Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
Luani ♌
#2
Gruaja e shenjës së Luanit
Ka një gjë që femra e shenjës së Luanit ka (në shumicën e rasteve) të cilën ju nuk do ta pëlqeni. Një kuti të mbushur plot me fotografi dhe kujtime nga të gjithë ish- të dashurit e saj të mëparshëm. Është e kotë që të përpiqeni tia merrni dhe ti digjni- kjo luaneshë është shumë sentimentale.

Ajo nuk është një vajzë e ndrojtur dhe e turpshme. Ajo është si një luledielli, në kërkim të rrezeve të diellit dhe në qender të vëmendjes. Me shumë gjasa ajo do jetë një nga vajzat më popullore të çdo ambienti ku ndodhet dhe ju do të keni mjaft konkurrencë në qoftë se doni që ajo të thotë emrin tuaj për pjesën tjetër të jetës së saj. Ju do të keni më shumë shanse nëse keni një mbiemër të njohur, pasi çdo gjë që tingëllon mbretërore apo fisnike për veshët e saj është shumë e rëndësishme për të. Unë sinqerisht nuk mund ta imagjinoj një grua të shenjës së Luanit të martuar me dikë që ka një mbiemër tërësisht të parëndësishëm. Sigurisht që edhe kjo mund të ndodhë. Çdo gjë është e mundur! Por ajo ndoshta do të kërkojë që ta ndryshojë mbiemrin në diçka më të fisme.

Më shumë gjasa, ajo do të jetë udhëheqësja e grupit të saj shoqëror, duke drejtuar gratë e tjera si një mbretëreshë e vërtetë, por me buzëqeshjen e saj të bukur dhengrohtësinë që buron prej saj, ajo do ti çarmatos të gjitha dhe askush prej tyre nuk do ta ketë problem të udhëhiqen prej saj. Ndoshta vajzat e tjera e kuptojnë që ajo ka lindur për të sunduar dhe për të diktuar stilet, zakonet dhe mënyrat e sjelljes. Gjithsesi, nuk është mirë që të tentojnë të uzurpojnë autoritetin e saj.
Duket sikur natyra është treguar e njëanshme që ka krijuar vetëm femrën e shenjës së Luanit me të gjitha cilësitë e mundshme si: zgjuarsi,hijeshi, bukuri,vitalitet dhe sex-appeal të lindur (mjaftueshëm për tre femra bashkë).Nëse ju jeni njeri me kompleksin e inferioritetit, do bënit mirë që ti hidhnit sytë te një zog me pupla më pak të ndritshme. Mos prisni qe ta ktheni atë në një çupëlinë, jeta e të cilës varet nga fjalët e tua. Mashkulli i cili pret që një vajzë e Luanit ta adhurojë atë u ulur në gjunjë, është duke parë ëndrra me sy hapur, madje do të thosha haluçinacione. Konsiderojeni veten me fat në qoftë se ajo do të jetë e gatshme tju takojë, tju respektojë, të pranojë të jetë partnerja juaj dhe t’ju lejojë ta posedoni atë emocionalisht. Vetëm se ju ka lejuar ta dashuroni atë, jo ka bërë një veprim fisnik dhe të shkqlqyer, për hir të Zotit.

Seriozisht,mund të shkonte shumë me keq për ju. Një femër luaneshë është shumë më tepër se thjesht një femër. Ajo është një thesar i rrallë dhe luksoz, që nuk ndodhet në treg.

Është e rëndësishme të mbani mend se një femër e shenjës së Luanit mund të shkaktojë një stuhi të vërtetë dhe ndërkohë të pretendojë se është e ëmbël dhe e padëmshme si një ëmbëlsirë me xhelatinë. Ajo mund të ketë një zë si një pëshpëritje dhe të butë, sjellje të këndshme dhe të hijshme, sy të qetë që vetëtijnë sa herë që përplas qerpikët. Një femër e shenjës së Luanit mund të duket po aq e qetë si një liqen i patrazuar. Jini vigjilentë. Ky është vetëm një rol që ajo po luan, sepse mori vlerësime pozitive. Hiqeni atë nga roli kryesor i filmit tuaj të dashurisë dhe jepini një rol dytësor, apo si dublante dhe së shpejti do të zbuloni sesa pak e turpshme apo e nënshtruar është ajo. Natyrisht, shumica e grave të kësaj shenje, do tjua bëjnë të qartë që në fillim sesa krenare janë dhe se nuk do pranojnë asnjë marrëzi nga ana juaj. Mua do më vinte shumë keq për ju, vetëm nëse do ngatërroheshit me llojin tjetër të Luaneshës, atë që i fsheh me kujdes kthetrat e saj, por i mpreh ato çdo ditë.

Hapi i parë që duhet të realizoni me sukses ndërsa shoqëroheni me këtë vajzë është që ti shkoni asaj i mbushur me dhurata. Nuk ka shumë ndryshim se çfarë dhurate është, për aq kohë sa ato janë të shtrenjta, të zgjedhura me shije të shkëlqyer dhe ju jeni veshur si duhet, në momentin që ia dhuroni asaj. Pastaj ju duhet të praktikoni mënyra të ndryshme për ta komplimentuar atë. Ju lutem të jeni origjinalë dhe krijues. Frazat bajate dhe me zhargon, do ta bëjnë atë të qëndrojë krejtësisht e ftohtë ndaj jush. Ajo nuk mund të ekzistojë pa komplimeta dhe vlerësim, por gjithashtu mos harroni se ajo e admiron burrërinë tuaj dhe ajo nuk ka dëshirë për tju kthyer ju në një ngordhalaq që e heq zvarrë gruaja e vet. Një femër e shenjës së Luanit, nuk mund të bie në dashuri me dikë që nuk është i fuqishëm. Por ajo nuk do tju lejojë ta fyeni me një qëndrim mospërfillës. Në mendjen e saj, ajo nuk është aspak shprehja“ femra- seksi i dobët”.

