver Hoxhës. Ismail Qemali ishte një i vetëm, pa asnjë lidhje, pa asnjë famë e vlerësim paraardhës dhe pasardhës.
SARAJET E PANJOHURA
Ismail Qemal bej Vlora ka lindur pikërisht në të njëjtin vend ku pas 70 vjetësh do të shpallte pavarësinë. Deri në vitin 1930, aty ngriheshin sarajet e Vlorajve, me një sipërfaqe 40 mijë metra katrorë, të cilat për afro një shekull ishin bërë simboli i familjes më të rëndësishme në Vlorë e më gjerë.(Në kadastrën e shtetit italian janë regjistruar në vitin 1860). Ato janë ndërtuar nga dy vëllezërit Ismail bej Vlora dhe Beqir bej Vlora. Nga Ismail bej Vlora rrjedh edhe dega e Ismail Qemalit, i cili është nipi i tij, pra djali i djalit. Sarajet ose konaku i Vlorajve, siç njiheshin, ishte rrethuar me mure 8 metra të lartë dhe kishin dy porta. Në hapësirën e sipërfaqes së madhe ishin ngritur dy godina të mëdha: haremi, banesa e grave dhe selamllëku, banesa e burrave. Brenda sarajeve nuk jetuan thjesht bejlerë, por korifenj që do bënin Shqipërinë.
Në morinë e krimeve ndaj familjes Vlora, prishja e sarajeve është nga më të rëndat. Ishte një vulë e thatë dhe një lajmërim që kjo familje dhe mbiemri Vlora jo thjesht nuk do përmendej, por nuk do zihej fare me gojë. Jo thjesht se aty u përkund njeriu që themeloi shtetin shqiptar, jo se aty lindën e u rritën figura të rëndësishme të historisë shqiptare, porse pikërisht aty u ngrit flamuri që simbolizoi shpalljen e Pavarësisë. Tri janë versionet që shpjegojnë arsyet e prishjes së sarajeve: i pari është ai i një tërmeti që ndodhi në Vlorë dhe i shkatërroi plotësisht sarajet. Në fakt, tërmeti i 21 nëntorit të vitit 1930 me epiqendër në Vlorë shënohet si nga më të fuqishmit në historinë e tërmeteve në Shqipëri. Sipas të dhënave të kohës, ai shkaktoi 30 të vdekur dhe afro 100 të plagosur dhe po ky tërmet shkatërroi gjithçka nga sarajet. Versioni i dytë përmban një emër të përveçëm si autor të kësaj prishjeje. Për Ago Agajn, një studiues nga Vlora, që ka botuar librin “Lufta e Vlorës”, autori dhe urdhëruesi i prishjes së sarajeve të Vlorajve është kryetari i Bashkisë së Vlorës, Qazim Kokoshi. Ago Agaj në librin e tij shkruan: “Sarajet e Vlorajave u prishën nga Qazim Kokoshi, pasi kishte një urrejtje për bejlerët e familjes Vlora, përjashto vetëm Ismail Qemalin”. Por sa e besueshme është kjo, kur ky kryetar Bashkie ishte njëkohësisht edhe një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë? A mundet që firmëtari të shkatërronte vendin ku u ngrit flamuri dhe që ai hodhi atë firmë? A janë të justifikuara gjashtë muaj burg që Kokoshi bëri pas instalimit të komunizimit, i akuzuar për prishjen e godinës ku u ngrit flamuri? Të gjitha këto janë pyetje që ende nuk kanë një përgjigje. Varianti i tretë vjen nga një personazh i rrallë. Quhet Hana Këlcyra, e bija e Ali bej Këlcyrës, vajzë e tezes së Eqrem bej Vlorës, e cila pohon se Eqerem bej Vlora i prishi vetë sarajet e Vlorajve. Po a ishte arsye e madhe kjo që Eqrem bej Vlora prishi sarajet, që duhet thënë se herë banoheshin e herë jo? Herë rikonstruktoheshin e herë liheshin në mëshirën e fatit. Sidoqoftë, Hëna Këlcyra shprehet se tezja i ka treguar që prishja e sarajeve solli mallkimin e familjes Vlora. Pavarësisht rrethanave si u shkatërruan sarajet e Vlorajve, shkatërrimi i tyre solli mallkimin për gjithçka që kishte lidhje me pasardhësit e Ismail Qemalit dhe gjithkënd që kishte mbiemrin Vlora. Dhe në fakt, përveç lavdisë së ngritjes së flamurit nga Ismail beu, në gjithçka tjetër këtë familje e ndoqi mallkimi.
SHKOLLA
Ishte vetëm 12 vjeç kur Ismail Qemal bej Vlora u fut në gjimnazin “Zosimea”, një shkollë e rrallë që ka nxjerrë ajkën e rilindjes shqiptare, por edhe figura greke nga më të rëndësishmet. Këtë shkollë e kishin themeluar katër të krishterë me emër që kishin bërë pasuri në Rusi dhe, pasi vendosën të mos martohen, e shkrinë të gjithë pasurinë për këtë shkollë. Çudia ishte se djaloshi me zell të tepruar me emrin Ismail Vlora ishte i vetmi mysliman në shkollë, përballë të gjithë të tjerëve që ishin ortodoksë. Ishte kthyer në ritual që një prift një herë në muaj futej në shkollë dhe bekonte godinën dhe nxënësit. Shkaktonte të qeshura momenti kur prifti i tundte Ismail Vlorës kryqin përpara fytyrës dhe Ismaili sprapsej. Profesor Omer Efendi dhe profesor Cimas dalluan tek Ismail Vlora një talent të vërtetë. Pasi kishte dalë shkëlqyer në lëndët klasike greqishten e vjetër dhe latinishten, kishte marrë njohuri të shkëlqyera për fizikën dhe matematikën. Miqësia e babait të Ismail Vlorës me Fuad Pashën, ministër i Punëve të Jashtme të Perandorisë, bënë që Ismaili 16 vjeç të shkonte në kryeqytetin e Perandorisë. Fati e deshi që të niste punë si përkthyes në Ministrinë e Jashtme dhe njëkohësisht të niste studimet për jurist në Stamboll, ku edhe u diplomua. Ismail Qemali njihte shumë mirë këto gjuhë të mësuara në programet mësimore: shqip, turqisht, greqisht, frëngjisht, anglisht.
