Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
Ismail Bej Vlora (Qemali) [1844-1919]
#18
Darling Ismail Vlora

Shpërthimi i Revolucionit xhon-turk (1908) e gjeti Ismail Qemalin në Prais. Ishte ora 1 e natës së 22 korrikut, kur i ngarkuari me punë i Turqisë, Muhedin beu, do t’i dorëzonte telegramin urgjent të Sulltanit: “Në se koha d’o ta lejonte do të kisha dërguar njeriun tim të besuar, Iljaz beun, për të biseduar me Ismail Qemal Beun mbi masat që duhet të merren në këtë kohë kritike. Shkoni pa humbur kohë tek Ai dhe lutju të shkruaj ç’mendon dhe më njofto menjëherë telegrafisht... I dorëzova përfaqësuesit të Sulltanit, shkruan Ismail Qemali, -përgjigjen që këshillonte Madhërinë e Tij të shpallte pa asnjë vonesë Kushtetutën, si e vetmja rrugë e sigurtë për të grumbulluar rreth fronit të tij të gjithë popujt e Perandorisë...”(1). Dy ditë më vonë, më 24 korrik 1908, Abdul Hamidi II, pasi kishte mbretëruar plot 32 vite në mënyrën më absolute, rishpalli Kushtetunën dhe lejoi mbledhjen e Parlamentit.
Kushtetuta e Perandorisë Osmane ishte hartuar më 1876, nga reformatori i madh Mit’hat Pasha, me të cilin Ismail Qemali kishte bashkëpunuar për një kohë të gjatë, dhe u shpall po atë vit. Një nga idetë e Mit’hat Pashës, emëruar për të dytën herë Vezir i Madh, më 1876, ishte krijimi i një Vilajeti shqiptar ndaj dhe artikulli 108 i kësaj Kushtetute pranonte që “Administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit”(2). Fatkeqësisht, pak muaj pas emërimit, reformatori i madh turk u arrestua, u dëbua nga Turqia dhe, më vonë u vra. Kushtetuta, e cila kishte për qëllim forcimin e Perandorisë, mbeti e pazbatuar deri më 1908. Për idetë e tij liberale dhe bashkëpunimin me Mit’hat Pashën, që binin ndesh me regjimin absolutist të Abdul Hamid-it IItë, Ismail Qemali vuajti 7 vite internim (1877-1884). Më 1897 ai i paraqiti një “Promemorie” Sulltanit, ku i sugjeronte që të ndërmerte reforma të menjëhershme për të shpëtuar Perandorinë nga “fundi shumë tragjik”. Për të vënë në jetë këto reforma Ismail Qemali e këshillonte Abdul Hamid-in që të vinte në zbatim, pa asnjë vonesë, Kushtetutën e vitit 1876(3). Duke u përpjekur për forcimin e Perandorisë, Ismail Qemali tërthorazi mbronte edhe tërësinë territoriale të atdheut të tij. “Promemoria” iu dërgua fshehtas shtypit europian, nga vetë Ismail Qemali, dhe u publikua e plotë në “Le Temps”, të Parisit, më 8 prill 1897, ndërsa “The Times” i Londrës, në të njëjtën ditë, publikoi një përmbledhje të gjatë të saj(4). Idetë liberale dhe këmbëngulja e vazhdueshme për zbatimin e reformave që do ndihmonin në përparimin e Perandorisë Osmane, mbështetur në një politikë të hapur me vendet e zhvilluara europiane dhe sidomos me Anglinë, të cilën ai e shihte si një fuqi që kërkonte ta ndihmonte miqësisht Perandorinë, në periudhën e vështirë që po kalonte, solli si pasojë acarimin e marrëdhënieve të tij me sulltan Abdul Hamid-in, i cili gjatë gjithë jetës e çmoi por edhe ia pati frikën burrit të ardhshëm të shtetit shqiptar. Në prill të vitit 1900 Sulltani e emëroi Guvernator të Përgjithshëm në Tripoli. Duke dyshuar në një internim ose eleminim të mundshëm, gjë që kishte ndodhur me shumë elementë përparimtarë në Perandori, dhe sidomos me Mit’hat Pashën, Ismail Qemali kërkoi strehim politik në një luftanije angleze. Më 1 maj 1900, së bashku me tre nga djemtë e tij: Et’hem bej, Xhevdet bej dhe Qazim bej, në bordin e anijes egjyptiane “Salamander”, Ismail Qemali u arratis nga Turqia dhe, deri më 1908, jetoi në qytete të ndryshme të Europës si Bruksel, Romë, Paris, Londër, Athinë, etj., ku zhvilloi një aktivitet të dendur në mbrojtje të çështjes shqiptare.