Shumica e vajzave të Luanit janë tipa atlete dhe i pëlqejnë sportet, por ju do të jeni aq i mençur që ta çoni femrën tuaj të Luanit në teatër dhe jo në fushë basketbolli. Skena dhe dritat e kuintave do ta magjepsin atë (më mirë uluni në vendet e para dhe jo në llozhë). Pasi shfaqja të mbarojë, mos e çoni atë në një kioskë me hamburger dhe të prisni që ajo të ulet në një stol dhe të hajë patate të skuqura vetëm e vetëm se është e dashuruar me ju. Do ishte shumë më mirë që ta coni atë në vende më të bukura dhe më të fisme. Ajo nuk është domosdoshmërisht një materialiste; në fakt, ajo zakonisht është bujare -ajo nuk do të kundërshtojë takimet për birra dhe ndoshta do tju japë dhurata po aq sa herë do ti dhuroni edhe ju. Por është thjesht e pakëndshme që ta çoni atë në një mjedis të lënë pas dore. Edhe gruaja më e varfër në botë e kësaj shenje, do të arrijë të grumbullojë qindarka të mjaftueshme për të blerë perde për dritaret e shtëpisë, unaza për gishtat e saj dhe varesë për qafën. Tani dhe pastaj ajo mund të shkojë as e varfër, nga kurioziteti, por vetëm si një spektator, të ftohtë nga turma. Megjithatë varfëria e zvogëlon atë dhe e bën fizikisht të sëmurë. Nëse ju visheni keq dhe i ofroni asaj një kasolle, ju nuk do të keni asnjë shans me këtë femër (me raste shumë të rralla).

Mos e fajësoni Luaneshën për arrogancën dhe narçicizmin e saj, që i shfaq me raste. Është natyra e saj që e bën të ndihet mbi njerëzit e tjerë të zakonshëm. Njerëzit rrallë nuk e durojnë dot atë, sepse femra e shenjës së Luanit, mund të jetë gruaja më bujare dhe e dashur e të gjithë femrave, me një dhembshuri mëmësore për fëmijët dhe për të pambrojturit e braktisur. Ju nuk mund të prisni që ajo të japë dorëheqjen nga një fron, që është i saj që në momentin e lindjes. Nëse ajo është një fëmijë tipik i kësaj shenje të Diellit, ajo është kaq e këndshme dhe verbuese, sa që shumica e njerëzve me kënaqësi i japin asaj të drejtën për të qenë ndryshe nga njerëzit e tjerë.Në të vërtetë, ajo është e veçantë! Ajo është inteligjente, e mprehtë, e fortë, e aftë, por edhe shumë femërore në të njëjtën kohë. Askush që ka dy pare mend nuk mund ta quajë atë thjesht të zakonshme.

Besoj se ju tashmë e keni gjetur cila është dobësia e saj e fshehtë: ti bëni qejfin në çdo moment. Dhe tani është koha të mësoni edhe një tjetër sekret, në qoftë se keni ndërmend të martoheni me të: jepini asaj hapësirë, lejeni atë të lirë. Ashtu si luanesha e vërtetë bredh në xhungël dhe kërkon të dëfrejë me luaneshat e tjera, ashtu edhe vajza juaj e shenjës së Luanit do të zbehet dhe do ti ikë shkëlqimi, nëse mbyllet brenda 4 mureve të shtëpisë. Lereni atë të ndërtojë karrierën e saj. Ajo do të mpaket nëse do jetë thjesht një shtëpiake dhe nëse ju nuk keni mjaftueshëm para, që ti jepni asaj mundësinë të jetë një organizatore drekash e darkash luksoze për miqtë tuaj, apo të jetë një dekoruese ekstravagante për shtëpinë tuaj të përbashkët.

Vajza e shenjës së Luanit, zakonisht është një bashkëshorte sharmante. Ju rrallë do ta shihni atë të vijë vërdallë në shtëpi e veshur me rrobëdishan, me flokët me bikutina dhe me maske të vendosur në fytyrë. Jo se ajo nuk i pëlqen trajtimet e bukurisë. Luanesha tipike do të kalojë orë të tëra para pasqyrës dhe një ton me kozmetikë, por ajo dëshiron që ju të shihni rezultatet, jo strategjinë që ka përdorur. Mund të ketë raste që do mendoni se pjesa më e madhe e të ardhurave shkon për parukieren e saj. Shumë bashkëshortë të një gruaje të shenjës së Luanit e gjen veten duke thënë, "Zemër, a është e nevojshme të shpenzosh kaq shumë para në sallonin e bukurisë?" Megjithatë ka edhe disa femra të kësaj shenje që pëlqejnë të merren vetë me flokët e tyre. Maskat, balsamet dhe shampot i bëjnë ato të ndihen të relaksuara dhe kjo ndjenjë është kënaqësi e vërtetë për çdo person të shenjës së Luanit.

Vetëm në rastet kur ajo ka ashedente një Gaforre, Virgjëreshë ose Bricjap, ju duhet të keni një sy gjithmonë tek ajo, përsa i përket llogarive bankare dhe parave. Një femër e kësaj shenje e ka shumë të lehtë të kalojë kufinjtë, nëse është fjala për shpenzime që lidhen me orendi për shtëpi apo dhurata për miqtë. Veshjet e saj mund të jenë mjaft të bollshme. Atë mund ta shikoni në mbrëmjet festive me fustane të gjata, gjithë shkëlqim dhe veshje që bien në sy. Por ajo ndoshta do të preferojë edhe rroba sportive, në qoftë se ajo është një vajzë tipike e Luanit.Copat kashmir, pambuk, të lëmuara dhe prerjet angleze apo italiane janë të preferuarat e saj. Shija e saj është në përgjithësi e shkëlqyer, ndonëse pak e shtrenjtë. Shumë rrallë mund të ketë një femër të kësaj shenje që vishet keq apo mos të ketë stil, sepse të gjithë njerëzit e shenjës së Luanit kanë dhunti të lindura në lidhje me modën.

Bashkëshortja juaj e shenjës së Luanit do të jetë një zonjë mikpritesë e shkëlqyer, kur ju të sillni shefin tuaj për darkë në shtëpi. Ai do të mendojë se ju jeni një njeri gjenial që keni arritur ta bëni për vete këtë grua. Ajo ndoshta do të ketë sukses edhe me gruan e shefit gjithashtu, sepse luaneshat janë të afta ti bëjnë për vete si burrat ashtu edhe gratë, falë buzëqeshjes së tyre miqësore dhe trajtimit të barabartë që i bëjnë të dyja gjinive. Kushdo që ndodhet nën rrezet e ndritshme të diellit të saj ndien ngrohtësi. Luanët rrallë krijojnë hije rreth e rrotull.