GRUAJA DHE FAMILJA
Ato që janë shkruar deri tani, veçanërisht për jetën familjare të Ismail Qemal Vlorës, janë në fakt shumë pak. Ismail Qemal Vlora u martua dy herë në jetën e vet. Për herë të parë u martua me një vejushë të re. Nasipe Hanëmi ishte një nga gratë e fisit Vlora, kushërirë jo e afërt, një traditë për martesë nga e njëjta sërë që ruhej prej shekujsh. Nasipe Hanëmi ishte vetëm 19 vjeç dhe kjo martesë u shoqërua me një fat të keq. Vetëm një vit më pas, gruaja bashkë me vajzën që po lindte vdiqën dhe për Ismail Qemalin kjo ishte një humbje e madhe. Por nuk vonoi shumë dhe Ismail beu u martua me një vajzë të re greke. Guvernatori i Danubit të Poshtëm ra në dashuri me Kleoniqi Surmelin, vajzën e Antonit nga Ederneja. Ishte një dashuri me shikim të parë, shumë e rrallë për kohën dhe për një shqiptar të atyre viteve. Por, jo për Ismail beun, jeta e të cilit ishte e mbushur me të mira. Nuk janë të paktë ata bashkëkohës të Ismail beut që tregojnë se ai ra në dashuri me Kleoniqin falë bukurisë së saj, por që më pas ishte bukuria e shpirtit të kësaj gruaje që e shoqëroi Ismail beun deri në fund të jetës (Fotografia e Kleoniqi Surmelit që botojmë sot, publikohet për herë të parë). Në gjuhën e sotme, kjo është zonja e parë e Shqipërisë. Dhe nëse bëhet një listë me zonjat e para në këta 100 vjet, grekja Kleoniqi është e para fare. Ajo lindi në Bullgari dhe aty kaloi fëmijërinë dhe rininë, derisa u martua me Ismail Vlorën. Ajo i dhuroi Ismail beut 10 fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza. Ismail beu, duke kujtuar lidhjen dhe martesën me gruan e bukur Kleoniqi, shkruan: “Në fillim ndryshimi në besim fetar qe bërë pengesë për bashkimin tim me këtë zonjushë të re që kisha rënë në dashuri, çka u kundërshtua fort nga njerka e saj. Mirëpo u morëm vesh me vajzën, si dhe me pëlqimin e heshtur të vjehrrit tim të ardhshëm, që ta rrëmbeja dhe kështu bëra një natë. Shtëpitë tona ishin fqinje me njëra-tjetrën dhe sapo e kisha futur vajzën në shtëpinë time, thirra dëshmitarë nga të dyja palët, një prej të cilëve ishte konsulli belg, dhe akti i martesës u hartua e nënshkrua në prani të tyre”. Sidoqoftë, martesa e myslimanit që themeloi shtetin shqiptar dhe vuri kurorë me ortodoksen e bukur nga Greqia, “armike” e shqiptarëve, nuk mund të kalonte pa u përmendur në librat historikë të Ballkanit. Historiani Mark Mazower, në librin e tij “Ballkani, një histori e shkurtër”, spikat këto tri raste unikale për të në Ballkanin e pushtuar nga osmanët: Dhespoti serb George Brankoviç e martoi vajzën e tij Mara me Sulltan Muratin e Dytë më 1435. Ali Pashë Tepelena u martua me një ortodokse greke, Vasiliqia, për të cilën ndërtoi edhe një kishë. Ismail Qemal bej Vlora hodhi kurorë me një greke duke e rrëmbyer, vetëm e vetëm për të hequr paragjykimet që njerka e saj kishte kundër myslimanëve. Hëna Këlcyra shkruan se Kleoniqi nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri. Por grekja e bukur nga Adrianopoja, e bija e një fisniku, është bërë shpeshherë motiv për të sulmuar Ismail Qemalin. Akuzat për lidhjen e Ismail beut me Greqinë dhe grekërit nisi nga Kleoniqi e përfundojnë po te Kleoniqi. Aq i thellë ishte ky motiv, sa një studiues i njohur shkruante: “Është e habitshme se si dy antigrekët më të mëdhenj në historinë e Shqipërisë, Ismail Qemali dhe Andon Zako Ccajupi, i morën gratë greke”.
ANDRALLAT E GRUAS ME ORIGJINË GREKE
Grekja me të cilën Ismail beu bëri 10 fëmijë, i solli edhe ca andrralla në të gjallë e në të vdekur, por sidomos kur as ajo e as ai nuk jetuan. Te Kleoniqi kundërsharët gjetën tabelën e qitjes për ta akuzur themeluesin e kombit si antishqiptar, grekofil në rastin modern dhe grek në rastin e drejtëpërdrejtë. Por gruas së bukur askush nuk ia pa fytyrën. As në familjen Vlora e as jashtë saj. Ajo bëri një jetë në heshtje, larg vëmendjes së njerëzve, aq sa regjimet e të gjitha kohërave nuk ia zunë as emrin në gojë. Ajo rriti me përkushtim dhjetë fëmijët e saj në heshtje pa u bërë protagoniste dhe ndërroi jetë në një nga stacionet e qëndrimit të familjes, në Spanjë. Vdiq në vitin 1918, pra një vit para Ismailit. Edhe sot varri i saj ndodhet atje, i braktisur në dhe’ të huaj. Aq është harruar kjo grua, sa edhe pasardhësit nuk kanë mundur t’i vënë një tufë lule në varrin e saj. Sot ka ardhur koha që krahas burrit që themeloi shtetin shqiptar, t’i japim nderin që i takon edhe zonjës së tij, Kleoniqi Surmelit, që në fund të fundit është edhe zonja e parë e shtetit shqiptar. Paradoksalisht në Spanjë nuk ndodhen vetëm eshtrat e bashkëshortes së Ismail Qemalit, por edhe ato të bashkëshortes së Skënderbeut, Donika Kastrioti. Trupat e tyre të tretur në dheun e largët janë dëshmi e qartë se ç’bëjmë ne shqiptarët me historinë dhe me protagonistët e saj. Dokumentat konfirmojnë që Ismail beu e shfrytëzoi për bukuri krushqinë me greken Kleoniqi në të mirën e marrdhënive dypalëshe. Në vizitën e tij historke në Greqi, më 1 maj 1900, ku pati takime me autoritetet e larta të Athinës dhe u prit me madhështi, ai shkruante: “Jam i sigurt se herët a vonë dashuria e përbashkët për liri e shqiptarëve dhe e grekërve do t’i shpjerë ata drejt një mirëkuptimi e drejt krijimit të një ekuilibri në Gadishullin Ballkanik për të mirën e të gjithëve”. Me Kleoniqi Surmelin Ismail Beu pati “lumturinë”, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë, një fakt ky i lënë në harresë. Shumë të paktë kanë qenë ata që e kanë ditur se themeluesi i shtetit shqiptar kishte dhjetë fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza.
vijon...
Promovohet filmi “Ismail Qemali që nuk kemi njohur”
Një rrëfim ndryshe për biografinë e themeluesit të shtetit shqiptar. Përtej këtij konstatimi, pjesëmarrësit në ceremoninë e promovimit të filmit “Ismail Qemali që nuk kemi njohur”, zhvilluar mbrëmë në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve në Tiranë, veçuan përpjekjet e autorëve të tij për të ndriçuar jetën e panjohur të babait të pavarësisë. Dokumentari i gazetarit Roland Qafoku bazohet në fakte, dëshmi dhe rrëfime të historianëve apo studiuesëve më në zë. Ndonëse është një zhanër i vjetër i aplikuar në gazetarinë televizive, dokumentari për Ismail beun, me mënyrën si operon dhe këndvështrimin mbi të vërtetat historike, përbën një risi interesante. Për të mbërritur deri këtu, shprehet autori Qafoku, janë shfletuar mbi 200 libra vendës dhe të huaj, janë zbuluar me qindra fotografi e dokumenta të rralla të pabotuara më parë dhe janë siguruar dëshmi unikale si ajo e Hëna Këlcyrës, vajzës së tezes së Eqrem bej Vlorës. Sakaq në dokumentar shfaqen pamje që vijnë për herë të parë të Luigj Gurakuqit dhe të Esat pashë Toptanit. Për realizimin e tij janë kryer xhirime në Vlorë, në mjediset e sarajeve të Eqerem Vlorës, në stendat e Muzeut Historik, në Kuzum Baba dhe në Tiranë. Dokumentari që zgjat dy orë e gjysmë, ka si konsulent historianin e njohur, profesor doktor Bardhosh Gaçe dhe është realizim i TV Planet, në kujdesin e producentit Shpëtim Spahiu.
