Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
PSIKOLOGJIA
#2
Kapitulli 5

VËMENDJA


Njohuri të përgjithshme mbi vëmendjen.

Në çdo moment të dhënë, mbi ne veprojnë një numër sendesh dhe fenomenesh të ambjetit që na rrethon. Por, këto sende dhe fenomene nuk pasqyrohen të gjitha njëlloj në vetëdijen tonë. Disa sende shkaktojnë tek ne reaksione të gjalla orientuese. Ne përqëndrojmë shikimin tek ato, i provojmë duke i prekur, dëgjojmë tingujt e tyre dhe si rezultat këto sende përcaktohen në mënyrë të saktë dhe të qartë ana jonë. Ndërsa sendet e tjera nuk shkaktojë të tilla reaksione të gjalla orientuesse, nuk i nënshtrohen një studimi dhe analize të kujdesshme e për pasojë perceptohen në mënyrë të turbullt ose nuk perceptohen fare. Ndryshe mund të themi se ne drejtojmë vetëdijen në disa sende të cilat kanë rëndësi për ne dhe tregohemi të pavëmendshëm ndaj sendeve të tjera, të cilat në momentin e dhënë nuk kanë rëndësi për ne.
Pra, vëmendje quajmë të drejtuarit dhe të përqëndruarit e vetëdijes sonë në një ose në disa objekte ose fenomene dhe të shkëputurit nga çdo gjë tjetër.
Në fillim vëmendja shkaktohet nga të shfaqurit e objektit të ri, nga rëndësia që ai ka për organizmin, nga ndryshimet e shumëllojshme të ambjentit që na rrethon ose faktorë të tjerë.
Kështu p.sh foshnja, nën ndikimi e një tingulli të fortë apo drite që ndizet në mënyrë të papritur, menjëherë kthen kokën, fikson vështrimin dhe zgjat dorën drejt saj. Por, nëse kjo do të vazhdojë të përsëritet atëherë nuk do të ketë më rëndësi për organizmin dhe nuk do të tërheqë vëmëndjen. Po kështu edhe një njeri i rritur, e ka të vështirë ta përqëndrojë vëmendjen e tij në një material të pavlerë apo në një fjalë monotone, pasi të qënit pa interes ose përsëritja e vazhdueshme bëjnë që të humbë interesi i organizmit për të.
Në qoftë se në etapat e zhvillimit të njeriut vëmendja mund të shkaktohet vetëm nga sendet e perceptuara drejtpërdrejt, në etapat e mëvonshme të zhvillimit ajo drejtohet në objekte që mund të përfytyrohen ose mund të merren me mend. Kështu p.sh fëmija sa më tepër rritet aq më shumë mund të bëjë abstraksion, të largojë vëmendjen nga kushtet në të cilat gjendet në momentin e dhënë dhe të përqëndrohet në një ngjarje të jetuar më parë ose të hyjë më në brendësi të problemeve dhe detyrave me karakter logjik dhe t'i zgjidhë ato.
Të gjitha këto zhvillohen gradualisht tek njeriu.
Vëmendja në ndryshim nga proceset e tjera psikike përbën një anë të të gjitha veprimtarive psikike të njeriut. Në çdo moment të dhënë njeriu percepton diçka ose imagjinon diçka. Por nuk ka një moment të tillë që ai të merret vetëm me procesin e vëmendjes. Vëmendja duke qenë vetëm një anë e psikikës luan një rol të madh gjatë perceptimit, të menduarit dhe veprimtarisë jetësore. Gjithashtu ajo luan një rol të rëndësishëm në njohjen e realitetit objektiv dhe në veprimtarinë praktike të njeriut.
Nga të gjithë ngacmuesit që veprojnë në një moment të caktuar mbi njeriun, perceptohen në mënyrë më të qartë dhe me të plotë dhe mbahen mend më më mirë ata që tërheqin vëmendjen e njeriut. Prandaj themi se vëmëndja është kusht i domosdoshëm për kryerjen me sukses të çdo lloj veprimtarie qoftç mendore apo fizike.

Bazat fiziologjike të vëmendjes.

Për të kuptuar bazat fiziologjike të vëmëndjes rol të rëndësishëm luan vatra me nxitshmëri optimale d.m.th. përqëndrimi i nxitjes nervore në disa seksione të caktuara të kores së trurit dhe frenimi i sektorëve të tjerë. Ky fenomen ngjet në sajë të induksionit reciprok. Vatra me nxitshmëri optimale, në një moment të caktuar, përbën sektorin më krijues të hemisferave të mëdha të trurit, në të cilat krijohen lehtë reflekse të reja të kushtëzuara dhe përpunohen me sukses diferencimet. Me këtë vatër lidhet puna më e kthjellët e vëmendjes.
Vatra me nxitshmëri optimale nuk qëndron vazhdimisht në një sektor të kores, por ajo lëviz nga njëri sektor në tjetrin.
Për të dhënë një kuptim më të plotë mbi mekanizmat fiziologjike të vëmendjes, një r
ndësi të madhe kanë dhe studimet shkencore mbi dominanten, vatrën me nxitshmëri të tillë që dominon të tjerat dhe mbisundon mbi to. Ndërsa vatra me nxitshmëri optimale është e lëvizshme, dominantja është e qëndruehme.
Vëmendja ka shprehjen e saj të jashtme dhe të brendshme. Shprehja e jashtme e vëmendjes në mimikën dhe lëvizjet, veçanërisht në shprehjen e syve, drejtimin e vështrimit etj. Ndërsa shprehja e brëndshme shfaqet në tensionin nervor dhe muskulor që shoqërohet me lodhjen mendore, fizike dhe me ndryshim në veprimtarinë e organeve të brendshme si pulsi, frymëmarrja etj.

Llojet e vëmendjes.