Si një nënë, ajo do të derdhë dashurinë për fëmijët e saj me bujari dhe ngrohtësi mbi to. Nuk do të jetë e lehtë për të që të shoh gabimet e tyre, por kur ajo ta bëjë këtë, do të jetë e rreptë. Duke qenë se ajo nuk e duron dot faktin që ta marrësh për të mirëqënë, nëse ndien që fëmijët nuk e respektojnë, ajo do të ofshatë në heshtje mbretërore. Shumë nëna të shenjës së Luanit mund ti përkëdhelin pa masë fëmijet e tyre pa humbur autoritetin tek ta. Ajo mund të luajë me të vegjlit e saj, të bëjë bisedime dashamirëse dhe të gjata, por ajo gjithashtu do ti mësojë ata qe në moshë të vogël fare, që të jenë të vëmendshëm si ushtarë, të perfeksionojnë sjelljen e tyre dhe t'i binden më të rriturve. Në të njëjtën kohë, ka një rrezik të mundshëm që ajo mund ti lejojë ata të shpenzojnë shumë, apo tu plotësojë kërkesat e tyre luksoze. Në një farë mënyrë, ju mund të thoni se ajo po i trajton pasardhësit e saj si anëtarë të llastuar të një familje mbretërore, duke i dashur shumë, por edhe duke pritur që ata të sillen në mënyrë të hijshme dhe fisnike, sidomos në publik. Ajo do të jetë shumë krenare për arritjet e tyre dhe Zoti i mbroftë ata që tentojnë ti dëmtojnë fëmijët e nënës së shenjës së Luanit, ose ti gjykojnë ata në mënyrë të padrejtë. Megjithatë ajo nuk do ti “mbysë” fëmijët e saj me praninë e vet. Ajo është shumë e pavarur që tu rri atyre pezull mbi kokë çdo sekondë. Ajo do të jetojë jetën e saj, duke qenë vigjilente ndaj të vegjëlve e saj, në distancë. Shumë gra të kësaj shenje janë nëna që punojnë me kohë të plotë, por fëmijëve të tyre rrallë u mungon vëmendja. Ato zakonisht arrijnë të balancojnë mëmësinë dhe karrierën me një gjakftohtësi të përsosur.

Ka raste kur ajo do ta humbasë dinjitetin dhe vetëpërmbajtje e saj dhe të kthehet në një mace lozonjare, e aftë për të bërë kollotumba dhe budallallëqe të çuditshme. Ajo mund të shpërthejë në të qeshura si një kafshë e shëndetshme, por kur ky moment të kalojë, zëri i butë dhe pamja mbretërore do të kthehen përsëri. Askush nuk mund ta asgjësojë një vërejtje të sapo thënë ose një pyetje të vrazhdë me më shumë përbuzje dhe ftohtësi sesa një femër e shenjës së Luanit. Ato nuk e vlerësojnë familjaritetin nga të huajt. Edhe pse ajo do tu gëzohet njërëzve përreth dhe do të jetë miqësore me njerëzit e afërt, të panjohurit duhet të mbajnë vendin e vet.

Mos u bëni xheloz për aftësinë e saj për të qenë në qendër të vëmendjes në një dhomë mbushur me meshkuj që e admirojnë atë. Burrat gjithmonë do ta kthejnë kokën kur femra e shenjës së Luanit të hyjë krenare në dhomë. Ajo ndjen se është e natyrshme që meshkujt ta vlerësojnë dhe të mahniten prej saj. Ajo mund ti inkurajojë komplimentet e meshkujve dhe të kënaqet nga flirtimet e pafajshme, sepse nevoja thellë brenda saj për duartrokitje dhe miklim, mbulon frikën e çuditshme që ajo nuk është mjaftueshëm femërore, prandaj duhet vazhdimisht të sigurojë veten se është e dëshirueshme. Nuk do të thotë se ajo nuk ju dashuron më, vetëm për faktin se ajo po buzëqesh me mikun tuaj më të mirë dhe po i thotë atij se ajo e adhuron xhaketën e tij të re sportive. Por ju nuk duhet të guxoni ti thoni shoqes së saj më të mirë që ju pëlqen këmisha e saj e re. Kjo është një lojë krejtësisht tjetër, të cilën ju nuk duhet ti hyni fare. Nëse ajo dëgjon që ju i thërrisni sekretares suaj në telefon diçka më shumë intime se “ Zonja Si- e- ka-emrin” , kotelja juaj e ëmbël do tju gërvishë me të vërtetë.

Sigurisht, kjo nuk është e drejtë. Por në qoftë se ju doni të jeni pronari krenar i gjithë atyre puplave të mrekullueshme e të shkëlqyeshme me ngjyra, duhet të bëni pak lëshime. Në fund të fundit, të mbani një pallua është më e vështirë se të mbani një harabel apo një pëllumb. Merreni me të qeshur dëshirën e saj për tu dukur. Për të është shumë e rëndësishme e gjithë kjo tendencë, sepse pak gra të kësaj shenje mund ti rezistojnë dëshirës për të konkurruar me burrat për prestigj, në mos për të ardhurat. Luanesha juaj mund të bëhet çdo gjë - nga aktore deri në kirurge.

Një formulë e përkryer për sukses në një lidhje dashurie me një femër të kësaj shenje është të zbusni luaneshën. Ky është çelësi për një marrëdhënie të qetë me vajzën tuaj Luan.Mos e lini tju mbysë, por as mos u përpiqni ta sundoni atë. Duhet vetëm të ngjisni një yll të madh vezullues në derën e dhomës së saj dhe ti thurrni lavde vetes suaj. Ju jeni alamet djali, e dini apo jo? Keni fituar zemrën e një luaneshe krenare!! Tani dua të më thoni, si arritët ta bëni këtë??

Fëmija i shenjës së Luanit
Fëmija tipik i shenjës së Luanit është solar, i lumtur, i gjallë dhe i këndshëm, kur është duke bërë gjërat që ka qejf të bëjë. Në rast të kundërt, të gjitha retë e zeza mblidhen nga të gjitha anët, së bashku me një ulërimë të stuhishme, apo me vetëtima dhe rrufe të zhurmshme.Fëmijët e vegjël të shenjës së Luanit, nuk duhet të pengohen vazhdimisht për të bërë atë që duan. Nëse shtypni entuziazmin e tij dhe shpirtin e gjallë, mund ti shkaktoni atij plagë aq të thella, sa që mund ta errësojë mendjen e tij për vite me rradhë. Luanët e vegjël të të dyja gjinive kanë zakon që të komandojnë bashkëmoshatarët e tyre, gjë që i bën nënat e fëmijëve më të ndrojtur të acarohen, por ato duhet të përmbahen dhe kurrë mos ti qortojnë ashpër Luanët e vegjel, para moshatarëve të tjerë. Krenaria e madhe e Luanit reagon dhunshëm nëse sulmohet në dinjitet, sidomos në publik.