Panorama
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
Nata e fundit e Ismail Qemalit në Peruxhia, dyshimet për helmim. Rrëfimi i të birit: I hodhën helm në kafe
Dokumentari për të pathënat e biografisë së themeluesit të shtetit shqiptar.
Rrethanat e panjohura të tragjedisë gjatë udhëtimit për në Konferencën e Paqes në Paris.
Et’hem Vlora, i biri i Ismail Qemalit: I hodhën helm në kafe.
Fjalët e fundit të Ismail Beut: Më hëngër me të pabesë.
Çastet fatale gjatë konferencës së shtypit në hotel “Brufani”
Në episodet e zbuluara nga jeta e panjohur e krijuesit të shtetit shqiptar në dokumentarin e gazetarit Roland Qafoku “Ismail Qemali që nuk kemi njohur”, ajo e çasteve fatale në Peruxhia të Italisë, është ndër më interesantet. Ismail Vlora, që pas shpalljes së pavarësisë mori rrugën të përmbushte pjesën tjetër të sfidës, njohjen e shtetit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha në Konferencës e Paqes, në rrethana misterioze ndërroi jetë në hotel “Brufani”. Dilemave të shumta për vdekjen e papritur të babait të kombit, në dokumentar u jep një farë zgjidhjeje dëshmia e Et’hem Vlorës, djalit të Ismail Beut, i cili ka qenë i pranishëm në çastin e vdekjes. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për vdekje natyrale, por për një helmim të qëllimshëm. Në këtë argument bashkohen pak a shumë edhe studiuesit e ekspertët e thirrur nga gazetari për të shkuar tek e vërteta. Përtej këtij momenti kulmor, dokumentari i Qafokut ndriçon të tjera fakte e ngjarje të panjohura nga jeta e Ismail Qemalit. Ndër to tërheqin vëmendjen të pathënat e përplasjeve në kabinetin e tij qeveritar, konflikti me ministrin e Brendshëm Libohova, marrëdhëniet problematike me Konicën e Nolin, mosmarrëveshjet me pjesëtarët e tjerë të fisit Vlora etj.
KARRIERA NE PERANDORINE OSMANE
Në vlerësim të punës së Ismail Qemalit, në dosjen personale të administratës turke shkruhet: “Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetar i parë i shtetit shqiptar”. Ja cilat janë detyrat që Ismail Vlora mbajti në administratën e Perandorisë Osmane: Përkthyes në zyrën speciale në Ministrinë e Jashtme, guvernator i Përgjithshëm i Talcea, Bullgari, guvernator i Danubit të Poshtëm, kryetar i Komisionit Europian të Danubit, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, guvernator në Bolu dhe në Galipoli (Turqi), anëtar i Këshillit të Shtetit, guvernator i Përgjithshëm në Bejrut (Liban), guvernator (ad interim) i Sirisë, deputet në Parlament, i zgjedhur nga Berati dhe Vlora, kryetar i Parlamentit turk, kryetar i partisë turke, bashkëhartues i Kushtetutës së parë osmane 1876. Në dokumente bëhet e ditur se Ismail Qemali ka refuzuar detyrën e ambasadorit të Perandorisë në Angli, si dhe atë të ministrit të Brendshëm e të Jashtëm. Kulmi profesional i Ismail Vlorës arrin në pjesëmarrjen e tij në hartimin e Kushtetutës së Perandorisë Osmane. Artikulli 108 i kësaj Kushtetute pranonte që “Administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit”(17). Një nga idetë e Mit’hat Pashës, emëruar për të dytën herë Vezir i Madh, në 1876-n, ishte krijimi i një vilajeti shqiptar. Fatkeqësisht, pak muaj pas emërimit, reformatori i madh turk u arrestua, u dëbua nga Turqia dhe më vonë u vra. Kushtetuta, e cila kishte për qëllim forcimin e Perandorisë, mbeti e pazbatuar deri në 1908-n. Për idetë e tij liberale dhe bashkëpunimin me Mit’hat Pashën, që binin ndesh me regjimin absolutist të Abdul Hamid-it II, Ismail Qemali vuajti 7 vite internim (1877-1884).
UDHETIMI DREJT VLORES
Vapori “Baroni Beck”, në të cilin udhëtonte Ismail Qemali drejt Shqipërisë për të shpallur pavarësinë, ndoqi rrugën Stamboll, Bukuresht, Budapest, Durrës, Vlorë. Mbërritja në Durrës u shoqërua me një situatë të pakëndshme e të papritur. Ismail Qemali, duke iu kthyer këtyre çasteve kujton: “Me të vënë këmbë në qytet, moskuptimi i durrsakëve për Aktin e Shpalljes së Pavarësisë na dha të kuptonim se një punë e tillë nuk mund të bëhej atje. Ne u thoshim të përpiqemi për shpëtimin e atdheut, ata na thanë tradhtarë. Turqia nuk ka humbur dhe nuk humbet. Qysh mundeshim ne tua mbushnim kokën këtyre njerëzve? Kështu u shtrënguam t’u thoshim të mirëmbetëshin, Zoti u dhëntë mend dhe u nismë për në Vlorë”.
Në përpjekjen për të shpallur pavarësinë në Durrës, Ismail Qemali u përball me tentativën e një arrestimi. Ja si e kujton Mehmet Ndroqi, sekretar i Hamid Toptanit, mbërritjen e Ismailit në Durrës. “Kur doli Ismail Qemali në Durrës, ra në hotel ‘Konstandinople’ që gjindej në breg të detit. Dhespoti Jakovi në bashkëpunim me turkomanët, thanë se i kishin qenë besnikë flamurit turk në 500 vjet dhe ashtu do të vdisnin. Autoritet turke menduan ta arrestojnë Ismail Benë, por Hamid Toptani, që ishte komandanti i rezervistëve, gjithsej 800 veta, e ndaloi këtë punë. Për të shmangur arrestimin e Ismail Beut, Hamid Toptani mblodhi një tufë me kuaj dhe ia vuri në dispozicion për udhëtimin që nisi më 23 nëntor dhe e shoqëroi atë deri në Kavajë. Karvani me në krye Ismail Beun, 27 delegatë nga zonat përreth dhe një shpurë shoqëruesish ndërmorën kështu udhëtimin e gjatë, të vështirë, të rrezikshëm, por më të rëndësishmin, një udhëtim që kishte si finale ngritjen e një shteti të ri në Ballkan, Europë e në botë. Një repart turk ua preu rrugën dhe shefi i Xhandarmërisë, i hipur në kalë, i tundte në ajër një urdhër. Aty shkruhej se Ismail bej Vlora duhet të arrestohej. Fati e deshi të mbërrinte edhe një urdhër i dytë, sipas të cilit Ismail Beu duhet të lihej i lirë. Karvani mori sërish rrugë, por andrallat nuk kishin të mbaruar. Një stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm përmbyti tokat rreth e qark dhe lumi i Vjosës dhe Semanit doli nga shtrati. Karroca ku Ismail Beu udhëtonte u prish dhe udhëtimi nuk ishte më i mundur. Sakaq, koha nuk priste, serbët tanimë në Durrës, grekët po afroheshin drejt Vlorës, një tjetër ushtri serbe po afrohej nga Ohri në Tiranë dhe nëse vazhdonte kjo situatë, historia do të shkruhej ndryshe. Megjithatë, plaku i Vlorës, falë edhe ndihmës së fshatarëve të zonës, pas tri ditë e tri netësh udhëtim, në mbrëmjen e 26 nëntorit mbërriti në Vlorë. Të lodhur, të rraskapitur, të dërrmuar nga ajo rrugë e gjatë, por me një gëzim dhe dëshirë të zjarrtë për të përligjur ëndrrën shekullore të shqiptarëve, për të shpallur pavarësinë. Gazeta “Dielli” e datës 5 dhjetor 1912, në editorialin e saj shkruante: Historia e Shqipërisë do të përmendë me ngashërim ditën e bukur që Ismail Qemali u nis nga Durrësi me shokët e tij për të mbaruar në Vlorë “misionin e madh”. Ka një hije politike të rrallë ky udhëtim i një grushti shqiptarësh për të shpëtuar Shqipërinë, për të bërë të vdekurin të gjallë, dhe për të shëruar trupin e asaj nëne fisnike, e cila po humbet gjakun nga një mijë plagë.
