Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
Ismail Bej Vlora (Qemali) [1844-1919]
#14
Pinjollët e përndjekur të Ismail Qemalit

Unë gjithashtu di

Pak ditë para kremtimit të 95-vjetorit të ngritjes së flamurit në Vlorë, që shënoi edhe shpalljen e pavarësisë, njëri prej pinjollëve të familjes së plakut të urtë të Vlorës, solli në adresën e "Kontakt", një studim të detajuar. Jo për kontributin e familjes Vlora, për të cilin di i madh e i vogël, por për anën e errët: si u përndoq kjo familje nga rregjimet e shekullit të kaluar. Darling Vlora, është njëri prej të afërmve të Ismail Qemalit, që sjell për lexuesit e "Shekulli"-t, historitë tragjike që përjetuan pasardhësit e Ismail Bej Vlorës.

Më 28 nëntor, këtë ditë të shënuar të historisë sonë, kujtimi i mbarë shqiptarëve shkon në atë ditë kur Ismail Qemali, rrethuar nga një grup patriotësh dhe mbështetur nga mbarë populli, sfiduan kohën dhe armiqtë shekullorë të vendit për të Shpallur Pavarësinë e Shqipërisë, kombit më të lashtë të Ballkanit. Janë të paktë ata shqiptarë që nuk njohin veprën e madhe të Ismail Qemalit por, fatkeqësisht, janë fare të paktë ata që njohin vuajtjet që kaloi familja e tij, djemtë dhe nipërit, gjatë periudhës së egër komuniste. Ana tragjike e historisë së njërës prej familjeve shqiptare, që luajti një rol të rëndësishëm në vendin tonë, nga gjiri i së cilës dolën personalitete të shumtë që i dhanë nder e lavdi kombit, që nga Ghazi Sinan Pasha (The Great) e deri tek Heroi i Pavarësisë, Ismail Qemal bej Vlora. Është një histori e mohuar, e denigruar; një luftë e egër dhe e paturpshme klasore ndaj pinjollëve të saj, ndaj djemve dhe nipërve të Atij që, nga mbarë shqiptarët, quhej Ati i Kombit.

Qamil Ismail bej Vlora

Qamil Vlora (1895-1950) ishte i vetmi, nga gjashtë djemtë e Ismail Qemalit, që jetoi në Shqipëri edhe gjatë periudhës komuniste. Ishte i vetmi nga djemtë e tij që njëkohësisht u përndoq nga Mbreti Zog, duke u detyruar të emigronte për 8 vjet, dhe u dënua nga regjimi komunist me burgim, për të vetmin faj se donte të jetonte i lirë, pa u përzier me vijën politike komuniste. Sigurisht ai do kishte provuar të njëjtin fat nga çdo lloj regjimi diktatorial që do ishte instaluar në vendin tonë, pasi të tillë regjime kanë nevojë për instrumente që t'i përdorin në dobi të tyre, por që Qamil Vlora, i brumosur me patriotizëm dhe atdhedashuri, nuk mund të bëhej kurrsesi vegël në duart e një qeverie apo individi të veçantë, dhe historia e tij e hidhur vërtetoi këtë fakt.

Më 1900 Ismail Qemali u arratis nga Stambolli vetëm me tre nga gjashtë djemtë e tij. Qamili 5-vjeçar qëndroi pranë nënës në Turqi, së bashku me dy vëllezërit e mëdhenj, Mahmud dhe Tahir, të cilët, në atë periudhë ishin nëpunës në administratën e Perandorisë, si edhe tre motrat e martuara, Mevedet, Alije, Ylvie. Fëmijëria në kryeqytetin turk hodhi bazat e një kulture të gjerë që ai përfitoi gjatë jetës së tij. Gjatë atyre viteve frekuentoi të famshmin "Robert Kolezh", një shkollë prestigjioze franceze. Përgatitja kulturore e intelektualëve të Perandorisë Osmane ishte vërtetë e veçantë, në krahasim me vendet e tjera, qofshin këto edhe të Evropës Perëndimore. Ata, pjesë përbërëse të përgatitjes së tyre kishin gjuhën arabishte dhe persishte, ndërsa për të njohur gjuhët evropiane përdornin si bazë gjuhën latine. Kështu, Qamil Vlora, në vitet e fëmijërisë që kaloi në kryeqytetin e Perandorisë, përveç kulturës së përgjithshme, pati fatin të njihte mirë disa gjuhë të huaja. E ëma e tij, Kleoniqi, ishte me origjinë greke kështu, përveç gjuhës së prindërve: shqip dhe greqisht ai mësoi fare mirë arabisht, persisht, latinisht dhe frëngjishten. Më vonë, gjatë transferimeve të shumta nëpër kryeqytetet e Evropës do njihte edhe gjuhë të tjera si gjermanisht, serbo-kroatisht, italisht, spanjisht etj.