Është gjë e mirë për të inkurajuar prirjen natyrale për të udhëhequr tek fëmijët e shenjës së Luanit, por ata duhet të mësohen që të gjithë duhet të ketë rradhën e vet, sepse kjo është rruga e drejtë, edhe nëse ata janë më të fortë se të tjerët.

Ndjenja për drejtësi e Luanit zakonisht do ta bëjë djalin e vogël të kërkojë dritën e mirësisë. Ai nuk është agresiv me prirje keqdashësie. Ai vetëm ndihet i detyruar të jetë në krye të paradës. Këto djem dhe vajza kanë një thirrje të fortë për tu shfaqur dhe është e vështirë për ti dekurajuar ata dhe për ti ndaluar ta bëjnë këtë gjë. Djali i vogël i shenjës së Luanit është ai i cili mban kokën lart me krenari në oborrin e shkollës apo ecën mbi murin rrethues për ti bërë përshtypje vajzave. Prindërit e mençur do të fillojnë që herët ta bëjnë fëmijën e tyre të kuptojë se të mburrurit nuk është diçka e denjë. Kjo normalisht punon si një hajmali, pasi këta fëmijë e kanë të lindur ndjenjën e dinjitetit.

Ju do ta vëreni këtë dinjitet edhe te fëmijët e vegjël fare të kësaj shenje. Ka një lloj qëndrimi mbretëror, i cili krijon përshtypjen se fëmija është mbret sipas të gjitha ekzaminimeve. Termi "madhëria e Tij, fëmija _" është shpikur për të përshkruar të voglin e shenjës së Luanit. Bebet e vogla të kësaj shenje do të fillojnë që në fillim të jetës së tyre të komandojnë,duke rrotulluar në gishta mamanë, babanë dhe gjithë familjarët e tjerë, pa u lodhur shumë. Gjëja më e habitshme është se ky Luan i vogël i ulur në fronin e tij- e kam fjalën për karrigen e lartë të ngrënies- i mbuluar me lëng frutash dhe të verdhë veze dhe që ka nevojë të ndërrojë pelenën, do të arrijë ta mbajë dinjitetin e tij të paprekur. Është e natyrshme që prindërit e marrosur pas tij dhe të njohurit që e admirojnë ta lavdërojnë fëmijën e vogël të shenjës së Luanit, ndërsa ai me mirësjellje pranon vëmendjen, dhurata dhe lavdet e tyre. Ai e ka shumë të lehtë të marrë adhurim nga të gjithë. Vini re sa e vetkënaqur duket kjo bebe e lezetshme kur të panjohurit ndalojnë dhe e përkëdhelin nga flokët apo faqet.
Fëmija juaj Luan do të jetë më i pabindur se moshatarët e vetë, do të ndërmarrë më shumë iniciativa dhe do të jetë më aktiv. Pastaj do të vijnë ato momentet me periudha të përtacisë së Luanit, kur ai do të qëndrojë në oborrin e shtëpisë, shumë i lodhur për të lëvizur edhe një gisht, me përjashtim të lëvizjeve që mund të bëjë për ju, duke pritur që ju të bëni atë që ai kërkon. Në këto raste, e mira është që ta lini vetëm dhe ta bëni të kuptojë se askush nuk është shërbëtori i tij. Nëse ai dëshiron diçka, ai mund ta marrë atë vetë kur ti kthehet energjia e duhur. Në të kundërt, një fëmijë i llastuar i shenjës së Luanit mund të bëhet një tiran i vërtetë. Ndonjëherë, sigurisht, nuk është e dëmshme ti sillni atij një libër, apo ti jepni një gotë me qumësht dhe çokollatë. Fëmijët e shenjës së Luanit, të cilët edukohen se duhet të respektojnë të drejtat e të tjerëve, nëse duan tu respektohen të drejtat e tyre, mund të behen individë me të cilët do jetë shumë kënaqësi ti kesh pranë. Ashtu si këlyshët e vegjel të luaneshës që shikoni në kopshtin zoologjik, ata kanë nevojë për disiplinë të rreptë dhe për shumë dashuri. Puthjet e ngrohta dhe thupra e ashpër janë dy elementë që shpesh herë funksionojnë më së miri për të zbutur luanin. Mungesa e njërës prej tyre është e paefektshme , madje edhe e rrezikshme.

Këta djem dhe vajza i gjen në dy natyra të ndryshme. Të parët janë ekstravert, gjithë gjallëri, të dashur dhe bujarë, ndonjëherë të nxituar. Të tjerët janë të qetë, pothuajse të turpshëm në pamje të parë. Këta fëmijë të shenjës së Luanit kaq shumë të turpshëm, duhet të jenë lënduar shumë në fëmijëri nga sjellja autoritare e prindërve të tyre, ose nga vëmendja e tepërt që ju është dhënë vëllëzerve dhe motrave të tyre. Fshehurazi, ata kanë nevojë për pushtet dhe duartrokitje më shumë të tjerët. Rreziku në situata të tilla, në qoftë se ato zgjasin në kohë, është se ky fëmijë ose do ta marrë vëmendjen që kërkon më vonë në jetë, duke i nxitur gjërat të ndodhin në mënyrën e gabuar, ose duke u zhytur në mes të ndrojës të dhimbshme dhe frustrimit shkatërrues. Egoja e Luanit, nëse shtypet për një kohë të gjatë, sëmuret më shumë se çdo gjë tjetër.

Djemtë e vegjël të shenjës së Luanit, pëlqejnë lojërat me ushtarë (ku ata janë komandanët) si dhe lojërat me sfida të forta ndaj fatit. Vajzat e kësaj shenje do të sillen si zonjusha të vërteta, do të pëlqejnë të jenë të veshura këndshëm dhe tu thuhet sa të bukura janë. Mos prisni që këta të rinj ti bëjnë më dëshirë detyrat e shtëpisë siç mund të jenë hedhja e plehrave apo pastrimi i dyshemeve. Ata do të rebelohen kundër punëve që i quajnë të përshtashme për shërbëtorë, kështu që caktojini atyre detyra më të rëndësishme dhe më dinjitoze që i japin atyre një ndjenjë autoriteti.