SHPALLJA E PAVARESISE
Aktin e Shpalljes së Pavarësisë plaku i urtë i Vlorës e kishte paralajmëruar më herët. Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, i deklaronte gazetës italiane “Piçolo”: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Europës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”. Ndërkaq, duke përshkruar momentin e Shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali kujton: “28 NËNTOR 1912, ORA 14:00. Ky është moment më i rëndësishëm në të gjithë historinë e Shqipërisë. Oh, sa të lumtur e ndjej vehten sot që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike për fatin e atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy nga mallëngjimi, pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot edhe këtë minutë Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së lirë”. Atë çast fatlum për Shqipërinë e kemi të përshkruar aq mjeshtërisht nga Luigj Gurakuqi: “Në krye të tavolinës rrinte Ismail Qemali, kurrë s’ishte dukur më i ri. Fytyra e tij e ëmbël fiton me të parë zemrat dhe nderimin”. Ky ishte plaku i urtë i Vlorës, babai i kombit, themelues i shtetit shqiptar, njeriu që ngriti flamurin, duke u dhuruar shqiptarëve shtetin e tyre.
PËRPLASJA ME MYFIT LIBOHOVËN
Studiuesit e shumtë e vlerësojnë Ismail Qemalin një produkt më të madh se statuja e popullit që e përfaqësonte. Ai ishte një personalitet që spikaste për maturi dhe i besonte më shumë diplomacisë dhe zgjuarsisë, sesa forcës kur përballej në debate të tilla si ai me Myfit Libohovën, që zbulohet për herë të parë pas 100 vjetësh. Aty nga mesi i vitit 1913, kur Kryeministri shqiptar ballafaqohej me çështje nga më kritiket për fatet e vendit, i del hapur një tjetër kundërshtar, madje nga radhët e kabinetit qeveritar. Myfit bej Libohova, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, në një letër denoncuese i drejtohej Ismail Qemalit: Ju njoftoj naltësia tuaj të ndiqni rrugën e ndërgjegjes e të njerëzillikut dhe të na paguani borxhet që na detyroheni me dëftesë e pa dëftesë.” As më shumë dhe as më pak: Ministri Brendshëm i kërkon Kryeministrit t’i kthejë ato pare që ia dha për të shkuar delegacion në Europë për njohjen e shtetit shqiptar! Sidoqoftë, ankesa e Libohovës nuk ishte fare pa arsye. Sipas të dhënave të kohës, pakënaqësia e tij paska qenë përse Kryeministri Ismail Qemali nuk e caktoi atë, por Luigj Gurakuqin në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit(!). Një natyrë sjelljeje kjo si e politikanëve të sotëm që e kanë trashëguar nga një takëm paraardhësish si Libohova, që paratë e vëna në shërbim të Pavarësisë së Shqipërisë ia kërkonte më pas Ismail Qemalit në formë borxhi.
QEVERISJA
Akti i Shpalljes së Pavarësisë është simbolik dhe me ide vizionare, sepse për qeverisje të Ismail Qemalit është shumë pak të thuash. Kjo qeveri kishte nën kontroll vetëm pesëkëndëshin Vlorë-Gjirokastër-Tepelenë-Fier-Berat. Por, edhe në këtë zonë nuk kishim të bënim me një administratë solide. Aq e theksuar ishte kjo, sa mjafton të sjellim një telegram urgjent të datës 13 mars të vitit 1913 nga Selman Shehu, nënprefekti i Tepelenës për Kryeministrin Ismail Qemali, i cili thotë: “Për shkak të kushteve të këqija, janë arratisur nga detyra të gjithë xhandarët dhe nuk ka ndonjë fuqi për të siguruar rendin dhe qetësinë e vendit”. Të tilla detaje janë shumë kuptimplote kur flasim për madhështinë e Ismail Qemal bej Vlorës. Plaku i Vlorës ngriti një shtet ku nuk ekzistonte asgjë. Ndërkohë që rrethohet nga të gjitha anët nga shtete që donin t’i merrnin ç’të mundin. Duke iu referuar këtij fakti, mbesa e Kryeministrit anglez Gerorge Lloyd, Margaret Macmillan, në librin e saj “Paris 1919″, shkuan: “E gjora Shqipëri, sa e vogël, por me sa shumë armiq të mëdhenj!”
TENTATIVA PER VRASJE
Tentativa e parë për eliminimin e Ismail Vlorës ndodhi më 7 shtator 1901. Gazeta greke “Sotiria” shkruan: “Me tre fëmijët e vegjël shkoi në një anije anglezë, ku Ismail Vlora i dorëzoi ambasadorit anglez N.O.Konor letrën: “I lutem shkëlqesisë tuaj që të kini mirësinë të më ofroni mbrojtjen tuaj të lartë duke i dhënë kapitenit të anijes udhëzimet e duhura që të më nxjerrë jashtë atdheut tim, të cilin po e braktis për arsye të patriotizmit të tepruar”. Ishte koha e përndjekjes së Sulltanit ndaj Ismail Vlorës për shkak të bashkëpunimit të tij me Vezirin e Madh, Mit’hat Pashën, një reformator që pasi u dënua, u vra. Kjo solli edhe përndjekjen ndaj Ismail Vlorës.
Tentativa e dytë kishte të bënte me Gani Toptanin, vëllain e Esat Pashë Toptanit. Sipas dokumenteve të kohës, Ganiu ishte një agjent direkt i Sulltanit të Perandorisë Osmane dhe nuk ishin të pakta rastet që Ganiu kishte kryer vrasje me porosi direkte të tij. Ngjarja mori përmasa reale, kur dy miqtë e Ismail Vlorës i thonë që Sulltani kishte urdhëruar Gani Toptanin për ta vrarë. Duhet kujtuar që dy vëllezërit Gani dhe Esat Toptani kishin për motër nënën e Eqrem bej Vlorës, djalin e kushëririt të Ismail Vlorës, të cilin e quante nip. Në bisedë e sipër, miqtë i kishin thënë Ismail Qemal Vlorës se Ganiu i kishte garantuar se edhe pse sulltani i kishte dhënë urdhër, ai nuk do ta vriste Ismail Vlorën, në të kundërt, do të arratisej ose do të vriste veten. Nuk ndodhi as e para, as e dyta, por ndodhi kjo e treta. Për fatin e Ismail Vlorës, Ganiu vrau veten aksidentalisht, duke luajtur me një mikun e tij.