***

Edhe pas kthimit të Ismail Qemalit në Turqi, më 1908, ai vazhdoi të qëndrojë në Stamboll. Më pas, pas largimit përfundimtar të familjes nga Turqia, në nëntor 1912, frekuentoi qytetet më të zhvilluara të Evropës, ku përfundoi edhe studimet. Vdekja e Ismail Qemalit, i cili ndodhej i ftuar nga qeveria italiane në Perugia, e gjeti në Barcelonë nga ku u largua menjëherë për të shoqëruar trupin e të atit, së bashku me dy vëllezërit e tjerë: Et'hem dhe Qazim, për në Vlorë, në shkurt 1919.

Qëndroi në Vlorë duke përkrahur lëvizjet patriotike të atyre viteve, siç ishin edhe ato kundrejt pushtuesve italianë që u kurorëzuan me të famshmen Lufta e Vlorës. Po atë vit që u kthye në Shqipëri u martua me Ylvije Dyrmishin, vajzë e patriotit Ahmet aga Dyrmishi, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës dhe një nga trimat besnikë të Ismail Qemalit, me të cilën pati dy djem: Ismail dhe Xhevdet.

Në ato vite të para të konsolidimit të shtetit të ri shqiptar Qamil Vlorën e gjejmë të emëruar në funksionin e lartë të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme duke qenë njëkohësisht edhe zëvendësdrejtor administrativ dhe konsullor. Gjatë qëndrimit në këtë post u nderua nga Presidenti i Republikës Franceze, Gaston Doumergue, më 13.11.1926, me urdhrin "Chavalier de la Legion d'Honneur" dhe, 2 vjet më vonë, në shkurt 1928, me propozim të Ministrisë së Jashtme u dekorua nga Presidenti i Republikës Shqiptare, Ahmet Zogu, "Kavalier i Urdhrit të Skënderbeut". Në shkresën përcjellëse të kësaj dekorate, e cila mban datën 2 shkurt 1928, lexojmë: "Zotni Sekretar i I-ë, Tue kenë se Zotnija e Juej jeni shque për shërbimin plot zell e vullndet të mirë që deri tash keni krye në rastin e ceremonivet që janë ba, kjo Ministri Ju patë propozue pranë Ekselencës së Tij Kryetarit të Republikës për akordimin e nji dekorateje. Ekselenca e Tij e pranojë ket propozimin t'onë, e këtu të bashkangjitun, po Ju sjellë dekretin bashkë me dekoratën: Kavalier i Urdhnit të Skënderbeut, me lutje që të më njoftoni marrjen e tyne. Pritni, Zotni Sekretar i I-ë, bashkë me përgëzimet edhe të falat e mija të posaçme Zav.Ministri i P.të Jashtme(firma)".