Mësuesit mund të presin që nxënësit e tyre të shenjës së Luanit të japin udhëzime për qejfin e vet nxënësve të tjerë. Atyre ju pëlqen shumë tu shpjegojnë gjëra të tjerëve dhe asgjë nuk i mrekullon ata më shumë se të luajnë rolin e instruktorit zëvendësues, kur mësuesi duhet të largohen nga klasa. Ky moment i vendos ata në qendër të vëmendjes. Normalisht, fëmija Luan të cilin e kanë lënë përgjegjës në shkollë do ta administrojë situatën me disiplinë për fat të mirë, por ndonjëherë do dalë në pah edhe shpirti i tij gjallërues dhe kur mësuesi të kthehet në klasë, mund të gjejë një cirk në proces.

Këta nxënës mund të mësojnë shumë shpejt kur duan ta bëjnë këtë. Ata janë inteligjente dhe shpesh herë shpërblehen mjaftueshëm nga mësuesi i duruar, por ata kanë tendencën të jenë pak dembel në të mësuar. Ata preferojnë të bien në sy nëpërmjet personalitetit solar dhe bukurisë magjepëse. Mësuesit mund të verbohen disi nga buzëqeshjet dhe komplimentet që këta nxënës i bëjnë dhe nuk është e pazakontë për këta fëmijë të vegjël që të marrin nota më të mira se sa meritojnë. Ndoshta duhet që ti detyrosh që ata të krijojnë zakone të mira studimi. Por, nëse e mendon më mirë këtë, ta detyroni një fëmijë të Luanit, mund të jetë humbje kohe. Mënyra më e lehtë për të rritur notat e një fëmije të shenjës së Luanit, është që ta nxisni atë për të qënë më i miri i klasës, të bëhet superior ndaj të tjerëve. për të apeluar për të kotësisë së tij, për ta bërë atë të duan të jenë superior ndaj të tjerëve. Kjo zakonisht do të funksionojë. Kur ai arrin diçka pozitive, ledhatoje lehtë në shpatulla, në mënyrë që ai ta ndiejë vërtetë rezultatin. Fjalët e nënkuptuara nuk bëjnë punë në rastin e tij. Ska rëndësi sesa shumë komplimenta mund të marrë ai, gjithmonë është i uritur për më shumë.

Këta fëmijë ndoshta do të kërkojë më shumë para për të shpenzuar sesa bashkëmoshatarët e tij. Fëmija juaj i shenjës së Luanit, mund ti dhurojë disa nga pullat e tij te preferuara të koleksionit të vet, por ai nuk do ti kursejë vetes së tij asnjë gjë. Do të jetë një ide shumë e mirë nëse i mësoni fëmijës tuaj Luan rregullin e artë lidhur me financat: “ Jep disa, shpenzo disa të tjera dhe kurse një pjesë”. Sidomos këtë të fundit duhet tia mësoni shumë mirë.

Kur ata të rriten më shumë dhe të shkojnë drejt pubertetit, vajzat dhe djemtë e shenjës së Luanit, do interesohen për gjininë e kundërt më herët sesa të rinjtë e shenjave të tjera të zodiakut. Bëhuni gati të përballeni me një adoleshencë të trazuar, sepse fëmija juaj i Luanit do të ketë luhatje emocionale njëqind herë në ditë. Edhe miqësia, edhe dashuria do të jetë me nota të theksuara dramatike, plot ngjyra të ndezura dhe shumë thyerje zemre. Të gjithë adoleshentët e kësaj shenje do të kenë një dëshirë të papërmbajtshme për të shkuar në festat e shoqërisë. Jepini atyre mjaftueshëm liri, sepse gjithsesi ata do ta marrin atë në një mënyrë apo tjetër. Urdhrat e ashpra dhe të prera do ta shkatërrojnë krenarinë dhe dinjitetin e tyre. Nëse ju e ndihmoni atë që të ndërtojë kurajon dhe ti kënaqni egon duke i thënë se keni besim tek ai, ai do të bëhet i fortë vetëm për ju.

Nuk është detyrë e lehtë të rritësh një fëmijë të lindur në muajin gusht. Do të ketë momente kur të ndiheni që Luani juaj i futur në kafaz nuk do të zbutet kurrë. Por në fakt ai mund të kthehet në një mace shtëpiake,në qoftë se ju i plotësoni atij nevojën për dashuri dhe disiplinë të vazhdueshme. Këto të dyja janë çelësat magjike që hapin zemrën e tij të artë. Fëmijët e vegjel të shenjës së Luanit që janë adhuruar në foshnjëri dhe fëmijëri nga familja e tyre bëhen të rritur të lumtur, ndërkohë që ata të cilët janë lënë pas dore dhe kanë qenë të uritur emocionalisht, do ta reflektojnë këtë kur te jenë të rritur të palumtur dhe të zymtë. Mos harroni se ai do të hiqet sikur është shumë i guximshëm, por brenda tij dyshon se nuk është i tillë. Përqafojeni atë fort çdo natë dhe duajeni me gjithë zemër, për të mbushur zemrën e tij të madhe.

Shefi i shenjës së Luanit
Ju keni një shef të shenjës së Luanit dhe keni punuar për të për më shumë se një vit? Me të vërtetë? Ju duhet të jeni një dëgjues shumë i mirë.

Shumica e drejtuesve të shenjës së Luanëve, janë organizatorë të shkëlqyer dhe shumë të aftë për të deleguar përgjegjësitë. Mënyra e tij e menaxhimit të këtyre situatave është e tillë: ai do të kthehet nga ju dhe do tju diktojë me pompozitet disa fraza të përgjithshme mbi temën; pastaj do të bëjë një lëvizje të dorës, të denjë për një mbret dhe me një buzëqeshje të mrekullueshme do tju thotë turbull, "Tani mund të vazhdosh ti”. Pastaj ai ndoshta do të shtojë se e do raportin të plotësuar dhe të vendosur në tryezën e tij sa më shpejt të jetë e mundur. "Merr gjithë kohën që të duhet " do tju thotë ai. "Mjafton që unë ta kem në dorë para drekës së ditës së nesërme”. Leos nuk janë të interesuar pas detajeve. Ata preferojnë ta skicojnë pamjen e përgjithshme të situatës me një lëvizje të guximshme dhe ti lënë të tjerët të merren me vogëlsirat e jera si shifrat dhe statistikat.