NJE VDEKJE PLOT DYSHIME
Akti i Shpalljes së Pavarësisë për Ismail Qemalin, sado i rëndësishëm, ishte vetëm një pjesë e sfidës. Pjesa tjetër e aktit final kishte të bënte me konfirmimin e saj nga Fuqitë e Mëdha. Rasti dukej se po vinte në Konferencën e Paqes në Paris. Viti 1919 sapo kishte hyrë dhe themeluesi i shtetit shqiptar po kërkonte mundësinë për të qenë aty i pranishëm. Me premtimin e liderëve të Italisë deri te Kryeministri Vittorio Emenuale Orlando, Ismail Vlora u bë gati të shkonte në kryeqytetin e Francës, ku do të mbronte çështjen e Shqipërisë. Por aty nuk do arrinte kurrë. “Çështjen e cilës Shqipëri?, pyet Ismail Vlorën gazetari William Fullerton i gazetës “Times” dhe po aty përgjigjet vetë: “Plaku i gjorë ishte simbol i zhgënjimit që i priste 50 popuj të ardhur me vrap në Paris, sikur po vinin në Mekë”. Vetëm katër ditë para vdekjes, Ismail Vlora shkruan në një letër: “Sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”. Por teksa priste në Peruxhia të Italisë, në hotel “Brufani” lajmin për të takuar politikanët italianë, vdiq papritur. Një vdekje shokuese dhe plot mister, për të cilën është folur në vite. Sidoqoftë, ata që kanë qenë pranë tij në momentet fatale kanë regjistruar fjalët e fundit të babait të Pavarësisë: “Më hëngër me të pabesë”.
Et’hem Beu, djali i Ismail Vlorës, që ka qenë i pranishëm në çastet kur ka ndërruar jetë i ati, duke i treguar kryetarit të Bashkisë Ali Asllani situatat gjatë qëndrimit të tyre në Peruxhia, shpjegon: “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespodentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët. Dyshimet e para përafronin idenë se diçka ishte hedhur në të dy filxhanët e kafesë që kishin pirë at e bir në barin e hotelit, pak minuta para konferencës së shtypit. Gazeta “L’Unione Liberale” e datës 27 janar 1919, shkruan: “Dje në mbrëmje, në orën 23:30, pushoi së jetuari në hotel “Brufani” miku i shquar i qytetit, Ismail Qemal bej Vlora”. Gjithçka nga ai moment e deri më sot nuk është sqaruar plotësisht. Një sërë dilemash vazhdojnë të preokupojnë studiuesit e shumtë: Në çfarë rrethanash u izolua Ismail Vlora në Peruxhia? Çfarë fshihej pas konferencës së shtypit që u lajmërua jashtë axhendës? Pse u vonua ndihma mjekësore dhe pse nuk iu krye autopsia kufomës? Kush ishin shqiptarët që atë ditë udhëtuan në Peruxhia dhe qëndruan vetëm pesë orë? Përse djali i pronarit të hotelit ku vdiq Ismail Beu ka thënë se i ati e kishte pengun e jetës vdekjen e tij? Cili ishte rrethi i njerëzve që i interesonte eliminimi i Ismail Qemalit dhe kush përfitonte nga vdekja e tij? Kujt i hapej rruga për karrierë politike dhe sundim të Shqipërisë pas kësaj? Kishin kaluar pak më shumë se shtatë vjet nga Akti suprem për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Çdokush që njihet sadopak me rrethanat si ndërroi jetë Ismail Vlora dhe mënyrën e papritur të vdekjes, në mendje i vijnë fjalët e fundit në fjalimin e tij kur ngriti flamurin shqiptar në ballkonin më të famshëm në Shqipëri:…Të pranoj që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë flamuri ynë në atdhenë tonë të lirë. Dhe ndodhi vërtet që Ismail Qemali u bë dëshmori i parë i shtetit shqiptar.
Tre dokumentarë për pavarësinë
Përveç dokumentarit “Ismail Qemali që nuk e kemi njohur”, gazetari Roland Qafoku ka përgatitur edhe dy të tjerë. Njëri syresh për 100 personalitetet më të rëndësishme në 100 vitet e shtetit shqiptar, që ka në fokus një aradhë shumë interesante figurash, të cilët kanë bërë realisht historinë e Shqipërisë, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Dokumentari i dytë u kushtohet delegatëve dhe firmëtarëve të Pavarësisë, atyre që shpallën aktin më sublim të shtetit shqiptar, duke sjellë për herë të parë pa asnjë censurë profilin e plotë të tyre, me identitetet dhe jetëshkrimet përkatëse, me kontributet e gjithsecilit, përtej vështrimit bardhë e zi. Filmi për Ismail Qemalin, për autorin vlerësohet më i rëndësishmi. Për realizimin e tij, Qafokut i janë dashur disa vite për të hulumtuar në kërkim të jetës së panjohur të themeluesit të shtetit shqiptar.
Panorama
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
Nderohen firmëtarët e Pavarësisë
Kuvendi u dorëzon aktet e themelimit të shtetit shqiptar pasardhësve të patriotëve.
Topalli: Përjetë mirënjohës Ismail Qemalit për flamurin.
Kuvendi i Shqipërisë nderoi dje familjet e 40 firmëtarëve e Aktit të themelimit të shtetit shqiptar, familjet e figurave të shquara të qeverisë së Lushnjës, pasardhësit e udhëheqësve të kryengritjeve në trevat shqiptare me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli në çelje të ceremonisë uroi të gjithë shqiptarët për Pavarësinë, për datëlindjen e kombit, për kryefestën e të gjithë shqiptarëve. Topalli i dorëzoi botimin special të Kuvendit të Akteve të Themelimit të Shtetit Shqiptar familjarëve të baballarëve të kombit, duke nisur nga Ismail Qemali. “Ai ngriti flamurin, flamur që nuk sulmoi kurrë të tjerët. Ismail Qemal Vlora ngriti flamurin e Skënderbeut, flamurin tonë, flamurin më të vjetër, flamurin më të drejtin, flamurin më të bukur në botë. Faleminderit Ismail Qemal Vlorës. Përjetë mirënjohës. Përjetë mirënjohës të gjithë firmëtarëve’, tha Topalli”. Kryetarja e Kuvendit nderoi pasardhësit e baballarëve të kombit si, Dom Nikollë Kaçorri, Jorgji Karbunara, Lef Nosi, Mit’hat Frashëri, Elmas Boce, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani etj. Po ashtu, aktet e themelimit të shtetit iu dorëzuan dhe ish-kryeministrave dhe ministrat e qeverisë së Lushnjës, duke nisur nga Sulejman Delvina, Eshref Frashëri, Mehmet Konica dhe Mbreti Zogu i Parë Ahmet Zogu, Spiro Koleka etj. Një nderim i veçantë u bë dhe për dy heronjtë Hasan Prishtina dhe Isa Boletini. Gjithashtu u nderuan dhe pasardhësit e Naim Frashërit, Sami Frashërit, Abdyl dhe Mehdi Frashërit. Po ashtu dhe familjet e Dedë Gjo Lulit, Imzot Luigji Bumçit dhe Elez Isuf Ndreut.
Rishkrimi i historisë
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli mori pjesë dje në Konferencën Ndërkombëtare “100 Vjet Pavarësi”, ku apeloi që historianët të shkruajnë të vërtetat e kombit tonë. “Shkruajeni historinë, thoni të vërtetat. Kjo është detyra e çdo historiani. Mjafton të shohim vetëm Deklaratën e Pavarësisë, vetëm emrat e firmëtarëve të Pavarësisë. Në cilin vend të botës gjysma e firmëtarëve u detyrua të arratisej, ose të burgosej, ose të pushkatohej?”, tha Topalli.
