Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
#3
Neni 23 [Dinjiteti i Njeriut]
Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore
të njeriut.
Neni 24 [Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë
ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë
komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së
kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për
mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të
pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë
ato.
Neni 25 [E Drejta për Jetën]
1. Secili individ gëzon të drejtën për jetën.
2. Dënimi me vdekje është i ndaluar.
Neni 26 [E Drejta e Integritetit Personal]
Secili person gëzon të drejtën e respektimit të integritetit fizik dhe psikik të tij/saj, që përfshin:
(1) të drejtën që të marrë vendime lidhur me reprodukimin, sipas rregullave dhe
procedurave të përcaktuara me ligj;
(2) të drejtën që të ketë kontroll mbi trupin e saj/tij në pajtim me ligjin;
(3) të drejtën që të mos i nënshtrohet trajtimit mjekësor kundër vullnetit të tij/saj në
pajtim me ligjin;
(4) të drejtën që të mos marrë pjesë në eksperimente mjekësore ose shkencore, pa
pëlqimin paraprak të saj/tij.
- 8 -
Neni 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues]
Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
Neni 28 [Ndalimi i Skllavërisë dhe i Punës së Detyruar]
1. Askush nuk mund të mbahet në skllavëri ose në pozitë të ngjashme me skllavërinë.
2. Askush nuk mund të shtrëngohet për të kryer punë të detyruar. Punë e detyruar nuk
konsiderohet puna ose shërbimi i përcaktuar me ligj për personat e dënuar me vendim të
formës së prerë gjatë vuajtjes së dënimit ose në raste të Gjendjes së Jashtëzakonshme, të
shpallur sipas rregullave të përcaktuara me këtë Kushtetutë.
3. Trafikimi i qenieve njerëzore është i ndaluar.
Neni 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me
përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
(1) pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një
bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një
vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në
mënyrën e përcaktuar me ligj;
(3) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij/saj në një
institucion kompetent, sipas një urdhri të ligjshëm;
(4) për mbikëqyrje shëndetësore të personit, i cili për shkak të sëmundjes paraqet rrezik
për shoqërinë;
(5) për hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës ose pas urdhrit të ligjshëm për
largim ose ekstradim.
2. Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në
gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më
shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda
dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose
lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është
sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një
periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari
- 9 -
konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para
gjykimit.
3. Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë
deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj dhe ka të drejtë që pa
vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.
4. Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike
për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda
një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet
lirimi i personit.
5. Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të
drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.
6. Personi që vuan dënimin, ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit nga liria, në mënyrën
e përcaktuar me ligj.
Neni 30 [Të Drejat e të Akuzuarit]
Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
(1) të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër
saj/tij;
(2) të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
(4) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të
cilën zhvillohet gjykimi;
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk
ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
(6) të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve
të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- 10 -
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet
për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një
afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta,
konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i
përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose
sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në
proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë
paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët
mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet
fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare,
nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat
dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 32 [E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe
administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale]
1. Askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër e cila, në momentin e kryerjes,
nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale, me përjashtim të veprave të cilat, në kohën
e kryerjes së tyre, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbënin gjenocid, krime lufte ose krime
kundër njerëzimit.
2. Dënimi i shqiptuar për një vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ka qenë i
përcaktuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës.
3. Ashpërsia e dënimit nuk mund të jetë në disproporcion me veprën penale.
4. Dënimet përcaktohen në bazë të ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës
penale, me përjashtim të veprave për të cilat ligji i mëvonshëm i aplikueshëm është më i
favorshëm për kryesin e veprës.
- 11 -
Neni 34 [E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër]
Askush nuk mund të gjykohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale.
Neni 35 [Liria e Lëvizjes]
1. Shtetasit e Republikës së Kosovës dhe të huajt që janë banorë të ligjshëm të Kosovës, kanë të
drejtë të lëvizin lirisht në Republikën e Kosovës dhe të zgjedhin vendbanimin.
2. Secili person ka të drejtë të largohet nga vendi. Kufizimet e kësaj të drejte rregullohen me
ligj, nëse ato janë të nevojshme për procedurën ligjore, zbatimin e vendimit të gjykatës ose
për të përmbushur obligimin për mbrojtjen e shtetit.