Duke pasur parasysh faktorët që e shkaktojnë vëmendjen, atë e ndajmë në dy lloje kryesore - në vëmendje të vullnetshme dhe të pavullnetshme.
Vëmendje të pavullnetshme quajmë të drejtuarit dhe të përqëndruarit e veprimtarisë sonë psikike në një objekt apo fenomen, pa i vënë vetes ndonjë qëllim të caktuar dhe pa bërë ndonjë përpjekje të veçantë.
Shkaqet e nxitjes së vëmendjes së pavullnetshm janë të ndryshëm për nga lloji dhe karakteristikat. Këto shkaqe mund ti ndajmë në dy kategori.
Në kategorinë e parë të shkaqeve bën pjesë karakteri i ngacmuesit të jashtëm. Këtu duhet përmendur para sëgjithash, forca dhe intesiteti i ngacmuesit. Çdo ngacmues i fortë: tingull i lartë, drita e fortë, goditjet e forta, në mënyrë të pavullnetshme tërheqin vëmendjen tonë.
Rol të rëndësishëm luan në këtë drejtim, jo vetëm forca absolute e ngacmuesit, por edhe ajo relative. Rëndësi të veçantë ka kontrasti ndërmjet ngacmuesve. Dihet se qetësia dhe zhurma, të folurit me zë të ulët dhe të lartë, errësira dhe drita janë kontraste që tërheqin vëmendjen. Ose p.sh. madhësia e një objekti apo veçantia e tij në krahësim me objektet e tjera që e rrethojnë e tërheq më shpejt vëmendjen. Ngacmuesit e rinj dhe ndryshimet e papritura të ngacmuesve janë shkaqe të rëndësishme për tërheqjen e vëmendjes. së pavullnetshme.
Në kategorinë e dytë të shkaqeve që tërheqin vëmendjen e pavullnetshme bën pjesë të përputhurit e ngacmuesit të jashtëm me gjëndjen e brëndshme të njeriut e para së gjithash me kërkesat e tij. Kur na ka marrë uria, të gjitha ngacmimet që na kujtojnë ushqimin, si biseda për të ngrënit, era e këndshme e gjellëve, etj, në mënyrë të pavullnetshme na tërheqin vëmendjen tonë. Ndërsa kur jemi të ngopur nuk ndodh një gjë e tillë.
Për tërheqien e vëmëndjes një rol të rëndësishëm luajnë interesat e njeriut. Interesante, është çdo gjë që lidhet ngushtë me aktivitetin jetësor të njeriut ose me detyrat e tij kryesore.
Baza fiziologjike e vëmendjes së pavullnetshme është refleksi orientues i quajtur "ç'është kjo?". Në rastet e vëmëndjes së pavullnetshme vatra me nxitshmëri optimale krijohet në sajë të refleksit orientues.
Vëmendja e vullnetshme është të drejtuarit dhe të përqëndruarit e vetëdijshëm të veprimtarisë psikike mbi një objekt apo fenomen me qëllim të caktuar dhe në mënyrë të planifikuar.
Vëmendja e vullnetshme është një kusht i domosdoshëm për kryerjen me sukses të çdo pune fizike ose mendore. Ajo na ndihmon të jemi më efektiv dhe të shpenzojmë më pak kohë dhe energji gjatë kryerjes së një aktiviteti mendor ose fizik.
Vëmendja e vullnetshme krijon mundësinë që ne të merremi jo vetëm me atë punë që na intereson, por edhe me atë që nuk paraqet interes të drejtpërdrejtë d.m.th. jo vetëm me atë që na "pëlqen" por edhe me atë që "duhet". Vëmendja e vullnetshme shfaqet jo vetëm në sforcimin e vullnetit, por edhe në tensionin e brendshëm nervor dhe psikik të organizmit dhe me një shpenzim të caktuar energjie fizike dhe mendore.
Sa më pak tërheqës dhe interesant të jetë fenomeni, sendi apo objekti, aq më tepër përpjekje kërkon për tu përqëndruar vëmendja mbi të, pra aq më e vullnetshme duhet të jetë vëmendja.
Vëmendja e vullnetshme dallohet dhe përcaktohet nga qëllimet dhe detyrat që vemë para vetes në veprimtarinë tonë, nga përgatitja paraprake dhe qëndrueshmëria e qëllimeve dhe motiveve tona.
Edhe vëmendja e vullnetshme lidhet ngusht me interesat e njeriut. Por, në qoftë se vëmendja e pavullnetshme shkaktohej nga interesat e drejtpërdrejta, vëmendja e pavullnetshme lidhet me interesat në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.
Të dyja llojet e vëmendjes janë të lidhura ngushtë ndërmjet tyre. Vëmendja e vullnetshme mund të shndërrohet në vëmendje të pavullnetshme dhe anasjelltas. P.sh ndodh që një lojë apo veprimtari e filluar me shumë interes e që tërheq vëmendjen në mënyrë të pavullnetshme të vështirësohet, bën që të bjerë interesi dhe për ta çuar deri në fund, kërkohet përpjekje e vullnetshme d.m.th. kalon tek vëmendja e vullnetshme.
Nga pikëpamja e fiziologjike vëmendja e vullnetshme lidhet me vatrat me nxitje optimale në koren e trurit, të cilat shkakton dhe përforcohen nga sinjalet ngacmuese "fjalë". Këto fjalë bëhen stimuli kryesor për të drejtuar vëmendjen mbi këtë apo atë objekt.

Veçoritë kryesore të vëmendjes

Veçoritë kryesore të vëmendjes janë: lëvisshmëria, përqëndrimi, vëllimi, shpërndarja, qëndrueshmëria, paqëndrueshmëria dhe hutesa.
1. Lëvisshmëria e vëmendjes është aftësia e vetëdijes për të kaluar me lehtësi nga një objekt në tjetrin ose nga një lloj veprimtarie në tjetrën.
Lëvisshmëria e vëmendjes është një veçori që zhvillohet dhe edukohet në veprimtarinë praktike të njeriut. Ajo mund të bëhet në mënyrë të vullnetshme ose të pavullnetshme. Kur bëhet në mënyrë të vullnetshme, me një qëllim të caktuar quhet zhvendosje e vëmendjes. Ndërsa kur bëhet pa ndonjë qëllim, quhet tërheqje e vëmendjes.
Zhvendosja e vëmendjes bëhet herë me lehtësi e herë me vështirësi, kjo varet nga fakti se sa intensive ka qënë ajo ndaj objekteve apo veprimtarisë së parë si dhe nga karakteri i objekteve apo veprimeve të reja ku ajo tani drejtohet.
Ashtu si veçoritë e tjera të vëmendjes edhe lëvisshmëria e saj mund të ushtrohet me anë të lojrave dhe ushtrimeve të ndryshme mendore në mënyrë që të fitohet aftësia e kontrollit dhe zhvendosjes në mënyrë të vullnetshme të saj.
Kjo kërkon aftësi për tu orjentuar dhe përshtatur më shpejt me kushtet ose rrethanat që ndryshojnë në mënyrë të papritur.
Baza fiziologjike e lëvisshmërisë së vëmendjes është zhvendosja e vatrës më nxitshmëri optimale nga një qëndër e kores së trurit në një qëndër tjetër të saj.
2. Përqëndrim të vëmendjes kemi atëhere, kur e drejtojmë atë në një objekt ose në një lloj veprimtarie. Përqëndrimi është fenomen i kundërt me shpërndarjen e vëmendjes dhe karakterizohet nga shkalla e drejtimit të saj në një objekt të caktuar dhe shkalla e shkëputjes nga objektet e tjera. E tillë është vëmendja p.sh. kur shkojmë perin në gjilpërë, kur zgjidhim një detyrë mendore, dëgjojmë një tregim interesant etj.
Të përqëndruarit e vëmendjes luan një rol të madh si në procesin e përvetësimit të njohurive ashtu dhe në kryerjen me sukses të detyrave apo veprimtarive të tjera jetësore. Aftësia e përqëndrimit të vëmendjes nuk është e lindur. Ajo mund të zhvillohet dhe edukohet në veprimtarinë e përditshme, veçanërisht gjatë proceseve mësimore.
Baza fiziologjike e përqëndrimit të vëmendjes së vullnetshme është vatra e nxitjes optimale në një nga sektorët e kores së trurit që shoqërohet nga një frenim i fuqishëm i sektorëve të tjerë aktiv.

3. Vëllimi i vëmendjes karakterizohet nga sasia e objekteve që mund të pasqyrohen shpejt, njëkohësisht dhe me qartësi të njejtë në vetëdijen tonë. Vëllimi i vëmendjes është një cilësi pozitive dhe ka një rëndësi të madhe për jetën e njeriut. Sipas vëllimit vëmendja mund të jetë e ngushtë ose e gjërë. Për të përcaktuar vëllimin e vëmendjes përdoret një aparat që quhet tahistoskop. Nga rezultatet e eksperimenteve është vërtetuar se njeriu i rritur mund të kapë me vëmendjen e tij brenda 1/20 fraksion të sekondës, mesatarisht 4-6 objekte njëkohësisht të cilët nuk kanë lidhje ndërmjet tyre, ndërsa fëmijët e moshës 6 vjeç mund të kapin 1-2. Dhe në qoftë se sendet kanë lidhje ndërmjet tyre ky numër rritet.
Baza fiziologjike e vëllimit të vëmendjes është të zgjeruarit ose të ngushtuarit e vatrave me nxitshmëri optimale në koren e trurit.

4. Shpërndarja e vëmendjes nënkupton një organizim të tillë të veprimtarisë psikike gjatë së cilës kryhen njëkohësisht dy ose më tepër veprime. Aftësia për ta shpërndarë vëmendjen luan një rol të madh në çdo lloj pune.
Shpërndarja e vëmendjes varet shumë nga shkalla e zotërimit të veprimeve të dhëna. Sa më shumë që ta njohim një veprim, sa më i zakonshëm që të jetë bërë ai, aq më lehtë e kemi që ta kryejmë atë njëkohësisht me veprime të tjera.

