Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
#4
Neni 46 [Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti
publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim
është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik
ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm
dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së
Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata
kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Neni 47 [E Drejta për Arsimin]
1. Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm
rregullohen me ligj dhe financohet nga fondet publike.
2. Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas
aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj.
- 15 -
Neni 48 [Liria e Artit dhe e Shkencës]
1. Liria e krijimtarisë artistike dhe shkencore është e garantuar.
2. Liria akademike është e garantuar.
Neni 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]
1. E drejta e punës garantohet.
2. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.
Neni 50 [Të Drejtat e Fëmijës]
1. Fëmijët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për mirëqenien e tyre.
2. Fëmijët e lindur jashtë martese, kanë të drejta të barabarta me të lindurit në martesë.
3. Secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe eksploatimi.
4. Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e
pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.
5. Secili fëmijë gëzon të drejtën për raporte të rregullta personale dhe kontakte të drejtpërdrejta
me prindërit e vet, me përjashtim kur institucioni kompetent përcakton se një gjë e tillë është
në kundërshtim me interesat më të mira të fëmijës.
Neni 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale]
1. Kujdesi shëndetësor dhe sigurimi social rregullohen me ligj.
2. Sigurimi social themelor, që ka të bëjë me papunësinë, sëmundjen, aftësitë e kufizuara dhe
moshën e shtyrë, rregullohet me ligj.
Neni 52 [Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor]
1. Natyra dhe biodiversiteti, mjedisi jetësor dhe trashëgimia kombëtare, janë përgjegjësi për
secilin.
2. Institucionet e pushtetit publik angazhohen për t’i garantuar secilit mundësinë që të ndikojë
në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton.
- 16 -
3. Ndikimi në mjedisin jetësor merret parasysh nga institucionet publike në procesin e marrjes
së vendimeve.
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni
me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të
drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse
konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Neni 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore]
1. Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm
me ligj.
2. Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm
deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të
përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi.
3. Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, nuk mund të
bëhen për qëllime të tjera, përveç atyre për të cilat janë përcaktuar.
4. Me rastin e kufizimit të të drejtave të njeriut dhe interpretimit të atyre kufizimeve, të gjitha
institucionet e pushtetit publik, dhe sidomos gjykatat, e kanë për detyrë t’i kushtojnë kujdes
esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të
kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe të shqyrtojnë
mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël.
5. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me këtë Kushtetutë, nuk bën të mohojë kurrsesi
esencën e së drejtës së garantuar.
Neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme]
1. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm
pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në
masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna.
- 17 -
2. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31,
33, 34, 37 dhe 38, të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash.
- 18 -
Kapitulli III Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre
Neni 57 [Parimet e Përgjithshme]
1. Banorët që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar, tradicionalisht
të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës (Komunitetet), gëzojnë të drejta të
veçanta, të përcaktuara me këtë Kushtetutë, krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut,
të përcaktuara në Kapitullin II të kësaj Kushtetute.
2. Çdo pjesëtar i komunitetit do të ketë të drejtën që të zgjedhë lirisht nëse do të trajtohet ose të
mos trajtohet si pjesëtar i komunitetit dhe nga kjo zgjedhje ose nga ushtrimi i të drejtave që
ndërlidhen me këtë zgjedhje, nuk do të rezultojë asnjë diskriminim.
3. Pjesëtarët e komuniteteve do të kenë të drejtë që të shprehin, të avancojnë dhe të zhvillojnë
lirisht identitetin dhe atributet e tyre si komunitet.
4. Ushtrimi i këtyre të drejtave do të bartë me vete detyrimet dhe përgjegjësitë për të vepruar në
pajtim me ligjin e Republikës së Kosovës, dhe nuk i cenon të drejtat e të tjerëve.
Neni 58 [Përgjegjësitë e Shtetit]
1. Republika e Kosovës siguron kushtet e duhura, të cilat u mundësojnë komuniteteve dhe
pjesëtarëve të tyre që të ruajnë, të mbrojnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre. Qeveria do të
përkrahë veçanërisht nismat kulturore të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, përfshirë këtu
edhe nëpërmjet ndihmës financiare.
2. Republika e Kosovës do të promovoj frymën e tolerancës, dialogut dhe do të mbështesë
pajtimin ndërmjet komuniteteve dhe do të respektoj standardet e përcaktuara me Konventën
Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe me Kartën
Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave.