Të ftuar
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Kuvendit ishin dje të ftuar nderi Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Kryeministri Sali Berisha, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, familjarë dhe pasardhës të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, anëtarëve të qeverisë së Lushnjës, patriotëve, udhëheqësve të kryengritjeve dhe rilindësve të shquar. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
Zbulohet në Tiranë shtatorja e Ismail Qemalit
Pas ekzekutimit të himnit të flamurit, kryeministri Sali Berisha ka zbuluar shtatoren e Ismail Qemalit.
Shtatorja e arkitektit të Pavarësisë së Shqipërisë u zbulua në prani të shumë qytetarëve. Ne ceremoni merrnin pjesë edhe ministri i Kulturës, Aldo Bumci si dhe kryeparlamentarja, Jozefina Topalli.
Të pranishëm ishin edhe krerët e disa prej komunave kryesorë në të gjithë hapësirën shqiptare.
Shtatorja e Ismail Qemalit është punuar nga Odise Paskali dhe është vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ne lulishten prane godines se Kuvendit te Shqiperise.
Kryeministri Berisha vlerësoi maksimalisht figurën e Ismail Qemalit, kur e cilësoi atë reformator te permasave te medha, si njërin prej burrave më të mëdhenj, më të shquar, më të guximshëm dhe më vizionar të historisë së kombit tonë.
“Ai kuptoi se xhonturqit ishin kryekëput antishqiptarë. Në këto kushte Ismail Qemal Vlora merr përsipër së bashku me një grup bashkëpunëtorësh, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Dedë Gjo Lulin dhe burra të tjerë të punojnë me vendosmëri për pavarësinë e Shqipërisë.”- tha Berisha.
Sipas tij, Ismail Qneal Vlora kuptoi se aleanca ballkanike ishte aleancë kryekëput antishqiptare, aleancë në të cilën fqinjët ballkanik kishin vendosur të ndanin trojet e kombit shqiptar.
Postimet: 280
Temat: 42
Regjistruar: Dec 2024
Reputacion:
0
Për: Ismail Bej Vlora (Qemali) [1844-1919]
Ismail Qemali, zbulohet promemoria e panjohur drejtuar Garibaldit
Fatmira Nikolli
Është zbuluar së fundmi në Arkivat italiane një promemorie e vitit 1903, shkruar nga Ismail Qemali, drejtuar pasardhësit të Garibalidit, Ricciotit. Ka qenë Darling Vlora, pinjolli i plakut të Vlorës, që ka rënë në gjurmët e saj. I shkruar në frëngjisht, teksti i promemories shkon rreth 12 faqe format dhe është shtypur me makinë shkrimi. Vende-vende ka shënime me dorë, nga vetë Ismail Qemali. “Dokumenti është gjetur me shumë vështirësi, pasi nuk është i kataloguar veçmas”, thotë Darling Vlora, teksa falenderon përgjegjësin e Arkivit z. Fabrizio Alberti. Promemoria ruhet në Museo Centrale del Risorgimento (MCRR), në: “Carte Ricciotti Garibaldi”, të grupuara në: “Carte varie riguardi i soccorsi all’Albania, 1902-1905". Ismail Qemali krijoi shumë herët lidhje me R. Garibaldin për t’i ruajtur deri në fund të jetës së tij. “Promemoria nuk ka datë, ndoshta ajo ka qenë shoqëruar me ndonjë tekst tjetër, por nga përmbajtja e saj kupton se është shkruar në vitin 1903”, thotë Vlora. Pjesë të kësaj promemorieje, Ismail Qemali i publikoi në një intervistë për gazetën italiane “Il Giornale d’Italia” dhënë Vittorio Vettorit, më 16 gusht 1903. Në fillim të promemories, në paragrafin e tretë të saj, duke iu referuar vitit 1878, kohë kur u mbajt Kongresi i Berlinit, I. Qemali shënon ‘historia e 25 viteve të fundit’. Pak rreshta më tutje kur ai flet për vitin 1880, shënon ‘shqiptarët dhe popullsia e tyre shpresuan për 23 vjet rresht’. Të dyja shënimet e mësipërme e bëjnë të sigurt vitin e hartimit të promemories. Nga frëngjishtja, dokumenti është përkthyer nga Thomas Frashëri dhe është redaktuar nga Darling Vlora, ndërsa sqarimet në dokument janë bërë nga Ledia Dushku, historiane pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Më poshtë po publikojmë të plotë promemorien e Ismail beut, që flet për një përkushtim më të hershëm se pavarësia për Shqipërinë.
Promemoria, shkruar më 1903
Ngjarjet që po zhvillohen në këtë moment në Gadishullin Ballkanik janë shumë më tepër serioze sesa lëvizjet revolucionare në Lindje, që ndjekin njëra tjetrën prej një shekulli dhe janë bërë për publikun si lajme të zakonshme për shkak të periodicitetit të tyre.
Në fakt, nuk bëhet më fjalë për një provincë turke që ngre krye për të shkundur zgjedhën e vjetër; nuk bëhet më fjalë për një popull të Lindjes që lufton për emancipimin e tij; në të vërtetë nën sytë tanë po ndodh një fenomen pa precedent në analet e Lindjes. Nga njëra anë po vërejmë agresionin e ndërmarrë nga një racë me instinkte gllabëruese, e cila duke patur për qëllim sundimin e saj mbi kombësitë e tjera, instrumentalizon civilizimin jo për të zbatuar rregulla të moralit dhe të drejtësisë, por për të legjitimuar forcën brutale. Nga ana tjetër vërejmë përlindjen e një tjetër race, e cila e dëshpëruar dhe e frikësuar nga perspektiva e humbjes së tërësisë territoriale dhe qenësisë së saj kombëtare është përhumbur në një luftim për jetë a vdekje. Për të mbrojtur çështjen e vet që përkon bash me atë të drejtësisë dhe të kombësive të tjera, ekzistenca e të cilave është gjithashtu e kërcënuar në të njëjtën shkallë dhe nga i njëjti agresor, ajo është përbetuar ta çojë vetëmohimin e saj deri në flijim.
Historia e njëzet e pesë viteve të fundit na zbulon gjenezën dhe na shpjegon arsyet e grishjes së bullgarëve dhe të dëshpërimit të shqiptarëve. Të parët, të favorizuar nga fati, të llastuar nga dashamirësia e mirëbërësve të tyre, që i falnin deri edhe mosmirënjohjen e pacipësinë dhe të mbajtur me pekule nga Evropa, patën kryeneçësinë të mendonin se ishin të çliruar nga çdo detyrim moral a politik dhe të ndjehen të aftë t’i japin duar krejt të lira ambicieve dhe kapriçove të tyre.
Rusia, si shpërblim të fitores së saj, nëpërmjet Traktatit të Shën Stefanit arriti të krijonte Bullgarinë e Madhe; i këputi Trakisë të gjithë pjesën me rëndësi në jug të maleve Ballkan, që shtrihet nga Lindja deri në Detin e Zi, ndërsa në Jug në vijën e përshkuar nga lumi Arda deri në derdhjen e tij në det; Maqedonisë, tërësinë e territorit të saj me përjashtim të qytetit të Selanikut dhe të gadishullit të Kalkidikës; Shqipërisë, një pjesë të territorit të saj lindor, i cili formonte një trekëndësh, që kishte për bazë vijën midis malit Gramoz në jug dhe qytetit të Vranjës në veri dhe për kulm bërrylin që lumi Devoll krijon duke ndërruar rrjedhjen e tij nga Lindja në Perëndim drejt Veriut.