5. Qëndrueshmëria e vëmendjes është aftësia për ta ruajtur atë për një kohë të gjatë në një objekt ose fenomen të caktuar. Treguesi i qëndrueshmërisë së vëmendjes ështëkoha, gjatë së cilës bëhet pasqyrimi i sendeve apo i veprimtarive të ndryshme në vetëdijen tonë. Duhet pasur parasysh se me qëndrueshmëri të vëmendjes nuk do të kuptojmë vetëm drejtimin e saj të vazhdueshëm në po të njejtin objekt. Objektet e veprimtarisë mund të ndryshohen, ndërsa vëmendja drejtohet vazhdimisht mbi veprimtarinë në mënyrë të qëndrueshme. Për kryerjen e çdo pune kërkohet një kohë e caktuar. Prandaj, çdo njeri duhet të ketë vëmendje të qëndrueshme, sepse po nuk mundi ta përqëndrojë vëmendjen për një kohë të mjaftueshme mbi një pbjekt, ai nuk do të mundet as të luaj, as të mësojë e as të kryej ndonjë punë të dobishme.
Qëndrueshmëria e vëmendjes varet nga përmbajtja e punës ose karakteri i objektit. Në qoftë se puna ose objekti ku drejtohet vëmendja është me përmbajtje të pasur dhe interesante, atëhere dhe qëndrueshmëria e saj do të ruhet për një kohë të gjatë. Por, në qoftë se objekti do të jetë i varfër nga përmbajtja, vëmendja do të lëkundet dhe nuk do të përqëndrohet.
Për ruajtjen e qëndrueshmërisë së vëmendjes rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorë të tillë si gjendja emocionale, vullneti, interesat, kushtet e përshtatshme të punës, gjendja shëndetësore, si dhe evitimi i shkaqeve të tjera që pengojnë përqëndrimin.

6. Lëkundja e vëmendjes shprehet në mungesën e qëndrueshmërisë së saj për një kohë të gjatë në një objekt të caktuar. Lëkundjen e vëmendjes duhet ta dallojmë nga rritja ose ulja e përqëndrimi të vëmendjes, kur ajo brenda një kohe të shkurtër bëhet më pak ose më shumë e qëndrueshme. Lëkundjet e vëmendjes i vërejmë edhe atëhere kur ajo është e përqëndruar. Këto lëkundje shprehen në faktin se gjatë përqëndrimit të saj në një veprimtari të caktuar, ajo në momente të ndryshme kalon nga objekti kryesor tek një objekt tjetër dhe pas pak kohe kthehet përsëri tek kryesori.
Lëkundja e vëmendjes shkaktohet nga lodhja e qendrave nervore në procesin e veprimtarisë që kryhet me vëmendje intensive.

Hutesa

Hutesa është shfaqja e kundërt e vëmendjes. Në rastin tonë është një situatë kur njeriu nuk është në gjëndje ta përqëndrojë dhe ta ruajë vëmendjen për një kohë të gjatë në asnjë objekt, po përkundrazi shkëputet shpesh nga këto objekte nën ndikimin e ngacmuesve të jashtëm që nuk kanë rëndësi.
Shkaqet e hutesës janë të ndryshme. Njohja e tyre është e domosdoshme në mënyrë që ajo të luftohet. Shkaku i hutesës mund të jetë çrregullimi i përgjithshëm i sistemit nervor (nevrastenia), anemia etj Nganjëherë hutesa është rezultat i lodhjeve fizike dhe mendore, rezultat i emocioneve të forta dhe vuajtjeve, tronditjeve të rënda. Një nga shkaqet e hutesës është mbingarkesa e trurit me përshtyoje të shumta, jashtë mase. Mungesa e një regjimi të kujdesshëm ku ti lihet hapsire pushimit, argëtimit dhe zbavitjes është gjithashtu një faktor që ndikon në shfaqen e hutesës.
Në arsim p.sh. mësimet e mërzitshme, monotone, që nuk kërkojnë përpjekje të vullnetshme janë gjithashtu një nga burimet e hutesës.


Kapitulli 6

KUJTESA


Njohuri të përgjithshme mbi kujtesën

Figurat e sendeve dhe objekteve që na rrethojnë, të cilat lindin gjatë proceseve të ndijimeve dhe perceptimeve, nuk zhduken edhe pasi këto sende apo objekte pushojnë së vepruari mbi organet e shqisave tona.
Një figurë, ndjenjë apo mendim i perceptuar nga njeriu, nuk mund të zhduket pa lënë gjurmë mbi organizëm, por ai mbahet mend, ruhet dhe mund të riprodhohet në të ardhmen. Pra, kujtesa si proces psikik përbëhet nga të mbajturit mend, të ruajturit dhe të riprodhuarit. Në kujtesë, përveç proceseve përbërëse të më sipërme, bën pjesë edhe njohja.
Procesi i riprodhimit dhe i njohjes mund të kryhet vetëm në sajë të të mbajturit mend dhe të të ruajturit në vetëdije të të gjitha atyre që ne kemi perceptuar, menduar dhe jetuar më parë. Në qoftë se mungon aftësia e të mbajturit mend ose e ruajtjes në trurin tonë, atëhere ne nuk do të kemi mundësi t'i riprodhojmë ose t'i njohim kur t'i riperceptojmë ato. Proceset kryesore të kujtesës janë: të mbajturit mend, të ruajturit, të riprodhuarit dhe njohja. Të mbajturit mend dhe të ruajturit janë proces bazë të kujtesës, ndëra të riprodhuarit dhe të njohurit janë procese që rrjedhin prej tyre.
Procesi kundërt i kujtesës është harresa.
Kujtesa si një proces psikik luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut. Në qoftë se një njeri do të harronte gjithçka që kishte perceptuar, që kishte ndjerë dhe që kishte bërë, atëhere të ky njeri do të ishte i pamundur zhvillimi psikik.
Gjatë procesit të të mësuarit njeriu pasuron kujtesën e tij jo vetëm me njohuri të cilat i fiton nga përvoja personale, por edhe ato njohuri që janë grumbulluar ndër vite nga brezat e shkuar.
Pa kujtesën njeriu nuk do të ishte në gjëndje të mësonte asgjë të re dhe nuk do të ishte në gjëndje të vepronte.
Kujtesë quajmë atë proces psikik kur mbajmë mend, ruajmë, riprodhojmë dhe njohim çdo gjë që kemi perceptuar, menduar, jetuar dhe vepruar më parë. Me fjalë të tjera mund të themi se kujtesë quhet pasqyrimi i përvojës së kaluar në vetëdijen tonë.

Përfytyrimet

Si bazë kryesore për kujtesën shërbejnë përfytyrimet.
Përfytyrimet janë të ngjashme me perceptimet. Por, nëse figurat e perceptimeve lindin nga kontakti i drejtpërdrejtë me objektet apo sendet më organet e shqisave, figurat e përfytyrimeve lindin në bazë të perceptimeve të kaluara. Kështu p.sh. me sy të mbyllur njeriu mund të përfytyrojë çfarëdo objekti që ka pas perceptuar më parë.
Përfytyrimet ndryshojnë nga figurat e perceptimeve. Ky ndryshim vërehet në këto drejtime:
a) Perceptimet janë më të qarta dhe më të sakta nga figurat e përfytyrimeve. P.sh. figura e një njeriu përfytyrohet qartë kur ai qëndron para nesh, ndërsa kur nuk e perceptojmë drejtpërsëdrejti me anë të organeve të shqisave, figura e tij shfaqet si e zbetë dhe e turbullt.
b) Përfytyrimet shpesh janë fragmentare d.m.th. të pjesshme, në krahasim me perceptimet, të cilat janë të plota. Kështu p.sh. nëse do të përpiqemi të përfytyrojmë një njeri të njohur me të gjitha veçoritç e tij, do të mund të sjellim para syve të mendjes herë fytyrën e tij, herë buzëqeshjen, herë zërin, herë mënyrën e veshjes etj, etj.
Zakonisht përfytyrojmë më qartë ato gjëra që na lënë më shumë mbresa.
c) Figurat e perceptimeve qëndrojnë në vetëdijen tonë përderisa objekti vepron mbi organet e shqisave, ndërsa figurat e përfytyrimeve janë të paqëndrueshme. Kështu, po të përpiqemi të përfytyrojmë figurën e ndonjë të afërmit tonë, kjo figurë nuk do të qëndrojë gjatë përpara syve të mëndjes, por shpejt do të zëvendësohet me një tjetër figurë. Për ta ringjallur (përsëri) përfytyrimin e një objekti të caktuar duhet të bëjmë disa përpjekje të vullnetshme.
d) Së fundi, përfytyrimet kanë karakter përgjithësues, ato janë përgjithësimi i perceptimeve, sepse në të shumtën e rasteve, kanë të bëjnë me një farë përpunimi të figurave të perceptimeve. P. sh. përfytyrimi i një të afërmi që ndodhet larg nesh ndodh duke përpunuar perceptime të ndryshme të tij dhe duke formuar me to një figurë të vetme. Kjo si rezultat i përgjithësimit të rasteve të veçanta të perceptimeve.
Përfytyrimet përmbajnë në vetvete figura të imagjinatës, të të menduarit dhe të ndjenjave.