Nëse shefi juaj është një Luan tipik, ai do ti quajë të tijat të gjitha idetë që mund te jepni ju. Megjithatë vazhdoni jepjani atij idetë tuaja origjinale, sepse këta drejtues priren ti favorizojnë punonjësit që janë krijues në ambientin e tyre të punës. Ndonëse duhet të jenë i përgatitur ta dëgjoni atë, një ditë më vonë pasi i keni dhënë planin tuaj, teksa thotë në mënyrë të beftë: "Kjo është një nga idetë më të mira që kam pasur ndonjëherë." Ai sinqerisht beson se e ka menduar më parë idenë që i dhatë ju. Me të vërtetë! Sigurisht, ju e nxitët imagjinatën e tij dhe kjo është arsyeja pse ju jeni kaq shumë i vlefshëm për të. Por ideja ishte e tij, mbajeni mend këtë!

Me raste, shefi juaj i shenjës së Luanit, mund të tregohet disi mosmirënjohës. Kështu një ditë mund tju hedhë në tvolinë një pirg me letra, të cilat përton ti lexojë vetë. Pastaj të nesërmen në mëngjes, kur ju do ti keni akoma të skuqur sytë sepse keni qëndruar deri në mesnatë për të përfunduar punën ekstra që ju dha, ai do të tundë kokën në formë mosmiratimi dhe do të murmërisë një koment të pakëndshëm për gjëndjen e tavolinës suaj të rrëmujshme, ndërkohë që po shkon drejt zyrës së tij personale. Oh, po, është pothuajse e sigurtë se ai do ta ketë një zyrë luksoze privat. Ajo mund të ketë drita ta qeta, muzikë të lehtë, lule me ngjyra të ndryshme, një divan me copë të shtrenjtë dhe një tavolinë me dru qershie. Edhe në qoftë se buxheti është i vogël, ju rrallë do ta gjeni atë të rrethuar nga dollapë të lirë dhe dritare pa perde të bukura. Muret mund të jenë të mbuluara me printime të shkëlqyera dhe në to mund të jenë vendosur pikturave me shije apo fotografitë e tij më të mira, ku ka dalë me personalitete të rëndësishme. Çdo çmim i fituar ose certifikata e marrë do të jetë plastifikuar dhe vendosur ne kornizë në krye të zyrës.

Nëse ju jeni një mashkull që punon për një drejtues ekzekutiv të shenjës së Luanit, ju mund të keni disa probleme të veçanta. Jini origjinal, i guximshëm, kreativ dhe i palodhshëm. Por mos harroni se shefi juaj do të jetë gjithmonë më origjinal, më i guximshëm, më kreativ dhe më i palodhshëm se ju – për sytë e tij. Thuaji "Po" shumicës së mendimeve të tij (dhe ai do të ketë një paketë plot gjatë harkut kohor të një jave). Nëse ju duhet ti thoni "Jo," paraprijë atë me një kompliment të madh dhe mbylleni me një tjetër kompliment. Refuzimi i vendosur në mes të dy komplimenteve, mund të jetë i pranueshëm për shefin tuaj krenar. Por duhet të jeni me takt dhe të proçedoni me kujdes.

Edhe drejtuesit që bien më pak në sy , arrijnë të përhapin rrezet e tyre të shndritshme dhe kanë një pamje të jashtme të lezetshme. Kur shefi juaj i shenjës së Luanit arrin cdo rezultat që meriton, plus respekt dhe ndihmë shtesë, ai do tju bëjë që të digjeni nga turpi me lavdërimet që do tju bëjë, për punën e mirë që keni bërë. Ai asnjëherë nuk do të kursehet me komplimentat. Por gjithashtu do jetë kaq i pakursyer edhe me kritikat. Luani është i prirur që ti nxjerrë në pah gabimet tuaja pa u treguar me takt. Punonjësit që kanë natyrë shumë të ndjeshme, do ishin më të lumtur të punojnë diku tjetër. Të njëjtën gjë do të donin edhe ata që kanë sedër të madhe. Ka më shumë se një element arrogance te punëdhënësi juaj i shenjës së Luanit, por ndërthurrur me optimizmin babaxhan të tij, duket se kalon me lehtë. Këta njerëz kanë lindur për të udhëhequr, me një talent për t'u patur zili lidhur me caktimin e drejtë të vendeve të punës për njerëzit e duhur dhe duke i supervizuar ata në mënyrën e duhur.

Intrigat që bëhen nëpër zyra do ta zemërojnë atë shumë. Ai thjesht nuk mund ta durojë faktin që njerëzit mund të mbajnë sekrete prej tij. Ai duhet të dijë çdo gjë që po ndodh. Mos u mërzitni nëse shefi juaj Luan e fut pak më shumë seç duhet hundën në çështjet tuaja private ose ju jep leksione se si të veproni në jetën tuaj personale. Është sikur të vendos vulën e tij mbretërore. Kjo do të thotë që ai ju pëlqen aq shumë sa dëshiron tju mbrojë duke ju dhenë këshilla të ndritura nga mendja e tij superiore.

Shefi i kësaj shenje mund të jetë shumë i këndshëm. Ai mund të ketë momente zemërimi të tmerrshme dhe pastaj të shfryjë në zyrën e vet me dyer të mbyllura për disa orë, nëse mendon se dikush e ka fyer. Por ata mund të shkrihen komplet nga lajkat dhe komplimentat e të tjerëve. Ata vishen me shije, ushqehen mirë dhe flene shumë mirë. Ata janë bujare ndaj të metave dhe në qoftë se marrin respektin që kërkojnë, ata mund ta kthejnë dështimin në fitore brenda natës me një forcë të mrekullueshme të karakterit. Luani merr kënaqësi të madhe kur jep urdhëra dhe sidomos kur jep leksione jete ndihet veçanërisht krenar.

Ju mund të keni të bëni me atë lloj punëdhënësi Luan që e fsheh urinë e tij për të qenë në qendër të vëmendjes, duke manifestuar një sjellje të qetë. Por dinjiteti, krenaria dhe narcizmi tipik i kësaj shenje është pjesë themelore e natyrës së tij, po aq sa është edhe tek lloji tjetër i Luanit me sjellje më ekzibicioniste. E vini në dyshim këtë? Provojeni duke e ngacmuar ne krenarinë e tij, pastaj tërhiquni dhe behuni gati të përballoni pasojat.

Kur ai trajtohet në mënyrën e drejtë dhe të duhur, nuk ka njeri mbi tokë që mund të jetë më i dashur se një njeri i shenjës së Luanit. Ku është problemi nëse ai kërkon admirim në doza të mëdha për të ushqyer egon e tij të pangopur? Shumicën e kohës, ai me të vërtetë e meriton të admirohet. Ai mund ti bëj plagjiaturë ideve tuaja dhe tju “vjedhë” kohën herë pas here. Ju mund të jeni lodhur duke dëgjuar këshillat e tij dhe duke i thënë se ai është i shkëlqyer. Por nuk ka tjetër shef në botë që do tju lejojë të mbani foshnjën tuaj në karrocë, brenda zyrës tuaj,ne periudhën që ju largua dadoja e fëmijës. Sigurisht që ju do të kishit preferuar që tjua kishte lënë ditën pushim dhe të ishit kujdesur për fëmijën tuaj në shtëpi. Por shefi juaj ka nevojë për ju në zyrë. Dhe në fund të fundit, ai është kumbari i foshnjës tuaj! ?