Veçse, ky krijim doli se qe një ëndërr; para se boja e të famshmit Traktat të Shën Stefanit të thahej, Evropa e indinjuar dhe e hutuar nga situata e vështirë ku ndodhej Perandoria Osmane dhe popujt e saj etnikisht jo sllavë, ndërhyri për të shfuqizuar Traktatin e Shën Stefanit duke miratuar atë të Berlinit, i cili duke i dhënë Bullgarisë si kufij vargmalet Ballkan, la shteg në Jug për krijimin e provincës autonome të Rumelisë Lindore, me tagër për sulltanin që të pushtonte ushtarakisht grykat e Ballkanit. Ky Traktat vendosi gjithashtu angazhimin formal të Fuqive [të Mëdha] për pajisjen e provincave të tjera të Turqisë Evropiane me institucione administrative, të afta për t’i garantuar banorëve të tyre ushtrimin e lirshëm të të drejtave politike dhe civile, pa dallim race apo feje...
Sulltani edhe pse gjithmonë i kujdesshëm për interesat e Perandorisë së tij dhe për dinjitetin e një sovrani firmëtar të një akti ndërkombëtar, i braktisi në mënyrë krejt të paimagjinueshme dhe të pashpjegueshme të drejtat e tij absolute për të pushtuar grykat e Ballkanit dhe për t’i imponuar Bullgarisë detyrimet e vasalitetit të parashkruar nga Traktati (i Berlinit). Ai varrosi kështu Ligjin Organik, zbatimi i të cilit do t’i kishte siguruar popujve të tij mirëbërjet e një administrate të rregullt dhe do të kishte ruajtur unitetin dhe autoritetin e Perandorisë. Të gjithë vëmendjen dhe rreptësinë e tij ai e përqendroi mbi shqiptarët, të cilëve u imponoi nën dhunën e armëve, sakrifikimin e territoreve të tyre dhe u shtypi çdo tentativë reforme dhe çdo shprehje lirie...
Shqiptarët, pasi përjetuan pikëllimin e copëtimit të pjesshëm që Europës ju duk me vend t’u impononte trojeve të tyre në emër të paqes së përgjithshme dhe të ekuilibrit ballkanik dhe pasi u përkundën me shpresat e gënjeshtërta që Komisioni [Evropian] shprehte nëpërmjet deklaratave dhe vendimeve të tij formale, pësojnë sot një zhgënjim të ashpër, duke menduar për fatin që ju rezervon dispozita e re e adoptuar nga dy prej Fuqive firmëtare të Traktatit të Berlinit, me aprovimin e Sulltanit.
Përpara se t’i hyjmë shtjellimit të përmbajtjes së ankesave të shqiptarëve, le të na lejohet shkurtimisht të kumtojmë historikun e Ligjit Organik të parashikuar nga neni 23 i Traktatit të Berlinit.
Turqia, pasi e pat përpunuar projektin e këtij ligji mbi përmbajtjen e të cilit komisionet lokale kishin shprehur në mënyrë të rregullt opinionin e tyre, Ministria e Jashtme, nëpërmjet qarkores së 20 prillit 1880, ftoi Fuqitë firmëtare të Traktatit të Berlinit t’u jepnin udhëzimet e nevojshme delegatëve të tyre që të binin dakord me Portën e Lartë dhe kolegët osmanë për t’u takuar sa më shpejt për të dhënë mendimin mbi këtë ligj, që veç kaq priste për të hyrë në fuqi...
Delegati anglez [Lordi Fitzmaurice], i udhëhequr nga shpirti praktik që karakterizon racën e tij, u bë zëdhënësi i kolegëve të tjerë mbi këtë pikë. Duke dhënë si shembull trojet shqiptare, doket dhe nevojat e të cilave kishin nevojë për një administrim krejt të ndryshëm nga provincat e tjera, ai ngriti çështjen shqiptare, e cila u bë çështja kyç në bisedimet e Komisionit. Veçantia kombëtare e kësaj race, uniteti i saj territorial, e kaluara dhe e ardhmja e saj si dhe kushtet që do t’i siguronin një të ardhme më të mirë, qenë çështje që u shtruan dhe u diskutuan me interesin më të madh.
Lordi anglez
Lord Fitzmaurice u bë avokati më i zjarrtë i të drejtave dhe çështjes së shqiptarëve. Që gjatë takimit të parë që pati me Savas Pashën, ministrin e Jashtëm turk me origjinë greke, ai insistoi mbi nevojën dhe avantazhin që do të kishte për Perandorinë [Osmane] pasja parasysh e këtyre të drejtave. Ai shtoi se Shqipëria nuk ishte vetëm [ajo] çka nënkuptohej me këtë shprehje gjeografike, pra dy vilajetet e Shkodrës dhe të Janinës, por edhe territoret drejt Lindjes deri në vijën e maleve që ndajnë ujdhesat që përfundojnë në Adriatik dhe në detin Egje dhe që përmbledhin pjesën më të madhe të vilajetit të Manastirit dhe atë të Prishtinës në Kosovë drejt Verilindjes deri në Prishtinë dhe qytetin e Vranjës, siç tregohet në hartën e Kipertit, që konsiderohet në përgjithësi si favorizuese ndaj sllavëve dhe në hartën e Stanfordit, e përpiluar në favor të grekëve.
Më 22 korrik 1880, me anë të një letre dërguar Foreign Office, Lord Fitzmaurice nguli këmbë në opinionet e tij juridike dhe hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga serbët mbi origjinën e banorëve të Mitrovicës dhe të Kosovës. Ai përsëriti se të gjitha hartat që kishte konsultuar dëshmonin për origjinën shqiptare dhe jo sllave të këtyre rajoneve, edhe pse këto zona në shek. XVII ishin banuar nga serbë dhe ishin integruar në Mbretërinë serbe, popullsia autoktone indigjene, siç e vërteton edhe Hahn, kishte qenë e përbërë nga shqiptarët, të shpronësuar prej serbëve gjatë sundimit të këtyre të fundit.
Pas përkufizimit të qartë dhe kategorik të territoreve shqiptarë, çështja e qenësisë së tyre politike u diskutua jo me më pak vendosmëri dhe kthjelltësi. Lord Fitzmaurice, i mbështetur nga qeveria e tij dhe i asistuar nga Lordi Goschen, asokohe ambasador i Jashtëzakonshëm pranë Sulltanit, nguli këmbë pranë kolegëve të tij që të njihej si i nevojshëm krijimi i një province të madhe të Shqipërisë, e ndarë në katër vilajete apo sanxhakë: të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës dhe të Manastirit.
Kabineti i Saint James e aprovoi plotësisht mënyrën e të vepruarit të Lordit Fitzmaurice dhe pikëpamjet largpamëse të Lordit Goschen, të cilat janë paraqitur në mënyrë shumë kuptimplote në letrën që ky i fundit i dërgoi Lordit Granville, më 26 korrik 1880.