Baza fiziologjike e kujtesës

Njeriu mban mend, ruan, riprodhon dhe njeh sendet që ka parë e dëgjuar në sajë të vetisë që ka truri.
Me shprehjen "veti plastike e trurit" duhet të kuptojmë aftësinë që ka truri për të fiksuar dhe ruajtur gjurmët që lënë ngacmuesit e ndryshëm kur veprojnë mbi organet e shqisave tona. Kështu p.sh. veprimi i objekteve ose i sendeve të ndryshme mbi ne, lë gjurmë për pak kohë ose mundet edhe për kohë të gjatë varësisht nga lloji. Përderisa këto gjurmë (ndryshe lidhje nervore) ruhen, ne jemi nëgjëndje t'i riprodhojmë më mëndjen tonë sa herë të duam figurat ose perceptimet e sendeve objekteve apo fenomeneve të perceptuara më parë, ose mund t'i njohim ato kur i riperceptojmë.
Gjatë ditës, kur jemi në rrugë, në punë ose në shtëpi ne fitojmë mbresa të shumta; d.m.th. në trurin tonë formohen lidhje nervore të ndryshme. Por jo të gjitha këto lidhje nervore ruhen njëlloj në kujtesë. Shumë nga këto mbresa zhduken shmë shpejt.
Të mbajturit mend, ruajtja, riprodhimi dhe njohja varen dhe kanë lidhje me shumë faktorë. Ato varen nga kushte të caktuara dhe janë nën ndikimin e lidhjeve të ndryshme që ekzistojnë ndërmjet tyre.
Mbajtja mend e figurave, mendimeve, fjalëve, ndjenjave, lëvizjeve, ngjarjeve ose fakteve ndodhet në lidhje të ngushtë të njërës mbresë me mbresat e tjera, në varësi të veprimit të tyre mbi shqisat tona.
Në bazën e veprimtarisë së kujtesës qëndrojnë lidhjet e përkohshme nervore.

Proceset kryesore të kujtesës.

Proceset kryesore të kujtesës janë:
1.Të mbajturit mend. Ky është procesi bazë i kujtesës. Të mbash mend do të thotë të krijosh në tru lidhje të përkohshme. Të mbajturit mend mund të jetë i vullnetshëm dhe i pavullnetshëm, mekanik ose logjik.
a) Të mbajturit mend i pavullnetshëm është atëhere kur nuk i kemi vënë vetes qëllim të caktuar. Kështu, p.sh. ne mbajmë mend objekte, ngjarje, tinguj etj ..etj pa i vënë vetes qëllim pa u sforcuar, vetëvetiiu dhe pa e planifikuar një gjë të tillë. Zakonisht mbahet mend, në radhë të parë gjithëçka që na tërheq dhe që na intereson. Në raste të tilla themi "këtë nuk do të harroj kurrë" qoftë kjo ngjarje ose çfarëdo tjetër që na ka lënë gjurmë të forta. Një pjesë e madhe e mbresave të fëmijërisë së hershme janë të pavullnetshme dhe shumë të forta. Megjithëse të fituara në fëmijëri, ato mund të ruhen gjatë gjithë jetës Por kuptohet se këto lloj mbresash, kanë karakter të rastit dhe episodit (janë fragmentare) prandaj nuk mund t'i sigurojnë njeriut njohuri sistematike. Mbajtja mend në mënyrë të pavullnetshme nuk mund të luajë ndonjë rol kryesor në jetën e njeriut.
b) Të mbajturit mend i vullnetshëm është një veprimtari e ndërgjegjshme që ndihmon efektivisht në pajisjen e njeriut. Ajo zhvillohet dhe edukohet gjatë jetës së njeriut dhe mund të perfeksionohet më tej gjatë ushtrimit të saj. Ky lloj të mbajturi mend kërkon qëllim paraprak dhe përpjekje për tu realizuar, ai nuk është i rastësishëm.
c) Të mbajturit mend mekanik bazohet në lidhjen e jashtme të objekteve, në lidhjen formale të tyre. P.sh. të mbajturit mend të vargjeve poetike që kanë rimë, pra duke u bazuar thjeshtë tek renditja ee fjalëve njëra pas tjetrës. Ky lloj të mbajturi mend realizohet në sajë të përsëritjeve tëshpeshta dhe të njëllojta. Në vjersha ose poezi fillimi i frazës paraardhëse lidhet mekanikisht me atë të mëpasshmen, aq sa ndodh që nuk mund ta fillojmë dot në mes apo në një pjesë tjetër vetëmse duke ja nisur nga e para. Njeriu duke mbajtur mend perceptimin e objekteve, të veprimeve dhe të fjalëve vetëm sipas renditjes së tyre në hapsirë, nuk shquan kryesoren, prandaj dhe njohuritë ndonj
herë marrin karakter formal. Por, kjo nuk do të thotë që njeriut nuk i vlen të mbajturit mend mekanik. Përkundrazi, kur mësojmë përmendësh, ose kur duam të mbajmë mend emra, tituj, shifra, adresa, fjalë, formula etj nuk mund të bëjmë dot pa këtë lloj të mbajturi mënd.
d) Të mbajturit mend logjik ndryshe nga ai mekanik, bazohet në të kuptuarit e thelbi apo brendisë së objekteve, sendeve ose çshtjeve që kemi perceptuar në të kaluarën. Zakonisht ai lidhet me zbulimin e lidhjeve të brëndshme të objekteve dhe fenomeneve, me krahasimin, analizën e fakteve, nxjerrjen e konkluzjoneve dhe ndërthurjen e njohurive të reja me ato të kaluarat.
Të mbajturit mend logjik është shumë herë më produktiv sesa ai mekanik, por të dy janë të nevojshëm dhe janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin.
2) Të ruajturit. Ky është një ndër proceset bazë të kujtesës. Të ruash në kujtesë do të thotë të fiksosh dhe t'i mbash për një kohë të gjatë ato lidhje që krijohen nëpërmjet të mbajturit mend.
Lidhjet e përkohshme nervore që fiksohen në tru ndryshohen nën ndikimin e veprimit të ngacmimeve të reja. Procese i ruajtjes nuk është një proces mekanik i kujtesës. Ai është proces krijues, sepse njohuritë e fituara më parë, gjatë kohës së ruajtjes pësojnë ndryshime, përpunohen, lidhen ndërmjet tyre dhe kombinohen me njhuri të reja. Në trurin e njeriut ruhen për një kohë shumë të gjatë ato lidhje nervore, të cilat kanë rëndësi jetike për rritjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të njeriut. Prandaj është e rëndësishme që në rininë e tij njeriu të përpiqet të formojë lidhje nervore që do t'i shërbejnë atij për të ardhmen pasi është vërtetuar se qelizat nervore kanë aftësi të madhe pune në rini dhe ato dobësohet gradualisht në pleqëri. Kështu p.sh. në pleqëri, njeriu ruan mirë në vetë dijen e tij dhe riprodhon mendimet, fjalët ose shprehitë e fituara në rini dhe harron më lehtë ato të rejat.
3) Të njohurit. Ky është proces rezultativ i kujtesës, sepse vjen si rezultat i të mbajturit mend dhe i të ruajturi. Të njohurit shprehet me riperceptimin e objekteve dhe fenomeneve, të cilat i kemi perceptuar më parë dhe shfaqet me riaktivizimin e lidhjeve nervore të mëhershme.
4) Riprodhimi. Ky është proces i kujtesës, i cili shprehet në ringjalljen e lidhjeve të përkohshme nervore që janë formuar në vetëdijen e njeriut gjatë procesit të të mbajturit mend dhe që ruhen në trurin e tij. Riprodhimi është proces rezultativ i kujtesës. Por, ndryshe nga njohja, riprodhimi është dy llojesh: i vullnetshëm dhe i pavullnetshëm.
Riprodhimi është i pavullnetshëm kur ky proces ndodh pa ndonjë qëllim të caktuar dhe pa e planifikuar më parë. P.sh. nëse dikush na kujton një ngjarje të jetuar më parë, ne e riprodhojmë atë dhe bashkë me të na vijnë në mëndje ngjarje të tjera që mund të mos kenë lidhje të drejtpërdrejtë me të, ky riprodhim është i pavullnetshëm dhe lind pa u sforcuar.
Ndërsa riprodhimi i vullnetshëm është më i vështirë në krahasim me njohjen dhe riprodhimin e pavullnetshëm. Ka raste p.sh. që sendet, objektet ose fenomenet nuk jemi në gjëndje t'i riprodhojmë atëherë kur na kërkohet. Në këtë rast na duhet ta riperceptojmë atë që na kërkohet me qëllim që të ringjallim në vetëdijen tonë lidhjet e përkohshme nervore.
5) Harresa. Harresa është procesi i kundërt i kujtesës, një shfaqe e saj, por me natyrë tjetër të ndryshme nga proceset e tjera. Studimet e bëra tregojnë se jo të gjitha lidhjett nervore që janë formuar gjatë procesit të të mbajturit mend ruhen në trurin e njeriut. Përkundrazi, nën ndikimi e gjërave ose ngjarjeve të reja që mëson njeriu, lidhjet e vjetra nervore dobësohen dhe ngandonjëherë zhduken fare. prandaj, harresa është shprehja e zhdukjes së përvojës nga vetëdija jonë.
Harresa ka dy shkaqe dhe mund të jetë: e përkohshme dhe e përhershme.
Harresa e përkohshme ka si bazë fiziologjike frenimin e përkohshëm të lidhjeve nervore. P.sh. kur na kërkohet një emër apo ngjarje që ne e dimë shumë mirë mirëpo për momentin nuk na kujtohet.
Harresa e përhershme kur edhe pas përpjekjeve të ndryshme dhe të herëpashershme për të kujtuar diçka nuk kemi rezultat, kjo sepse lidhjet e përkohshme nervore janë këputur.
Për të luftuar harresën na shërben përsëritja e rregullt në intervale kohe e saj dhe praktikimi i saj.
Nga ana tjetër harresa është një proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm, sepse njeriu po të mbante mend gjithëçka që perceptonte, kujtesa e tij do të mbushej me gjëra të vogla e të parëndësishme e si pasojë truri do të lodhej shpejt.