Menjëherë pas fitores së revolucionit xhon-turk dhe shpalljes së Hyrjetit (Lirisë) populli i Vlorës ngriti një Komision për të ftuar Ismail Qemalin në Atdhe dhe për ta zgjedhur përfaqësues në Parlamentin turk. Pritja që i bëri populli, më 18 shtator 1908, ditën që Ismail Qemali erdhi në Vlorë, pas 8 vjet emigrimi politik, mori pamjen e një manifestimi patriotik madhështor. Një panoramë të qartë të kësaj dite na jep konsulli austro-hungarez, Kraus, i cili, në një relacion që i dërgonte Ministrit të Jashtëm në Vjenë, ndër të tjera i shkruante:
“Vlorë, më 20.09.1908,
...Ismail Qemal beu arriti këtu me vaporin e Lloyd-it të vijës dalmatino-shqiptare, i shoqëruar prej një delegacioni të pritjes prej 39 vetëve, të cilët prej Vlore i kishin dalë përpara për ta pritur në Korfuz. Në Skelë ishte mbledhur një mori njerëzish prej shumë mijëra vetësh të ardhur prej qyteteve dhe prej fshatërave përqark. Moloja ishte e stolisur me shumë flamurë. Mastet dhe shtyllat ishin të dekoruara me pëlhura me bojrat kombëtare kuq e zi. Në vendin ku moloja bashkohet me tokë, dhe në hyrjen e qytetit ngriheshin flamurë dhe në të dy anët ishin vendosur tabella me anë të praruara, të cilat të kompozuara në gjuhën turqishte dhe në gjuhën shqipe përmbanin përshëndetjen e mirëseardhjes për Ismail Qemalin si yll i Shqipërisë, dhe shkrime të tjera patriotike. Padishahu nuk kujtohesh me asnjë shkronjë. Kur vapori i Lloyd-it hyri në liman, vapori i shoqërisë akcionare të lundrimit “Hamburg”, që ndodhesh në liman, zbrazi tri të shtëna përshëndetje, më vonë u zbrazën në qytet gjithashtu tri salutime, dhe kambana e kishës ortodokse...
Për festimin e ditës të gjithë dyqanet mbetën të mbyllur. Ismail Qemali u muarr nga vapori prej pjesëtarëve të familjes Vlora që jetojnë këtu, Surja beu dhe Xhemil beu. Kur të përmendurit hipën në urën e Skelës, Kryetari i Bashkisë Abas efendi Mezini, mbajti një fjalim në gjuhën turqishte, me të cilin ai i bëri përshëndetjen, dhe në emër të qytetit i uroj përzemërsisht mirëseardhjen, lavdëroi patriotizmin fisnik të tij, e siguroi atë për respektin, dashurinë dhe mirënjohjen e bashkëatdhetarëve të tij dhe e përfundoi me një urra për personin e nderuar.
Pastaj mjeku Koleka dhe mësuesi në shkollën greke Minga mbajtën fjalime patriotike në gjuhën shqipe. Më në fund djali i vogël i një banorit të krishter recitoi një vjershë të rastit në gjuhën shqipe dhe i dorëzoi Ismail Qemali beut një tufë me lule, të cilin ai e puthi në ballë.
Si përgjigje të të gjithë këtyre fjalimeve të drejtuara atij, Ismail Qemal beu gjeti vetëm fjalët: “Rroftë lirija! Rroftë vëllazërimi! Rroftë bota!” dhe pastaj i hipi një karroce që ishte mbuluar me një mbulesë të mëndafshtë të kuqe. Sapo ai, fill i vetëm, kishte zenë vend në të, turma e entusiazmuar, hoqi kuajt dhe e çoi karrocën në triumf gjatë gjithë rrugës, prej afro 2km deri në qytet...
Për t’u theksuar do të ishte gjithashtu, se duke udhëtuar prej Skelës në qytet, u mbante në mes përpara një flamur shqiptar me zhgabën dykrenore që mbante në krahëror një kryq dhe gjysëm hënëz...”(5).