Punonjësi i shenjës së Luanit
Nëse punonjësi juaj është një Luan tipik, do të jetë pothuajse e pamundur ta injoroni atë. Nëse ai është një Luan i qetë, nuk do të ishte e mençur ta injoroni atë. Luani më agresiv do tju detyrojë me forcë ta vlerësoni talentin e tij dhe ti njihni vlerat, thjesht për tju treguar se sa i mrekullueshëm është. Edhe ai lloji i ndrojtur i maces së butë do të fillojë të fryhet sapo ta shohë që nuk po e trajtoni siç duhet. Të gjitha këto të çojnë në një përfundim: mos i injoroni punonjësit tuaj të shenjës së Luanit.

Nëse kafsha e luanit lëshon ulërimën e vet, ai është krenar dhe ndihet i denjë. Ai e di superioritetin e tij dhe nuk ka nevojë për vështrimet e të tjerëve: Luanët nuk janë nga ato kafshë që diçka mund tu fshehë dritën që lëshojnë. Nëse kreanria e tyre nuk nderohet, atëherë të dy llojet e luanëve do të kërkojnë një tjetër savanë që ta nderojnë me praninë e tyre. Ata nuk e durojnë dot faktin që të nënvlerësohen.

Të gjithë njerëzit e shenjës së Luanit i adhurojnë titujt dhe gradat. Sa më i madh titulli aq më mirë për të. Ofrojini punonjësit tuaj të shenjës së Luanit një rritje të konsiderueshme page, ndërsa kolegun e tij të zyrës emërojeni “Shefi i Zyrës së Koordinimit”; dhe punonjësi juaj Luan as nuk do tju falenderojë për paratë ekstra që do të marrë çdo muaj. Ai do të jetë shumë i zënë duke turfulluar për ngritjen në detyrë të bashkëpunëtorit të tij, i cili sigurisht, nuk e meritonte një promovim të tillë më shumë se Luani ynë.

Nuk është kokëfortësia ajo që e bën punonjësin e Luanit të këmbëngulë për të drejtat e tij. Ai ka lindur që të jetë lideri i të gjithë njerëzve. Udhëheqja është një pjesë e pandarë e natyrës së tij dhe është diçka e pamundur për ta çrrënjosur plotësisht. Punonjësi i Luanit është i pajisur plotësisht për të marrë përgjegjësi mbi vete. Ai e ndjen veten të padobishëm dhe të pafuqishëm, por edhe të padëshiruar, kur ai nuk ka marrë përsipër ndonjë lloj përgjegjësie. Në qoftë se nuk ka asgjë tjetër në dispozicion për ti dhënë vetes rëndësi, ai do të japë këshilla falas për miqtë dhe familjen e tij. Gjithashtu, as të panjohurit nuk do ti lë pas dore. Luani i shpërndan perlat e tij të diturisë në mënyrë të paanshme.Ai do tju japë këshilla lidhur me çdo gjë; që nga ndërtimi i një dhome shtesë mbi garazhin tuaj, apo problemet financiare dhe dashurore deri tek lloji i vajti që duhet përdorur për makinën tuaj të re.

Duhet ta keni parasysh se ndjenja mbresëlënëse e përgjegjësise te personi i shenjës së Luanit, zakonisht nuk shfaqet deri në moshë të pjekur. Në rininë e tij, ky njeri është një playboy klasik, që i gëzohet ditëve dhe netëve të verës duke kërcyer dhe kënduar, duke vallëzuar me femra të bukura dhe i veshur me rrobat me me shije në të gjithë shoqërinë e tij, duke i bërë të gjithë të qeshin me qendrimin e tij të zhurmshëm dhe si klloun.

Zakonisht është një lëvizje e mençur që ti angazhoni punonjësit e rinj të shenjës së Luanit në sektorin e promovimit dhe shitjes. Ata janë reklamues të lindur dhe do ti bëjnë klientët tuaj të lumtu, me natyrën e tyre të ngrohtë dhe gjithë diell. Më vonë, pasi të piqen më shumë,ata gradualisht mund ti vendosësh në pozita më të larta, ku ata zakonisht do të përgjigjen me përgjegjshmëri çdo detyre që i keni ngarkuar. Vetëm një drejtues ekzekutiv i mençur e kupton se në çfarë pike një princ playboy i shenjës së Luanit është bërë tashmë mbret dinjitoz.

Ka diçka të çuditshme për punonjësit e shenjës së Luanit, qofte femër, qoftë mashkull. Nën pamjen e tyre të guximshme, ata fshehurazi kanë frikë se nuk kanë kurajo të vërtetë brenda tyre. Ata mund të sillet me krenarinë më irrituese dhe egoizmin më të egër, duke e shfaqur veten të padurueshem dhe me periudha edhe shumë përtac. Pastaj mund të ketë edhe ndonje moment krize, qoftë në punë apo në jetën e tyre personale. Papritmas, për habinë e të gjithëve, këta meshkuj dhe femra të shenjës së Luanit, e tregojnë veten që janë të qëndrueshëm dhe kanë stabilitet. Vetëm nën presion të madh, kur janë të rënduar me ngarkesat më të rënda të jetës, fuqia e brendshme e lindur e kësaj shenje të Diellit, do të dalë në pah me gjithë lavdinë e saj.

Punonjësi mashkull i shenjës së Luanit me reputacionin e një playboy do të habisë miqtë e tij kur ai me guxim dhe dëshirë do të përkrahë një bashkëshorten me paaftësi fizike dhe dy hallat e tij të moshuara, të pamartuara dhe pa femijë. Ata që kanë lindur nën shenjën e Luanit dhe që udhëhiqen nga Dielli, nuk mund ta marrin kurrë me mend se çfarë pushteti të fuqishëm zotërojnë derisa të vihen në provë. Deri në këtë moment (mos e harroni këtë) ata vetëm hiqen sikur janë të fortë. Ulërima e frikshme e Luanit, fsheh një kompleks inferioriteti që është krejtësisht i panevojshëm.