Llojet e kujtesës

Llojet e kujtesës janë: kujtesa motorike ose lëvizore, kujtesa figurative, kujtesa logjike, kujtesa mekanike dhe kujtesa emocionale.
Kujtesa motorike ose lëvizore është kujtesa e të mbajturit mend, e të ruajturit, e njohjes, dhe e të riprodhuarit të lëvizjeve të perceptuara më parë.
P.sh. kjo ndodh kur na kërkohet të imitojmë një lëvizje perceptuar më parë ose një ushtrim fizik të mësuar më parë.
Kujtesa figurative është kujtesa e të mbajturit mend, e të ruajturit dhe të riprodhuarit dhe njohjes së figurave të sendeve që kemi parë më parë. Këtë lloj kujtese e kemi p.sh. kur pasi ke mi parë një tablo, arrijmë të riprodhojmë ato gjëra që kemi perceptuar në të. Kjo lloj kujtese zakonisht është më zhvilluar tek fëmijët e vegjël, prandaj dhe librat e tyre me përralla ose tregime janë të mbushur me ilustrime dhe figura, sepse kjo i ndihmon ata për ta kujtuar dhe riprodhuar më mirë një ngjarje.
Kujtesa logjike është kujtesa e të mbajturit mend, e të ruajturit, e njohjes dhe të riprodhuarit e përmbajtjes ose mendimit kryesor të një pjese tregimi ose thelbi apo idesë kryesore të një libri. Me anë të kësaj ne mbajmë mend dhe riprodhojmë mendimet kryesore të shprehura me anë të fjalëve duke ndijekur një rrjedhë logjike mendimi në një drejtim të caktuar.
Kujtesa mekanike është kujtesa e të mbajturit mend, njohjes dhe të riprodhimit të një vargu, vjershe, poezie apo tregimi në mënyrë të fjalpërfjalshme duke u fokusuar thjesh tek renditja e sakte e fjalëve sipas një rendit të përcaktuar. Kjo zakonisht mundësohet nga rima që kanë vargjet ose nga përsëritja e shpeshtë e tyre.
Kujtesa emocionale është kujtesa e të mbajturit mend, e të ruajturit, e njohjes dhe riprodhimit të ndjenjave dhe emocioneve të jetuara më parë. Këtë lloj kujtese e kemi atëhere kur mbajmë mend, ruajmë, njohim dhe riprodhojmë objekte ose ngjarje që na kanë bërë shumë përshtypje në jetë, që na kanë lënë më shumë mbresa dhe na kanë prekur më shumë.

Tipet e kujtesës

Ne flasim për tipet e kujtesës duke pasur parasysh edhe ndryshimet individuale të njerëzve ë fushën e kujtesës.
Tipet e kujtesës janë: pamore, dëgjimore, muskularo-lëvizore dhe tipi i përzier.
Në njerëz të ndryshëm kujtesa paraqitet e ndryshme. Kështu p.sh. disa njerëz kanë më shumë të zhvilluar tipin pamor, disa atë dëgjimor të tjerë tipin muskularo-lëvizor kjo varet nga personi. Për të përcaktuar se cilit tip kujtese i përket dikush, duhet të nisemi nga analizatori që luan rolin kryesor. P.sh. disa njerëz e mbajnë mend më mirë diçka nëse e dëgjojnë, të tjerë nëse e shohin me lëvizje apo me skica dhe figura etj. Por ka dhe nga ata që ikombinojnë të dhitha këto. Ky lloj tipi kujtese është më i përhapur dhe më frytdhënës për njeriun në aktivitetin e tij.


Kapitulli 7

IMAGJINATA


Njohuri të përgjithshme për imagjinatën.

Kemi thënë se me anë të perceptimeve njeriu pasqyron në vetëdijen e vet sendet dhe fenomenet në tërësi që veprojnë drejtpërsëdrejti në organet e shqisave. Kështu, gjatë jetës së tij njeriu percepton një numër të madh sendesh dhe fenomenesh, që ruhen në kujtesë dhe që shpesh riprodhohen në vetëdijen e tij. Në këto raste kemi të bëjmë me përfytyrimet.
Por, në vetëdijen tonë krijojmë shpesh edhe figura të reja sendesh e fenomenesh, megjithëse ato nuk i kemi perceptuar drejtpërsëdrejti.
Kështu ndodh shpesh kur dëgjojmë një histori, kur lexojmë një roman apo tregim, ne krijojmë në vetëdijen tonë figura të reja të pa perceptuara drejtpërsëdrejti thjeshtë ato i ndërtojmë në bazë të asaj që lexojmë ose dëgjojmë. Pra, është e qartë se këto janë thjeshtë fantazi ose imagjinatë e jona.
Megjithatë, perceptimet dhe përfytyrimet e kujtesës qëndrojnë në bazë të imagjinatës. Vërtet mund të mos e kemi perceptuar drejtpërsëdrejti diçka, por ne ruajmë në kujtesën tonë figura dhe përfytyrime të ndryshme të mara nga realiteti, dhe të cilat duke i kombinuar me njëra-tjetrën nxjerrim një figurë të re të asaj që po dëgjojmë ose lexojmë.
Të gjitha këto rezerva ruhen në kujtesën tonë
Me anë të të menduarit njeriu i përpunon dhe i kombinon në mënyrë krijuese përfytyrimet e kujtesës për të nxjerrë figura të reja të imagjinatës.
Pra, imagjinata nuk është një bashkim mekanik, por logjik, krijues i sendeve dhe i fenomeneve të perceptuara më parë. Imagjinata megjithëse mbështet në perceptimet dhe përfytyrimet e kujtesës, është një proces më i ndërlikuar se ato.
Sa më shumë rezerva perceptimesh dhe përfytyrimesh të ketë njeriu aq më të pasur e ka përmbajtjen e imagjinatës. Pra, përmbajtja e imagjinatës dhe zhvillimi i saj varen shumë nga përvoja dhe njohuritë e njeriut.

