Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
#9
Kapitulli IX Marrëdhëniet Ekonomike
Neni 119 [Parimet e Përgjithshme]
1. Republika e Kosovës siguron një mjedis të favorshëm ligjor për ekonominë e tregut, lirinë e
aktivitetit ekonomik dhe sigurinë e pronës publike e private.
2. Republika e Kosovës siguron të drejta ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të
gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme.
3. Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës
dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur
këto lejohen në mënyrë eksplicite me ligj.
4. Republika e Kosovës promovon mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj duke inkurajuar
zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
5. Republika e Kosovës do të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut atëherë kur
vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik.
6. Investitorit të jashtëm i garantohet nxjerrja e lirshme e fitimit dhe kapitalit të investuar jashtë
vendit, në pajtim me ligjin.
7. Garantohet mbrojtja e konsumatorëve, në pajtim me ligjin.
8. Secili person është i obliguar të paguajë tatimet dhe kontributet e tjera të parapara me ligj.
9. Republika e Kosovës ushtron të drejtën e pronësisë mbi çdo ndërmarrje që ajo kontrollon në
pajtim me interesin publik, me qëllim që të maksimalizojë vlerën afatgjate të ndërmarrjes.
10. Shërbimet publike të detyrueshme mund të imponohen mbi këto ndërmarrje në pajtim me
ligjin, i cili duhet të përcaktojë edhe kompensimin e drejtë.
Neni 120 [Financat Publike]
1. Shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e
llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës.
2. Administrimi i politikës fiskale në të gjitha nivelet e qeverisë do të jetë në pajtim me kushtet
për inflacion të ulët dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për krijimin e vendeve të
punës.
3. Huat publike rregullohen me ligj dhe duhet të jenë në pajtim më stabilitetin ekonomik dhe
qëndrueshmërinë fiskale.
- 49 -
Neni 121 [Prona]
1. Llojet e pronës rregullohen me ligj.
2. Personat fizikë të huaj dhe organizatat e huaja mund të sigurojnë të drejta të pronësisë mbi
pronën e paluajtshme në pajtim me kushtet e arsyeshme të përcaktuara me ligj ose me
marrëveshje ndërkombëtare.
3. Personat fizikë të huaj dhe organizatat e huaja në pajtim me kushtet e arsyeshme të
përcaktuara me ligj, mund të sigurojnë të drejta të koncesionit dhe të drejta të tjera për
shfrytëzim dhe/ose eksploatim të resurseve në pronësi publike, përfshirë këtu resurset
natyrore, dhe të infrastrukturës në pronësi publike.
Neni 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore]
1. Populli i Republikës së Kosovës në pajtim me kushtet e arsyeshme të përcaktuara me ligj,
mund të gëzojë resurset natyrore të Republikës së Kosovës, por nuk mund të shkel obligimet
që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare për bashkëpunim ekonomik.
2. Pasuritë natyrore, si ujërat, hapësira ajrore, pasuritë minerare dhe pasuritë e tjera natyrore, si
dhe trualli, pyjet, bota bimore e shtazore, pjesët e tjera të natyrës, paluejtshmëria dhe të mirat
e tjera me rëndësi të veçantë kulturore, historike, ekonomike dhe ekologjike, të cilat
përcaktuar me ligj se janë përcaktuar me interes për Republikën e Kosovës, gëzojnë
mbrojtjen e tyre të veçantë, në pajtim me ligjin.
3. Kufizimet e të drejtave të pronarëve dhe të drejtave të tjera mbi eksploatimin e të mirave me
interes të veçantë për Republikën e Kosovës dhe kompensimi për kufizimet e tilla
rregullohen me ligj.
- 50 -
Kapitulli X Qeverisja Lokale dhe Organizimi Territorial
Neni 123 [Parimet e Përgjithshme]
1. E drejta e vetëqeverisjes lokale garantohet dhe rregullohet me ligj.
2. Vetëqeverisja lokale ushtrohet nëpërmjet organeve përfaqësuese të zgjedhura në zgjedhje të
përgjithshme, të barabarta, të lira e të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë.
3. Veprimtaria e organeve të vetëqeverisjes lokale bazohet në këtë Kushtetutë dhe në ligjet e
Republikës së Kosovës dhe respekton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
Republika e Kosovës merr parasysh dhe zbaton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale
në masën e kërkuar nga vendi nënshkrues.
4. Vetëqeverisja lokale bazohet në parimet e qeverisjes së mirë, transparencës, efikasitetit dhe
efektivitetit në ofrimin e shërbimeve publike, duke u kushtuar kujdes të veçantë nevojave dhe
brengave specifike të komuniteteve që nuk janë shumicë dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale]
1. Njësi themelore e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës është komuna. Komunat
gëzojnë shkallë të lartë të vetëqeverisjes lokale dhe inkurajojnë e sigurojnë pjesëmarrje
aktive të të gjithë qytetarëve në procesin e vendimmarrjes së organeve komunale.
2. Themelimi i komunave, kufijtë, kompetencat dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të
tyre, rregullohen me ligj.
3. Komunat kanë kompetenca vetanake, të zgjeruara dhe të deleguara në pajtim me ligjin.
Autoriteti shtetëror që delegon kompetencat, përballon shpenzimet për ushtrimin e delegimit.
4. Komunat kanë të drejtë për bashkëpunimin ndërkomunal dhe për bashkëpunimin ndërkufitar,
në pajtim me ligjin.
5. Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e
veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin.
6. Komunat obligohen të respektojnë Kushtetutën, ligjet, dhe të zbatojnë vendimet gjyqësore.
7. Rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e
kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën e Republikës së
Kosovës dhe me ligjin.
- 51 -
Përgjigju


Mesazhet në këtë temë
Kushtetuta e Republikës së Kosovës - nga UKI - 19.12.2024, 12:22
RE: Kushtetuta e Republikës së Kosovës - nga UKI - 19.12.2024, 13:06

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 1 Vizitorë