Pasi fitoi në zgjedhjet, si deputet i sanxhakut të Beratit, në nëndor 1908, 8 vjet pasi ishte larguar nga kryeqyteti i Perandorisë, Ismail Qemali u kthye sërish në Stamboll. Edhe këtu, pritja që i bëri kolonia e shqiptarëve dhe miqtë e tij ishte madhështore. Patrioti dhe poeti vlonjat Ali Asllani, i pranishëm në këtë pritje, ka shkruan në shënimet e tij se “Ditën që po kthehej Ismail Qemali nga mërgimi në Stamboll (pas hyrietit), të gjithë pjestarët e familjes së tij bashkë me djalin e tij më të vogël, Qamilin, të cilin e kishte lënë 4-vjeç para se të arratisej, u nisën me araba për në molo. Gruaja e tij me lot gëzimi në sy po priste çastin që të përqafonte burrin e saj dhe t’i hidhte në krahë të tij djalin më të vogël që po priste me padurim të pushtonte babën e tij që po kthehej nga mërgimi. Nga shkaku i grumbullimit të mijëra e mijëra shqiptarëve që kishin pllakosur gjithë skelën e Kara Köy-t, arabaja që mbante familjen e Ismail Qemalit nuk mund të përparonte dhe mbeti e bllokuar midis kallaballëkut. Me t’u afruar vapori rumun skelës, u duk plaku me mjekër të bardhë në guvertë të vaporit. Shqiptarët e muarën Ismail Qemalin krah më krah dhe e çuan në klubin e shqiptarëve prej ku vetëm pas një jave mundi të vinte pranë familjes së vet”(6).
Një foto e pritjes që populli i Vlorës i bëri Ismail Qemalit, më 18 shtator 1908, me diçiturën “Carroza d’Ismail V.Kemal Bey tirata dal popolo di Valona” (Karroca e Ismail V.Qemal Beut tërhequr nga populli i Vlorës) qarkulloi edhe si kartolinë postale dhe, sigurisht, është kartolina e parë me një foto të Ismail Qemalit.

Referenca
(1) “Ismail Kemal Vlora – Memorie”, Roma 1992, f.263. (përktheu nga anglishtja: Nermin Vlora Falaschi).
(2) Koli Xoxi “Ismail Qemali”, Tiranë 1983, f.63.
(3) Teuta Hoxha “Ismail Qemali - Përmbledhje dokumentash”, Tiranë 1982, dok.1, f.13.
(4) “Les Cahiers de la Turquie: Rapport adressé à S.M.I. le sultan par Ismail Kemal bey, ancien gouverneur général de Tripoli, daté du 12/24 Février 1312/1897”, “Le Temps”, Paris 8 Prill 1897.
Për shkak të reagimit të fortë që shkaktoi publikimi i “Promemories”, policia turke, për të bllokuar përhapjen në Turqi, bleu të gjitha kopjet e gazetës “Le Temps”, që ishin në qarkullim. Megjithatë, pjesa më e madhe e tirazhit, u shit nën dorë për 5 franga kopja (një kopje kushtonte vetëm 15-20 cent). [“Le Temps”, Paris, 21 prill 1897, faqe 2]
(5) Bardhosh Gaçe “Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1872-1912”, Tiranë 1999, dok.25, f.75.
(6) Bardhosh Gaçe “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, Tiranë 1997, f.9.
Përgjigju


Mesazhet në këtë temë
Ismail Bej Vlora (Qemali) [1844-1919] - nga UKI - 19.12.2024, 11:17
RE: Ismail Bej Vlora (Qemali) [1844-1919] - nga UKI - 19.12.2024, 11:37

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 5 Vizitorë