Imagjinata dhe veprimtaria e saj

Imagjinata luan një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e botës reale në vetëdijen tonë. Ajo ka rëndësi të gjithanshme në veprimtarinë e njeriut për njohjen dhe shndërrimin e botës. Imagjinata na zgjeron horizontin e dijeve, duke hapur "dritare" të shumta për të njohur zhvillimin e botës njerëzore që nga zanafilla e saj.
Me anë të saj të njihemi më mirë me të kaluarën tonë, të zgjerojmë tablonë e sotme dhe të ndërtojmë përfytyrime të së ardhmes sonë.
Ku më pak e ku më shumë, imagjinata i ushqen njerëzit e të gjitha fushave dhe sferave të veprimatarisë njerëzore por në mënyrë të veçantë ajo i shërben artistëve dhe shkrimëtarëve në punët e tyre krijuese. Por, megjithatë ajo nuk është "pronë" vetëm e tyre por ajo i shërben edhe zhvillimit teknologjik dhe shkencor.
Imagjinata ka lidhje edhe me procese të tjera psikike, sidomos me ndjenjat. Ajo shpesh herë ndikon tek njeriu duke i sjellë entuziazëm dhe zell të dobishëm, P.sh. fjalët artistike të mësuesit të letërsisë i japin krah imagjinatës së nxënësve, që bëhet për ta burim ndjenjash dhe emocionesh.
Fantazia e lindur nga fjalët dhe veprat e dobishme, i shërben njeriut për ta motivuar të jetë këmbëngulës, t'i kalojë pengesat e ndryshme dhe e nxit atë për të arritur qëllime të dobishme. Pra, fantazia në këto raste lidhet me vullnetin.

Llojet e imagjinatës

Llojet kryesore të imagjinatës janë këto: imagjinata e pavullnetshme ose pasive, e vullnetshme, aktive, imagjinata riprodhuese dhe imagjinata krijuese.
a. Imagjinata e pavullnetshme. Në këtë lloj imagjinate krijimi i figurave të reja të sendeve apo fenomeneve nuk i nënshtrohet vullnetit të njeriut, prandaj dhe quhet e pavullnetshme ose pasive. P.sh. gjatë leximit të një romani në mënyrë të pavullnetshme na krijohen në fantazinë tonë, figura njerëzish, peizazhe, tablo apo skena ku zhvillohen ngjariet etj.
Fantazia e pavullnetshme është shpesh fantazia e njerëzve të plogësht dhe me vullnet të dobët. Ajo kthehet tek këta njerëz në një ëndërr boshe ose siç thotë populli, në një "ëndërr nën diell".
Ëndërra të tilla boshe dhe të dëmshme e shkëputin njeriun nga realiteti, nga veprimtaria e përbashkët shoqërore dhe ia paralizojnë vullnetin.
Në llojin e imagjinatës së pavullnetshme futen edhe ëndërrat e gjumit. Ëndërrat e gjumit zakonisht krijojnë figura të çuditshme, megjithatë ato kurdoherë janë të lidhura me jetën reale të njeriut. Ëndërrat e gjumit gjejnë shpjegim shkencor. Një grup i tyre janë mbresat e fuqishme të jetës së përditshme, ngjarjet e rëndësishme, çrregullimet e ndryshme dhe mosfunksionim normal i organizmit etj.
Ka dhe grupe të tjera ëndërrash të cilat akoma mbeten mister për shkencën dhe që shpjegohen nga parapsikologjia dhe feja.
b) Imagjinata e vullnetshme ose aktive. Kemi të bëjmë me këtë lloj imagjinate kur në vetëdijen tonë krijohen figura të reja, duke iu nënshtruar një qëllimi të paracaktuar. P.sh. piktori para se të krijojë një vepër të re artistike realiste pa e parë drejtpërsëdrejti në realitet, ai bën fillimisht disa skica të ndryshme në lidhje me atë temë të cilat mund t'i marrë nga realiteti, më pas i përpunon dhe i ndërthur sëbashku dhe në bazë të tyre krijon një tabllo të vetme.
Pra, në këtë lloj imagjinate merr pjesë vullneti, prandaj dhe quhet imagjinatë e vullnetshme.
Të gjithaveprat e artit, zbulimet shkencore, shpikjet, etj, janë produkt i imagjinatës së vullnetshme.
c) Imagjinata riprodhuese. Figurat e imagjinatës riprodhuese janë të lidhura me sende, ngjarje apo fenomene, që kanë qënë ose janë, por që nuk i kemi perceptuar ndonjëherë drejtpërsëdrejti.
Figurat e imagjinatës riprodhuese mbështeten në përvojën dhe njohuritë tona të fituara nga leximet apo dëgjimet. Por, nuk duhet ngatërruar imagjinata riprodhuese me përfytyrimet e kujtesës. Pasi tek përfytyrimet e kujtesës kemi të bëjmë me përfytyrimin e diçkaje të perceptuar më parë drejtpërsëdrejti, ndërsa tek imagjinata riprodhuese kemi të bëjmë thjeshtë me atë që mëndja jonë krijon aty për aty dhe që s'e kemi perceptuar drejtpërsëdrejti.
d) Imagjinata krijuese. Me anë të imagjinatës krijuese lindin në vetëdijen tonë figura të reja, që nuk kanë qënë dhe nuk janë, por që mund të realizohen në praktikë. P.sh. televizori ose raket kozmike në fillim lindën në vetëdijen e shkencëtarëve dhe teknikëve, pastaj ato u realizuan në praktikë. Megjithatë, sado origjinale që të jetë figura e re, ajo mbështetet në përvojën jetësore të njeriut.
Imagjinata ka rëndësi të madhe për secilin individ të çfarëdo profesioni, pasi ajo i hap horizonte të reja për të ardhmen. Ajo në veçanti u shërben artistëve, shkencëtarëve, teknikëve, punëtorëve etj.



Kapitulli 8

TË MENDUARIT DHE TË FOLURIT


Njohuri të përgjithshme mbi të menduarit

Ndijimet dhe perceptimet na japin mundësinë për të pasqyruar në vetëdije cilësi të veçanta të sendeve dhe fenomeneve dhe për të formuar figura të plota të tyre. Por procesi i njohjes së botës që na rrethon nuk përfundon me kaq.
Për ta pasqyruar botën që na rrethon më thellë, është e domosdoshme që të zbulojmë thelbin e sendeve dhe shkaqeve të vërteta të fenomeneve dhe lidhjet ndërmjet tyre.
Procesi i të menduarit lidhet ngushtë me procesin e ndijimit, perceptimit, kujtesës dhe imagjinatës. Por, pavarësisht nga lidhjet e ngushta me to, të menduarit nuk mund të identifikohet me asnjërën prej tyre të marrë në veçanti, e as me të gjitha të marra sëbashku. Të menduarit është një proces psikik, që çon në njohuri të reja, në përgjithësime, në zbulimin e ligjeve që përcaktojnë fenomeneve në natyrë ose në shoqërinë njerzore.
Për të zbuluar ligjet, njeriun e shtyjnë nevojat e praktikës. Duke njohur ligjet njeriu është në gjëndje të parashikojë ngjarjet dhe fenomenet dhe t'i shfrytëzojë ato për nevojat vetiake.
Kështu p.sh. perceptimi i drejtpërdrejtë i dy sendeve me ngarkesa të kundërta elektrike, që tërheqin njëri-tjetrin, nuk zbulon thelbin e këtij fenomeni, kurse të menduarit na zbulon shkakun e vërtetë të fenomenit dhe na mundëson ta shfrytëzojmë këtë për të prodhuar energji elektrike.
Praktika e ka detyruar njeriun të vërejë, të analizojë, të sintetizojë, të krahasojë dhe të përgjithësojë dhe të nxjerri përfundime. Si rezultat i përpjekjeve të pandërprera për të njohur botën më thellë, është arritur në zbulimin e ligjeve dhe në formimin e shkencave të ndryshme.
Zhvillimi i të menduarit te njeriu i veçantë varet nga përvetësimi i këtyre ligjeve dhe pikërisht këtu shfaqet kushtëzimi i zhvillimit të individit nga zhvillimi shoqëror. Pra, zhvillimi i të menduarit të individit përcaktohet përvetësimi i njohurive të përvojës shoqërore. Dhe më pas përvojën shoqërore ua japim brezave të rinj për tu shërbyer më to.
Por njohja e botës është një proces i pandërprerë, prandaj edhe të menduarit e individit nuk merr fund me përvetësimin e njohurive të gatshme, të zbuluara më parë. Individi i zotëron koto njohuri dhe i vë ato në lëvizje për të njohur më thellë botën dhe për të zgjidhur problemet që i dalin në praktikë dhe për t'i çuar ato më tej.
Duke u mbështetur në këto veçori që përmendë, të menduarit mund ta përcaktojmë si procesin psikik më të lartë njohës të personalitetit, proces që mbështetet nëzbulimin e lidhjeve dhe raporteve thelbësore që ekzistojnë ndërmjet sendeve dhe fenomeneve dhe që përfaqëson në vetvete një njohje të përgjithësuar të realitetit objektiv.