3. Shtetasve të Republikës së Kosovës nuk do t’u ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës.
4. Shtetasit e Republikës së Kosovës nuk mund të ekstradohen nga Kosova kundër vullnetit të
tyre, me përjashtim të rasteve kur me ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare është përcaktuar
ndryshe.
5. E drejta e të huajve për të hyrë në Republikën e Kosovës dhe për t’u vendosur në vend,
rregullohet me ligj.
Neni 36 [E Drejta e Privatësisë]
1. Çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e
banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera.
2. Kontrollet e cilësdo banese ose cilitdo objekti privat, që mendohet se janë të domosdoshme
për hetimin e krimit, mund të bëhen vetëm deri në shkallën e domosdoshme dhe vetëm pas
miratimit nga ana e gjykatës, pas shpjegimit të arsyeve pse një kontroll i tillë është i
domosdoshëm. Shmangia nga kjo rregull lejohet, nëse është e domosdoshme për arrestim të
ligjshëm, për mbledhjen e provave që ka rrezik të humbasin ose për mënjanimin e rrezikut të
drejtpërdrejtë dhe serioz për njerëzit dhe për pasuri, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Gjykata
duhet që të miratoj veprimet e tilla në mënyrë retroaktive.
3. Fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër, është e drejtë e
pacenueshme. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të vendimit
gjyqësor, nëse është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale ose për mbrojtjen e
vendit, në mënyrën e parashikuar me ligj.
4. Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale. Mbledhja, ruajtja, qasja,
korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre rregullohet me ligj.
- 12 -
Neni 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes]
1. Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë
familje në pajtim me ligjin.
2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve.
3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj.
Neni 38 [Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë]
1. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar.
2. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të
manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose
refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar.
3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të
marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj.
4. Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një
gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të
të drejtave të personave të tjerë.
Neni 39 [Konfesionet Fetare]
1. Republika e Kosovës siguron dhe mbron autonominë fetare dhe monumentet fetare brenda
territorit të saj.
2. Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm,
veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare.
3. Konfesionet fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirëse në
pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
Neni 40 [Liria e Shprehjes]
1. Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të
shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga
askush.
- 13 -
2. Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme
për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes
racore, kombëtare, etnike ose fetare.
Neni 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike]
1. Secili person gëzon të drejtën të qasjes në dokumente publike.
2. Dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet e pushtetit shtetëror, janë publike,
me përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj, për shkak të privatësisë, të
sekreteve afariste ose të informacioneve të klasifikuara të sigurisë.
Neni 42 [Liria e Medieve]
1. Garantohet liria dhe pluralizmi i medieve.
2. Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të
ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme
për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes
racore, kombëtare, etnike ose fetare.
3. Çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të
publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin.
Neni 43 [Liria e Tubimit]
Liria e tubimit paqësor është e garantuar. Secili person gëzon të drejtën për të organizuar tubime,
protesta dhe demonstrata, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to. Këto të drejta mund të
kufizohen me ligj, nëse është e domosdoshme për të siguruar rendin publik, shëndetin publik,
sigurinë kombëtare, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
Neni 44 [Liria e Asociimit]
1. Liria e asociimit është e garantuar. Liria e asociimit ngërthen të drejtën e secilit për të
themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë
anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitete të një organizate.
2. Liria për të themeluar sindikata dhe për t’u organizuar, me qëllim që të mbrohen interesat,
është e garantuar. Kufizimi i kësaj të drejte mund të bëhet me ligj për kategori të veçanta të
punonjësve.
- 14 -
3. Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive
dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund të
ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente.
Neni 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes]
1. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe
ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.
2. Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
3. Institucionet shtetërore mbështesin mundësitë për pjesëmarrjen e çdonjërit në aktivitete
publike dhe të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve
publike.
Përgjigju


Mesazhet në këtë temë
Kushtetuta e Republikës së Kosovës - nga UKI - 19.12.2024, 12:22
RE: Kushtetuta e Republikës së Kosovës - nga UKI - 19.12.2024, 12:25

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 1 Vizitorë