Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
#5
Kapitulli IV Kuvendi i Republikës së Kosovës
Neni 63 [Parimet e Përgjithshme]
Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli.
Neni 64 [Struktura e Kuvendit]
1. Kuvendi ka njëqind e njëzet (120) deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë bazuar në listat e
hapura. Vendet në Kuvend ndahen midis të gjitha partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe
kandidatëve të pavarur, në përpjesëtim me numrin e votave të vlefshme, të fituara prej tyre,
në zgjedhjet për Kuvendin.
2. Në kuadër të kësaj ndarjeje, njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120) vendeve janë të garantuara
për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovës, si vijon:
(1) partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar
se përfaqësojnë komunitetin Serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar
në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë (10) vende të garantuara, në rast se
numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë (10);
(2) partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar
se përfaqësojnë komunitetet e tjera, në Kuvend do të kenë numrin e vendeve të
fituara në zgjedhjet e hapura me minimumin e vendeve të garantuara si në vijim:
komuniteti Rom një (1) vend; komuniteti Ashkali një (1) vend; komuniteti Egjiptian
një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali, ose
Egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komuniteti Boshnjak
tri (3) vende, komuniteti Turk dy (2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend, nëse
numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të
garantuara.
Neni 65 [Kompetencat e Kuvendit]
Kuvendi i Republikës së Kosovës:
(1) miraton ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme;
(2) vendos të ndryshojë Kushtetutën me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë
deputetëve të tij, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vendet
e rezervuara dhe të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë
shumicë në Kosovë;
(3) shpall referendum, në pajtim me ligjin;
- 23 -
(4) ratifikon traktatet ndërkombëtare;
(5) miraton Buxhetin e Republikës së Kosovës;
(6) zgjedh dhe shkarkon Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit;
(7) zgjedh dhe mund të shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës në pajtim me
këtë Kushtetutë;
(8) zgjedh Qeverinë dhe shpreh mosbesimin ndaj saj;
(9) mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të
Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit;
(10) zgjedh anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të
Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë;
(11) propozon gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese;
(12) mbikëqyr politikën e jashtme dhe të sigurisë;
(13) jep pëlqimin për dekretin e Presidentit mbi shpalljen e Gjendjes së
Jashtëzakonshme;
(14) vendos për çështjet me interes të përgjithshëm, të përcaktuara me ligj.
Neni 66 [Zgjedhja dhe Mandati]
1. Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës
konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve
të zgjedhjeve.
2. Zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të
mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas
shpërndarjes.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti
i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet
pa pjesëmarrjen e Presidentit.
4. Mandati i Kuvendit të Kosovës mund të vazhdohet vetëm në raste të Gjendjes së
Jashtëzakonshme për masa emergjente të mbrojtjes ose në rast të rrezikut ndaj rendit
kushtetues ose sigurisë publike të Republikës së Kosovës, dhe vetëm për aq sa zgjat Gjendja
e Jashtëzakonshme, siç është përcaktuar me këtë Kushtetutë.
- 24 -
5. Kushtet, zonat dhe procedurat zgjedhore, rregullohen me ligj.
Neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]
1. Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë.
2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën
e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
3. Tre (3) nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me
shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
4. Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata
zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët
e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit
Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të
rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë.
5. Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me votën e shumicës prej dy të tretave
(2/3) të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
6. Kryetari dhe nënkryetarët formojnë Kryesinë e Kuvendit. Kryesia është përgjegjëse për
funksionimin administrativ të Kuvendit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës të
Kuvendit.
7. Kryetari i Kuvendit:
(1) përfaqëson Kuvendin;
(2) përcakton rendin e ditës, thërret dhe kryeson seancat;
(3) nënshkruan aktet e miratuara nga Kuvendi;
(4) ushtron edhe funksione të tjera, në bazë të kësaj Kushtetute dhe Rregullores së Punës
të Kuvendit.
8. Në rast mungese ose pamundësie për të ushtruar funksionin, Kryetarin e Kuvendit e
zëvendëson njëri nga nënkryetarët.
Neni 68 [Seancat]
1. Mbledhjet e Kuvendit të Kosovës janë publike.
- 25 -
2. Mbledhjet e Kuvendit të Kosovës mund të jenë të mbyllura me kërkesën e Presidentit të
Republikës së Kosovës, të Kryeministrit ose të një të tretës (1/3) së deputetëve, në rastet e
përcaktuara me Rregulloren e Punës të Kuvendit. Vendimi miratohet në mënyrë të hapur e
transparente dhe kërkon votën e dy të tretave (2/3) të deputetëve të Kuvendit të pranishëm
dhe që votojnë.
Neni 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi]
1. Kuvendi i Kosovës punimet vjetore i zhvillon në dy sesione.
2. Sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, kurse sesioni vjeshtor fillon të hënën
e dytë të muajit shtator.
3. Kuvendi ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve të
Kuvendit.
4. Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të Presidentit të
Republikës, të Kryeministrit ose të një të tretës (1/3) të deputetëve.
Neni 70 [Mandati i Deputetëve]
1. Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati
detyrues.
2. Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.
3. Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse:
(1) nuk bën betimin;
(2) jep dorëheqjen;
(3) emërohet anëtar i Qeverisë së Kosovës;
(4) përfundon mandati i Kuvendit;
(5) mungon gjashtë (6) muaj rresht në seancat e Kuvendit. Në raste të veçanta, Kuvendi i
Kosovës mund të vendosë ndryshe;
(6) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më
shumë vjet burgim;
(7) ajo/ai vdes.
- 26 -
4. Vendet e liruara të deputetëve në Kuvend, plotësohen menjëherë, në pajtim me këtë
Kushtetutë dhe me ligjin.
Neni 71 [Kualifikimet dhe Barazia Gjinore]
1. Secili shtetas i Republikës së Kosovës i cili është tetëmbëdhjetë (18) vjeç ose më i madh dhe
përmbush kriteret ligjore, mund të jetë kandidat për deputet.
2. Përbërja e Kuvendit të Kosovës do të respektoj parimet e barazisë gjinore të cilat janë të
pranuara në pajtim me parimet ndërkombëtare.
Neni 72 [Papajtueshmëria]
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën
publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër
ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj.
Neni 73 [Pamundësia e Kandidimit]
1. Nuk mund të kandidohen dhe as të zgjidhen deputetë të Kuvendit, pa hequr dorë paraprakisht
nga detyra e tyre:
(1) gjyqtarët dhe prokurorët;
(2) pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës;
(3) pjesëtarët e Policisë së Kosovës;
(4) pjesëtarët e Doganave të Kosovës;
(5) pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;
(6) udhëheqësit e agjencive të pavarura;
(7) përfaqësuesit diplomatikë;
(8) kryetarët dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
2. Nuk mund të kandidohen për deputetë personat e privuar nga zotësia juridike për të vepruar,
me vendim përfundimtar të gjykatës.
3. Kryetarët dhe zyrtarët e tjerë, të cilët mbajnë përgjegjësi ekzekutive në nivel komune, nuk
mund të zgjidhen si deputetë të Kuvendit pa hequr dorë paraprakisht nga detyra e tyre.
- 27 -
Neni 74 [Ushtrimi i Funksionit]
Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të
Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së
Kuvendit.
Përgjigju


Mesazhet në këtë temë
Kushtetuta e Republikës së Kosovës - nga UKI - 19.12.2024, 12:22
RE: Kushtetuta e Republikës së Kosovës - nga UKI - 19.12.2024, 12:27

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 1 Vizitorë