Të menduarit lidhet ngushtë me të folurit

Gjuha është mjet që u shërben njerëzve për të komunikuar, kurse të folurit është një formë e veçantë e komunikimit ndërmjet tyre që përdor gjuhën si mjet në procesin e komunikimit. Të folurit realizohet me ndihmën e mjeteve gjuhësore, por edhe gjuha ekziston realisht vetëm me ndihmën e të folurit.
Gjuha krijohet nga një popull, përvetësohet nga çdo individ dhe përbën bazën e të menduarit në mënyrë abstrakte.
Zhvillimi mendor i njeriut varet nga zhvillimi i të menduarit dhe të folurit. Por, ndërmjet të folurit dhe të menduarit nuk mun të vihen shënja barazie, sepse të mendosh do të thotë të njohësh botën, ndërsa të flasësh do të thotë të shkëmbesh mendime dhe të nxitësh bashkëbiseduesin për veprim.
Veç kësaj i njejti mendim mund të shprehet me fjalë të ndryshme dhe me konsrukte gramatikore të ndryshme.
Të menduarit lidhet ngushtë me të folurit, realizohet dhe formohet me ndihmën e të folurit. Sa herë që vihen re dëmtime të rënda të të folurit për shkak të hemorragjisë cerebrale, degradohet edhe të menduarit. Baza fiziologjike e të menduarit është veprimtaria e përbashkët e dy sistemeve të sinjaleve, por rolin kryesor e luan sistemi i sinjaleve të dyta (fjalët).

Veprimet mendore kryesore

Njohja e vetive dhe e cilësive të sendeve dhe fenomeneve dhe përcaktimi i lidhjeve dhe varësive ndërmjet tyre bëhet me ndihmën e analizës, sintezës, krahasimit, abstraksionit, përgjithësimit dhe konkretizimit.
1) Analiza dhe sinteza si edhe veprimet e tjera mendore lindin nga veprimtaria praktike. Para se të kthehen në veprime mendore ato janë veprime praktike. Me analizë kuptojmë ndarjen mendërisht të sendeve dhe fenomeneve në pjesët ose elementët përbërës, kurse me sintezë kuptojmë ribashkimin mendërisht të elementeve ose pjesëve përbërëse të sendeve dhe fenomeneve.
Analiza dhe sinteza lidhen ngushtë dhe nënkuptojnë njëra-tjetrën. Që të analizosh, do të nisesh nga një e tërë dhe që të sintetizosh duhet të nisesh nga pjesët përbërëse.
2) Krahasimi. Me krahasim kuptojmë, atë veprim mendor me ndihmën e të cilit objektet dhe fenomenet vihen mendërisht përballë njëri-tjetrit për të parë ngjashmërinë ose ndryshimet ndërmjet tyre. Krahasimi lidhet ngushtë me analizën dhe sintezën, është si të thuash një shfaqe e tyre dhe luan një rol të rëndësishëm në veprimtarinë mendore të njeriut. Nëpërmjet krahasimit njeriu arrin të bëjë dallimin dërmjet sendeve, objekteve apo fenomenev të ndryshme ose të gjejë të përbashktat e tyre nëpërmjet njohjes së cilësive të tyre.
3) Abstraksioni. Me abstraksion kuptojmë atë veprim mendor me ndihmën e të cilit veçojmë mendërisht një cilësi të shkëputur nga sendet dhe nga cilësitë e tjera që kanë ato.
Kështu p.sh. duke parë nj
grup fëmijësh vëmë re një cilësi të përbashkët; të gjithë ata janëguximtarë. Fill pas kësaj ne fillojmë të mendojmë për guximin shkëputur nga personi që e ka këtë cilësi. Në këtë rast ne kemi shkëputur këtë cilësi dhe e kemi bërë objekkt të menimit, si të thuash, jemi larguar nga konkretja dhe kemi kaluar në abstraksion.
4) Konkretizimi. Konkretizimi është ai veprim mendor me dihmën e të cilit cilësinë që ne e kemi shkëputur nga sendet dhe fenomenet dhe e kemi bërë objekt të studimit tonë, e shohim edhe në një send apo fenomen konkret.
Konkretizimi p.sh. gjen zbatim të gjërë në veprimtarinë mësimore të nxënësve. Sa herë që nxënësi flet për koncepte abstrakte, ose sa herë që mësuesi zbërthen një koncept abstrakt ata mbështeten në shembuj, e konkretizojnë atë.
5) Përgjithësimi. Përgjithësim quajmë atë veprim mendor me ndihmën e të cilit bashkojmë mendërisht sendet dhe fenomenet që kanë cilësi të qëndrueshme të përbashkëta.
Përgjithësimi i ka rrënjët në veprimtarinë praktike të njeriut. Përvoja shoqërore është ngulitur në koncepte dhe në kuptimin e fjalëve. Kështu p.sh. kur ne themi fjalën kafshë, me këtë shprehim një përmbajtje të caktuar, një kategori të caktuar qënish të gjalla, që dallohen nga njëra-tjetra dhe nga sendet e tjera. Ky lloj kategorizimi ka lindur si rezultat i krahasimit, analizës, sentezës që kanë bërë brezat e shkuar të njerëzimit gjatë përpjekjeve për të njohur më mirë botën dhe fenomenet që e shoqërojnë atë. Ato janë rezultat i përgjithësimit të përvojës kolektive.
6) Sistematizimi. Sistematizimi është një shkallë e lartë e analizës, sintezës, krahasimit, abstraksionit dhe përgjithësimit me ndihmën e të cilit sendet dhe fenomenet i grupojmë në grupe të mëdha ose të vogla në bazë të cilësive të qëndrueshme të përbashkëta.
Duke përdorur këto veprime, njerëzit kanë krijuar sistemet e ndryshme bimore, shtazore ose grupe të ndryshme mineralesh. Pra, pas përgjithësimeve janë sistemuar në grupe të ndryshme në bazë të cilësive që ato kanë.