Në qoftë se një person i shenjës së Luanit nuk mund të jetë shefi, atëherë ai duhet të ketë një pozicion ku mund të shfaqë talentin dhe aftësitë e tij para gjithë botës. Pas të ndërrojë vendin e punës dhjetra herë, për shkak se ai nuk është bërë të paktën një zëvendës president, Luani tipike zakonisht do të drejtojë një sipërmarrje ku ai do jetë themeluesi i saj. Nëse roli i ekzekutivit ose drejtuesit u është mohuar, ata do të kënaqen duke punuar si mësues, tregtarë, mjekë, juristë, menaxherë, këshilltarë, prezantues radiofonik dhe televiziv, aktorë, shkrimtarë apo edhe zhytës profesionistë në guidat turistike. Njerëzit e shenjës së Luanit kërkojnë një profesion që i lejon atyre të japin njohuritë e tyre për të tjerët, por edhe të qëndrojnë në qendër të vëmendjes të ndritshme të publicitetit. Ata gjithashtu do të shkëlqejnë në fushën e politikës dhe marrëdhënieve me publikun.

Kini parasysh se i punësuari juaj i shenjës së Luanit, ose do të bëhet një ekzekutiv në nivelin tuaj brenda një kohë të arsyeshme, ose ai do të largohet përfundimisht. Ai kurrë nuk mund të jetë i kënaqur duke punuar prapa skenave. Ai ka nevojë për duartrokitje dhe keto mund ti marrë vetëm në skenë. Megjithatë, ju do të jeni me fat që ta keni këtë punonjës për çfarëdo periudhe që ai qëndron me ju. Ai do të punojë më shumë se pothuajse çdokush tjetër për tju treguar se sa person i mrekullueshëm është ai. Komplimentat e shumta dhe të vazhdueshëm për punën e shkëlqyer do ta frymëzojnë në atë pikë ku ai do të tregojë një vitalitet të pabesueshëm përtej kufijve të durimit normal. Lajkat dhe komplimentat që do tju bëjë punonjësit juaj i shenjës së Luanit, do tia rrisin të paktën dyfish vlerën e tij.

Do të shihni se edhe punonjësja juaj e shenjës së Luanit do të krekoset dhe do të krenohet në mënyrë të rregullt. Herë pas here do të vendosë një trëndafil të verdhë në flokët e saj dhe mos u mërzitni nga pëshpëritjet dhe thashethemet saj. Ju nuk mund ta përballoni ta humbisni atë. Thashethemet nuk kanë virtytet dhe aftësitë e saj. Komplimentojeni atë sa më shpesh duke i thënë sa e bukur është, sa e zgjuar dhe herë pas here blejini bileta për një koncert apo një mbremje gala. Gjithmonë dy bileta, ju lutem, sepse vajza e shenjës së Luanit pa dyshim do të jetë e martuar, e dashuruar ose do të jetë në një lidhje me dikë.

Përsa i përket punonjësit tuaj të shenjës së Luanit, merreni me vete në drekat e punës, në restorantet e shtrenjta ku të gjithë mund ta shohin atë me shefin e madh. Jepuni mundësinë si punonjësit mashkull ashtu dhe femër, që të trajnojnë dhe supervizojnë punonjësit e rinj, sa herë të jetë e mundur. Ata nuk do të ngurrojnë të punojnë me orare shtesë, madje do të jenë krenarë për përgjegjësinë që do tu ngarkoni dhe ata adhurojnë tu tregojnë të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhen bërë.

Pak psikologji ndikuar nga astrologjia, e aplikuar në mënyrë të zgjuar, do ta bëjë punonjësin tuaj krenar të Luanit një aset të vyer për kompaninë tuaj. Ata do ta dekorojnë zyrën me shije dhe me entuziazmin e tyre solar. Jepini atij mundësinë ta kompletojnë zyrën e tij me tavolinë të shtrenjtë, qylim luksoz, perde me copë të ndritshme dhe ngjyrë të ndezur dhe kompjuter të teknologjisë së fundit. Asgjë nuk mund ta dekurajojë më shumë një punonjës të Luanit sesa të punojë në një ambient të lënë pas dore, me pajisje të vjetëruara, me përjashtim të rasteve kur i duhet të punojë me njerëz të zymtë dhe pa fantazi.

Ata kanë nevojë për më shumë shpenzime sesa punonjësit e tjerë dhe gjithashtu duan më shumë kohë për orarin e drekës. Ushqimi është pothuajse si një event social për Luanët dhe ata i përdorin mundësi të tilla për të ushtruar artin e tyre të promovimit. Vetëm tu jepni idenë që mund ta bëjnë këtë gje dhe ata do ta kthejnë këtë momënt në një fushatë reklamimi që mund të sjellë më shumë konsumatorë të rinj. Ju nuk mund të pretendoni që ata të veprojnë me shpejtësi të madhe, kur ndërkohë do tu duhet të shqetësohen për afatin dhe paratë. Luani mund të jetë i shpejtë me numrat, por ka edhe nga ata që kanë vështirësi në të numëruarin e qindarkave.

Punonjësi juaj i shenjës së Luanit, mund të zbutet me lehtësi nëse dini si ta bëni ketë. Mos i ngurtësoni rregullat dhe hiqini hekurat e kafazit. Këta punonjës nuk mund të jenë të rrethuar me zinxhirë ose do të ndihet i burgosur dhe do të humbase shkëlqimin e tij.

Është një veprim i zgjuar që të punësoni një person të shenjës së Luanit. Ai mund të mbaje në shpinën e tij ngarkesa të rënda pa u ankuar. Ai ka nevojë për një dietë të pasur me komplimenta, autoritet, titujt dhe liri, por ky nuk është një çmim shumë i lartë për të paguar për inteligjencën, besnikërinë, besimin, idetë dhe ndje.njën e përgjegjësisë. Në fund të fundit, sa drejtues ekzekutivë kanë në stafin e tyre anëtarë të familjes mbretërore? Respektojeni punonjësin tuaj dhe ai do të bëhet njeriu juaj më i besuar, i cili do të ndihet po aq krenar për kompaninë tuaj si të ishte nen pronësinë e vet. Zemra e tij është më e madhe se vetë trupi i tij.
Përgjigju


Mesazhet në këtë temë
Luani ♌ - nga UKI - 20.12.2024, 12:35
RE: Luani ♌ - nga UKI - 20.12.2024, 12:37
RE: Luani ♌ - nga UKI - 20.12.2024, 12:38

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 1 Vizitorë