Pasi shprehu mirëkuptim të plotë ndaj mërisë së shqiptarëve të rebeluar, Zotëria e tij [Lordi Goschen] u shpreh me këto terma: «Kjo racë e moçme dhe e fisme po sheh sesi kombësia e racave të tjera fqinje gëzon mbrojtjen e Fuqive të ndryshme evropiane dhe sesi aspiratat e tyre po realizohen në kuadrin e ekzistencës së pavarur. Pa sesi bullgarët u emancipuan plotësisht në Bullgari dhe pjesërisht në Rumelinë Lindore. U ndërgjegjësua mbi dëshirën e zjarrtë të Europës për të çliruar nga zgjedha turke territoret e banuara nga grekët. Po sheh sesi sllavët në Mal të Zi po mbrohen me shumë këmbëngulje dhe entuziazëm nga perandoria e madhe sllave e Veriut*. Po kupton që Çështja Lindore po zgjidhet nëpërmjet parimit të kombësisë dhe që Gadishulli Ballkanik po ndahet gradualisht në disa raca mbi të njëjtin parim. Në këto kondita, ajo po kupton se është e vetmja që nuk po përfiton një trajtim të ngjashëm. Kombësia e saj nuk njihet dhe territoret e banuar nga shqiptarët në Veri mbahen në dispozicion të malazezëve, nën patronazhin e Rusisë, ndërsa ato në Jug në dispozicion të grekëve, nën patronazhin e Anglisë dhe të Francës».
Pas kësaj mbrojtjeje kaq të paanshme dhe të sinqertë, Lord Goschen shtjelloi avantazhet politike që një Shqipëri e fortë do t’i sillte së ardhmes dhe shtoi: «Nëse arrihet krijimi i një Shqipërie të fortë, në rast shpërbërjeje të Perandorisë Osmane nuk do të kishte më asnjë motiv pushtimi nga ana e një fuqie të huaj. Një Shqipëri e bashkuar do të pengonte kalimin nga veriu [të sllavëve] dhe do ta mbante Ballkanin në duart dhe autoritetin e popujve të tij. Në të kundërt, fuqia e shqiptarëve përbën një vështirësi të pakapërcyeshme në rast turbullirash. Një popullsi me shumicë myslimane do të ishte burim vështirësish të mëdha për rajonet sllave apo greke që e rrethojnë. Çmoj se mundësia e një ndërhyrjeje evropiane në Gadishullin Ballkanik do të zvogëlohej proporcionalisht me afirmimin e një kombësie shqiptare».
Me gjithë reagimin e rezervuar të delegatit rus dhe oponencën e delegatëve osmanë, opinioni i delegatit anglez u duk se i bindi komisarët e tjerë dhe Lord Fitzmaurice i dërgoi një njoftim Foreign Office, pa fshehur, megjithatë, dyshimet mbi qëndrimin e ardhshëm të Fuqive.
Në fakt, Austro-Hungaria ishte e para që i paraqiti ambasadorit anglez në Vjenë kundërshtitë e saj ndaj formimit të një Shqipërie të Madhe, e cila do të linte pakicën e popullsisë nën thonjtë e tiranisë së shumicës, që në këtë rast do të ishin myslimanët. Ajo shprehu dëshirën që Malësisë së Shkodrës, me një fjalë katolikëve, t’u jepej një administratë e veçantë dhe t’u garantohej mbajtja e privilegjeve ekzistuese. Franca, si mbrojtëse e katolicizmit mbështeti pikëpamjet austriake. Për pasojë, Komisioni u mjaftua me një rekomandim adresuar Portës, për të vënë në jetë një organizim të veçantë për pjesën e malësisë katolike, rekomandim që u redaktua nga delegatët e Austro-Hungarisë dhe të Francës...
Pasi firmosën projektin e Ligjit Organik, komisarët lëshuan dy deklarata, njëra prej të cilave kishte të bënte me Shqipërinë, deklaratë mbi të cilën delegati rus refuzoi të vinte firmën. Nënshkruesit e këtij dokumenti deklaronin se pranonin memorandumin e delegatëve të Austro-Hungarisë dhe të Francës mbi sanxhakun e Shkodrës dhe se shprehnin dëshirën që qeveria perandorake të kishte parasysh imunitetet e malësorëve, kur të zbatonte Rregulloren e re në territoret e tjera shqiptare. Ata shtonin se nuk do t’i kundërviheshin bashkimit të territoreve shqiptare në një vilajet të vetëm, nëse Perandoria Osmane do ta konsideronte të dobishme një gjë të tillë.
Komisari anglez duke përfituar nga objeksionet e komisarit rus mbi Shqipërinë shprehu dëshirën që kur të rifillonte punimet Komisioni i pajisur me detaje të tjera, të merrej më seriozisht me Çështjen Shqiptare. Ai bëri të ditur se këtë deklaratë e lëshonte me qëllim që shqiptarët të kuptonin se Fuqitë shfaqnin të njëjtin interes për ta si edhe për popullsitë e tjera dhe se ata nuk ishin indiferentë karshi fatit të Shqipërisë. Të gjithë delegatët e tjerë, përfshi edhe atë rus, deklaruan se ndanin të njëjtat ndjenja në raport me shqiptarët...
Shqiptarët
Veçse më kot shqiptarët dhe popullsitë e tjera shpresuan për 23 vjet rresht. E drejta i la vendin nazeve dhe zëri i ndërgjegjes publike heshti përballë mynxyrave të një personi. Pikërisht, mbështetur në kapriçot e një race [nënkupto atë bullgare] rrezik që Evropa liberale donte të evitonte me çdo çmim, dy Fuqi (nga gjashtë të implikuara) u morën vesh midis tyre për t’i imponuar Sulltanit formimin e një shteti, që i shkëpuste shqiptarëve treçerekun e territorit të tyre. Ata i fshihnin të gjithë popujve lindorë shpresën që kishin ushqyer ndaj fjalës së nderit dhe dashamirësisë së Evropës liberale.
Duke ndarë provincat perëndimore të Shqipërisë me kryeqytetin, ky formim shkëputi përfundimisht çdo lidhje dhe komunikim midis tyre. Duke i shkëputur Shqipërisë më shumë se gjysmën e popullsisë së saj dhe tre të katërtat e territorit dhe duke e rrudhur atë në një vend të vogël bregdetar me një kryeqendër midis Durrësit dhe Vlorës, që konsiston në një rrip toke prej vetëm 10 km të gjerë, qenësia kombëtare e Shqipërisë bëhet e pamundur. Këto janë faktet që revoltojnë shqiptarët...
Atë që shqiptarët po vërejnë me tmerr është se një fuqi e errët (sllave, gjermanike ose tjetër, pak rëndësi ka) po kërkon një rrugëdalje për ekspansionin e saj. Për t’u shtrirë deri në Egje dhe Adriatik, kjo Fuqi e konsideron të domosdoshme të kalojë mbi kufomën e Shqipërisë.
Shqiptarët nuk i kundërvihen vendosjes së një administrate të rregullt, mungesa e së cilës i rëndon atyre më shumë se kujtdo populli tjetër; Ata nuk i kundërvihen as reformave pa të cilat ekzistenca e tyre kombëtare nuk mund të sigurohet; ca më pak dëshirojnë zhdukjen e Perandorisë ndaj së cilës ndihen të lidhur për shumë arsye. Por, ata parapëlqejnë vdekjen më shumë se skllavërinë dhe në këtë kontekst janë gati të vdesin të gjithë për lirinë dhe kombësinë e tyre.
Me besim në drejtësinë e popujve të qytetëruar, vëllezër të parëlindur të të cilëve me krenari e mbajnë veten, ata kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen e Fuqive të Mëdha, të cilave në bazë të parimeve të drejtësisë, të shpallura nga Traktati i Berlinit, me mbledhjen e Komisionit Ndërkombëtar, azhornuar pas përpunimit të Ligjit Organik, u jepet tashmë mundësia të rivendosin drejtësinë dhe paqen në Lindje.
|