Forma e të menduarit

Format e të menduarit logjik janë koncepti, gjykimi, arsyetimi.
1) Koncepti. Çdo send apo fenomen është në vetvete një tërësi vetish dhe cilësish thelbësore dhe jo thelbësore.
P.sh. për të formuar konceptin njeri, kafshë, bimë etj., është dashur që të njihen cilësitë thelbësore që i dallojnë ato nga qëniet e tjera të gjalla. Duke analizuar dhe sintetizuar, duke krahasuar dhe abstraktuar njeriu ka zbuluar me qindra veti të ngjashme e të përbashkëta mes tij dhe kafshëve, por dallimi mes tyre bëhet në shumë aspekte të tjera sidomos në llogjikë.
Koncepti është pasqyrimi në vetëdije i cilësive më thelbësore të sendeve dhe fenomeneve.
Zbulimi i cilësive më të qëndrueshme të sendeve dhe fenomeneve nuk është një punë kaq e lehtë. Për të formuar konceptet shkencore p.sh. konceptin metal, bimë, kafshë, shoqëri, klasë, shtet, planet etj, është dashur një punë e madhe analitiko-sintetike, krahasime të shumta, abstraktim nga cilësitë e paqënësishme dhe përqëndrim në cilësitë e qënësishme.
2) Gjykimi. Në konceptet ne pasqyrojmë cilësitë thelbësore të përbashkëta të sendeve dhe fenomeneve, kurse në gjykimet ne pasqyrojmë marrëdhëniet ndërmjet koncepteve. Gjykimi është një formë e të menduarit me ndihmën e të cilit pohojmë ose mohojmë diçka për një objekt apo një fenomen ose cilësi të tyre. Kështu p.sh. kur ne themi: Shqipëria është një vend i lirë, kemi pohuar diçka dhe kemi pohuar raportet që ekzistojnë ndërmjet konceptit Shqipëri dhe konceptit vend i lirë.
Përmbajtja e konceptit ngulitet në një fjalë të caktuar, kurse gjykimi shprehet me një fjali. Pjesët përbërëse të gjykimit janë: subjekti, predikati dhe këpuja. Në gjykimin që sollëm më lart, fjala Shqipëri është subjekt i gjykimit, është shërben si këpujë dhe vend i lirë shërben si predikat.
Meqënëse gjykimet mbi sendet dhe fenomenet kanë karakteristika të ndryshme, ato i ndajmë në pohuese dhe mohuese, në të veçanta, të pjesshme dhe të përgjithshme, në të vërteta dhe të gabuara.
Për të konkretizuar llojet e gjykimeve le të marrim disa shembuj:
Adreatiku lag brigjet e vendit tonë. (pohues).
Nuk vjen pranvera me një lule. (mohues).
Tirana është kryeqytet. (i veçantë).
Disa nga qytetet e Shqipërisë janë qytete bregdetare. (i pjesshëm)
Të gjithë studentët e morën provimin. (i përgjithshëm)
Dhe në varësi të faktit se sae vërtetë është ajo që pohohet ose mohohet, gjykimet mund të jenë të drejta ose të gabuara.
3) Arsyetimi. Gjatë të menduarit njeriu i përdor njohuritë e fituara për të zbuluar njohuri të reja. Për t'ia arritur këtij qëllimi ai niset nga disa gjykime dhe arrin në gjykime të reja, që zbulojnë një të vërtetë të re. Në këto raste njeriu përdor një formë tjetër të të menduarit, arsyetimin.
Me arsyetim kuptojmë atë formë të të menduarit me ndihmën e së cilës, duke u mbështetur në dy ose më shumë gjykime (premisa) formulojmë një gjykim të ri (konkluzion), që na zbulon një të vërtetë të re.
Arsyetimi bëhet në rrugë induktive dhe deduktive dhe është një formë më e ndërlikuar e të menduarit se sa koncepti dhe gjykimi.
Arsyetim në rrugë induktive kemi sa herë që ne nisemi nga gjykime të veçanta dhe arrijmë në një konkluzion të përgjithshëm, kurse arsyetim në rrugë deduktive kemi kur nisemi nga gjykime të përgjithshme dhe arrijmë në konkluzione të veçanta.

Llojet e të menduarit dhe cilësitë e tij

Veprimtaria mendore lind nga nevoja për të zgjodhur dhe situatat që shtrohen përpara njeriut. Këto situata e detyra njeriu gjatë zhvillimit të tij i ka zgjidhur praktikisht, përderisa mendimi teorik abstrakt nuk ishte shkëputur si veprimtari e pavarur nga mendimi praktik.
Të menduarit në këtë stad zhvillimi ishte i gërshetuar në vetë veprimtarinë praktike. Këtë lloj të menduari, që realizohet brenda veprimtarisë praktike, në një situatë konkrete të perceptueshme, e quajmë të menduar konkret. Ky lloj të menduari vërehet tek fëmijë, kur ata një detyrë mund ta zgjidhin praktikisht nëse ata e perceptojnë situatën konkretisht dhe nuk ia arrijnë ta zgjidhin, nëse nuk e kanë parasysh situatën konkrete.
Një lloj tjetër të menduari, që zhvillohet duke pasur për bazë përfytyrimet e kujtesës dhe të imagjinatës është të menduarit figurativ. Ky lloj të menduari kushtëzohet nga roli i madh, që luan në veprimtarinë mendore të njeriut sistemi i sinjaleve të para (ngacmuesit e jashtëm).
Lloji më kompleks i të menduarit është të menduarit abstrakt, i cili bazohet në konceptet. Të menduarit abstrakt lidhet ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm të njeriut, si dhe me përvetësimin nga ana e tij të sistemit të njohurive të përvojës njerëzore.
Ndër cilësitë më të vlefshme të të menduarit janë: karakteri kritik, elastik, dhe shpejtësia e të menduarit. Të gjitha këto lloje kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe edukimi i tyre tek njeriu kushtëzohet jo vetëm nga sasia e njohurive të përvetësuara, por edhe nga mënyra se si janë përvetësuar njohuritë. Njohurit e përvetësuara mekanikisht nuk zhvillojnë tek njeriu gjërësinë, shpejtësinë, elasticitetin dhe karakterin kritik të të menduarit të tij, por për kundrazi i japin të menduarit karakter të ngushtë. Vetëm njohuritë e zotëruara aktivisht edukojnë cilësitë pozitive të mendjes.
Cilësitë pozitive të mendjes kanë rëndësi shumë të madhe për veprimtarinë mendore në të gjitha fushat e veprimtarisë së njeriut. Prandaj tek njeriu duhet të edukohet ky lloj mendimi, në mënyrë që ai të jetë më produktiv dhe më i dobishëm për fushën në të cilën ushtron aktivitetin e tij.

Llojet e të folurit

Gjatë zhvillimit të njeriut, që nga fëmijëria e tij e në vazhdim, zhvillohen gradualisht lloje të ndryshme të të menduarit dhe të folurit. Llojet e të folurit janë: të folurit pasiv dhe aktiv, të folurit e jashtëm dhe të brendshëm.
Me të folur pasiv kuptojmë perceptimin e të folurit të një njeriu, ndërsa me të folur aktiv kuptojmë shprehjen e mendimeve me gojë apo me shkrim.
Nga të folurit me gojë dhe me shkrim dhe nga perceptimi i të folurit të të tjerëve lind të folurit e brendshëm. Të folurit e brendshëm është ai lloj të foluri që nuk shfaqet së jashtmi. Ky lloj të foluri shfaqet gjatë veprimtarisë mendore në heshtje, gjatë dramave dhe situatave të rënda që përjeton njeriu etj. Të folurit e brendshëm ndryshon nga llojet e tjeraz të të folurit jo vetëm nga shfaqia së jashtmi, por edhe nga struktura e tij fonetike dhe gramatikore. Ky lloj të foluri zakonisht është më i shkurtër se llojet e tjera të të folurit.
Të folurit e brendshëm ka një funksion shumë të madh gjatë të menduarit në heshtje, sepse impulset e fshehta që dërgon në tru aparati i të folurit krijojnë atje qëndra mbizotëruese që drejtojnë procesin e të menduarit, prandaj të folurit e brendshëm quhet mekanizmi fiziologjik i të menduarit.
Të folurit e jashtëm shfaqet në dy forma, në të folur me gojë dhe në atë me shkrim. Të folurit me gojë shtjellohet në situatën konkrete dhe mund të jetë monolog ose dialog. Situata konkrete e ndihmon shumë atë që flet për t'i komunikuar mendimet një tjetri dhe për ta nxitur atë për veprim. Ndryshe ndodh me të folurit me shkrim. Në të folurit me shkrim situata duhet përfytyruar, mendimet, që i adresohen një personi të caktuar, duhen dhënë qartë e në një formë sa më të kuptueshme. Llojet e ndryshme të folurit kanë një ndikim të thellë dhe e ndihmojnë zhvillimin e njëri-tjetrit.
Përgjigju


Mesazhet në këtë temë
PSIKOLOGJIA - nga UKI - 20.12.2024, 10:57
RE: PSIKOLOGJIA - nga UKI - 20.12.2024, 10:59
RE: PSIKOLOGJIA - nga UKI - 20.12.2024, 11:02

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 1 Vizitorë