3. Republika e Kosovës do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personat të
cilët mund t’u nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë a dhunës,
si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar.
4. Republika e Kosovës, sipas nevojës, do të miratojë masa adekuate për të promovuar një
barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës
ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Masat e tilla nuk do të konsiderohen të jenë
vepër e diskriminimit.
5. Republika e Kosovës do të promovoj ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të të gjitha
komuniteteve, si pjesë përbërëse e trashëgimisë së Kosovës. Republika e Kosovës do të ketë
detyrë të posaçme për të siguruar mbrojtjen efektive të tërësisë së objekteve dhe
monumenteve të rëndësisë kulturore dhe fetare për komunitetet.
- 19 -
6. Republika e Kosovës ndërmerr veprime efektive kundër të gjithë atyre që pengojnë gëzimin e
të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve. Republika e Kosovës do të përmbahet nga
politikat ose praktikat që kanë për qëllim asimilimin, kundër vullnetit të tyre, të personave që
u përkasin komuniteteve, dhe do t’i mbrojë ata persona nga çfarëdo veprimi që ka për qëllim
një asimilim të tillë.
7. Republika e Kosovës siguron, në baza jodiskriminuese, që të gjitha komunitetet dhe
pjesëtarët e tyre të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre, të specifikuara me këtë Kushtetutë.
Neni 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre]
Pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që, në mënyrë individuale ose si komunitet:
(1) të shprehin, mbajnë dhe zhvillojnë kulturën e tyre dhe të ruajnë elementet thelbësore
të identitetit të tyre, përkatësisht fenë, gjuhën, traditat dhe kulturën e tyre;
(2) të marrin arsimim publik në të gjitha nivelet, në njërën nga gjuhët zyrtare të
Republikës se Kosovës, sipas zgjidhjes së tyre;
(3) të marrin arsimim publik parafillor, fillor dhe të mesëm, në gjuhën e tyre, deri në
masën e përcaktuar me ligj, ku pragu për themelimin e paraleleve a shkollave të
veçanta për këtë qëllim, do të jetë më i ulët sesa ai që përcaktohet rëndom për
institucionet arsimore;
(4) të themelojnë dhe të menaxhojnë institucionet private të arsimit dhe trajnimit, për të
cilat mund të jepet ndihma financiare publike, në pajtim me ligjin dhe standardet
ndërkombëtare;
(5) të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre lirisht në jetën private dhe publike;
(6) të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre në marrëdhëniet e tyre me autoritetet
komunale ose me zyrat lokale të autoriteteve qendrore në fushat në të cilat ata
përfaqësojnë një pjesë të mjaftueshme të popullatës, në pajtim me ligjin.
Shpenzimet e bëra për interpretuesit ose përkthyesit, do të mbulohen nga autoritetet
kompetente;
(7) të përdorin dhe të shfaqin simbolet e komunitetit, në pajtim me ligjin dhe standardet
ndërkombëtare;
(8) të regjistrojnë emrat personal në formën e tyre origjinale dhe në shkrimin e gjuhës
së tyre, si dhe emrat e tyre t’i kthejnë në formën origjinale, nëse u janë ndryshuar
me dhunë;
- 20 -
(9) të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që
pasqyrojnë dhe janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të
zonës përkatëse;
(10) të kenë qasje të garantuar dhe përfaqësim të veçantë në mediet transmetuese publike
si dhe programet në gjuhën e tyre, në pajtim me ligjin dhe standardet
ndërkombëtare;
(11) të krijojnë dhe të përdorin mediet e tyre vetjake, përfshirë këtu ofrimin e
informacioneve në gjuhën e tyre, ndër të tjera, përmes gazetave ditore e shërbimeve
kabllore, dhe përdorimin e një numri të rezervuar të frekuencave për mediet
elektronike, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Republika e
Kosovës do të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e një plani
ndërkombëtar të frekuencave, për t’i mundësuar komunitetit Serb në Kosovë qasje
në një kanal televiziv të pavarur, të licencuar në gjuhën Serbe, në mbarë Republikën
e Kosovës;
(12) të gëzojnë kontakte të papenguara ndërmjet tyre përbrenda Republikës së Kosovës,
dhe të themelojnë e të mbajnë kontakte të lira dhe paqësore me personat në cilindo
shtet, sidomos me ata që kanë të përbashkët identitetin etnik, kulturor, gjuhësor a
fetar, ose trashëgiminë e përbashkët kulturore, në pajtim me ligjin dhe standardet
ndërkombëtare;
(13) të gëzojnë kontakte të papenguara me dhe të marrin pjesë, pa diskriminim, në
aktivitetet e organizatave joqeveritare lokale, rajonale dhe ndërkombëtare;
(14) të themelojnë shoqata të kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe shoqata të
studiuesve e shoqata të tjera për shprehjen, avancimin dhe zhvillimin e identitetit të
tyre.