Megjithatë, pikëpamjet e tij, edhe pse ai nuk bëri pjesë asnjëherë në ndonjë parti politike, ishin të kundërta me ato të regjimit në fuqi, pas krijimit të Mbretërisë Shqiptare. Edhe pse nuk u vërtetua saktësisht, ai u akuzua të bënte pjesë në "Organizatën e Fshehtë të Vlorës", një "komplot" i cili u "zbulua" në gusht të vitit 1932. Im atë, Ismaili, fliste shpesh për largimin e tyre nga Shqipëria, pikërisht atë gusht të vitit 1932: "Në darkë erdhi tek ne xhaxha Qazimi dhe u mbyllën me babanë në dhomën e tij. Diskutuan gjatë. Pas largimit të xhaxhait babai na tha të përgatiteshim, pasi do niseshim për disa ditë në Vlorë. Të nesërmen u nisëm herët në mëngjes... Në Vlorë morëm një traget i cili, gjatë udhëtimit për në Jugosllavi, do ndalonte edhe në Durrës. Babai, edhe pse neve nuk na kishte thënë gjë, dukej i shqetësuar. Kur trageti ndaloi në Durrës ai i vuri shpatullat derës së kabinës duke mbajtur në dorë një revolver. Me sa morëm vesh më vonë ai kishte frikë se mos Qeveria ishte vënë në dijeni të largimit të tij dhe në Durrës mund ta arrestonin. Por për fatin tonë nuk ndodhi asnjë incident. Pas ndalimit të shkurtër në Durrës vazhduam udhëtimin dhe ndaluam në Jugosllavi, ku babai kërkoi strehim të përkohshëm, nga ku më vonë, pas pranimit të kërkesës që ai i drejtoi Qeverisë franceze, u larguam për Francë...". Qëndrimi i familjes Vlora në Jugosllavi (Beograd) ishte vërtet i shkurtër. Për këtë na ndihmon një letër që mban firmën e mikut të tij francez, Justin Godart, i cili vetëm tre ditë pasi kishte marrë njoftim nga Qamili, i përgjigjet kërkesës së tij në një letër, dërguar nga Parisi më 19 shtator 1932, ku lexojmë:

"I dashur Zotëri,

Mora letrën Tuaj të datës 16 të këtij muaji dhe po ndërhyj menjëherë pranë z.Herriot për t'Ju akorduar autorizimin që të vini në Francë.

Pranoni, i dashur Zotëri, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Justin Godart

Zotërisë Kiamil VLORA

Hotel Central

Zemnun-Belgrade".

Qëndrimi i tyre në Paris vazhdoi deri në vitin 1936. Në këtë periudhë Qeveria franceze filloi të largojë një pjesë të mirë të emigrantëve politikë shqiptarë të atjeshëm. Me gjithë mbështetjen e J.Godart, i cili ndërhyri pranë Ministrit të Brendshëm, kërkesat e tij të shumta për të qëndruar në Francë nuk u aprovuan. Kështu, së bashku me familjen, kthehet sërish në Jugosllavi, ku qëndruan deri në fillim të vitit 1940. Edhe gjatë kësaj periudhe ai nuk i ndërpreu kërkesat e tij për t'u rikthyer në Francë, mirëpo në ato vite qeveria franceze ishte e zënë me problemin e Luftës dhe fatkeqësisht kërkesat e tij mbetën pa u aprovuar.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, prill 1939, e gjeti në Jugosllavi, shtet që nuk i ofronte asnjë të ardhme si atij, ashtu edhe familjes. Kështu, duke qenë se edhe akuza e tij si "komplotist" binte poshtë, pas largimit të Mbretit nga Shqipëria, pas 8 vitesh emigrimi politik Qamil Vlora, familjarisht, kthehet sërish në Atdhe, duke punuar si këshilltar shteti, pa u përzier në asnjë parti politike të kohës. Në këtë detyrë qëndroi deri në nëntor 1944, vit kur vendi u çlirua nga pushtuesit gjerman, duke u uzurpuar nga një tjetër "pushtues", ai komunist. Edhe pse ai ishte i qartë për rolin që do luanin komunistët në vendin tonë, ndoshta se kish menduar kurrë shkallën e terrorit që ata do ushtronin për konsolidimin e pushtetit të tyre diktatorial që, për fatin e keq të popullit tonë, do duronte për gati 50 vjet.

Darling Vlora
Përgjigju


Mesazhet në këtë temë
Ismail Bej Vlora (Qemali) [1844-1919] - nga UKI - 19.12.2024, 11:17
RE: Ismail Bej Vlora (Qemali) [1844-1919] - nga UKI - 19.12.2024, 11:33

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 5 Vizitorë