Neni 60 [Këshilli Konsultativ për Komunitete]
1. Një Këshill Konsultativ për Komunitete vepron nën autoritetin e Presidentit të Republikës së
Kosovës, në të të cilin përfaqësohen të gjitha komunitetet.
2. Këshilli Konsultativ për Komunitete përbëhet, përveç të tjerësh, nga përfaqësues të
asociacioneve të komuniteteve.
3. Mandati i Këshillit Konsultativ për Komunitete përfshin:
(1) ofrimin e një mekanizmi për shkëmbimin e rregullt ndërmjet komuniteteve dhe
Qeverisë së Kosovës;
(2) mundësinë e komuniteteve për të komentuar në një fazë të hershme nismat legjislative
dhe politike, të cilat mund të përgatiten nga Qeveria, për të sugjeruar nisma të tilla
- 21 -
dhe për të kërkuar që pikëpamjet e tyre të përfshihen në projektet dhe programet
përkatëse;
(3) çdo përgjegjësi a funksion tjetër, në pajtim me ligjin.
Neni 61 [Përfaqësimi në Punësim në Institucionet Publike]
Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre do të kenë të drejtë për përfaqësim të barabartë në punësim në
organet publike dhe ndërmarrjet publike në të gjitha nivelet, përfshirë këtu veçanërisht në
shërbimin policor në zonat e banuara me komunitetin përkatës, duke respektuar në të njëjtën
kohë rregullat që kanë të bëjnë me kompetencën dhe integritetin e qeverisjes së administratës
publike.
Neni 62 [Përfaqësimi në Organet e Pushtetit Lokal]
1. Në komunat në të cilat së paku dhjetë për qind (10%) të banorëve u përkasin komuniteteve,
të cilat në ato komuna nuk janë shumicë, posti i zëvendëskryetarit për komunitete të kuvendit
të komunës do të rezervohet për një përfaqësues nga radhët e këtyre komuniteteve.
2. Postin e zëvendëskryetarit do ta mbajë kandidati që i përket popullatës që nuk është shumicë,
që ka marrë shumicën e votave në listën e hapur të kandidatëve për zgjedhje për kuvendin e
komunës.
3. Zëvendëskryetari për komunitetet, do të promovojë dialog ndërmjet komuniteteve dhe
shërben si pikë formale e kontaktit për adresimin e brengave dhe interesave të komuniteteve
që nuk janë shumicë në takimet e kuvendit të komunës dhe në punët e saj. Zëvendëskryetari
gjithashtu është përgjegjës për shqyrtimin e ankesave që parashtrohen nga komunitetet ose
pjesëtarët e tyre, nëse aktet a vendimet e kuvendit të komunës shkelin të drejtat e tyre të
garantuara me Kushtetutë. Zëvendëskryetari këto çështje i’a referon kuvendit të komunës,
për rishqyrtimin e aktit a të vendimit të marrë.
4. Në rast se kuvendi i komunës vendos që të mos rishqyrtojë aktin a vendimin e vet, ose nëse
zëvendëskryetari vlerëson se, edhe pas rishqyrtimit rezultati përbën shkelje të të drejtave të
garantuara me Kushtetutë, ai/ajo mund të parashtrojë çështjen drejtpërdrejt në Gjykatën
Kushtetuese, e cila mund të vendosë nëse do të pranojë ta shqyrtojë rastin përkatës.
5. Në këto komuna përfaqësimi në organin ekzekutiv për komunitetet që nuk janë shumicë në
Republikën e Kosovës është i garantuar.
- 22 -
Përgjigju


Mesazhet në këtë temë
Kushtetuta e Republikës së Kosovës - nga UKI - 19.12.2024, 12:22
RE: Kushtetuta e Republikës së Kosovës - nga UKI - 19.12.2024, 12:27

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 1 Vizitorë