PSIKOLOGJIA
Kapitulli i parë
Objekti, detyrat dhe metodat e psikologjisë.
Në jetën e përditshme lexojmë dhe dëgjojmë termat, vëmendje, kujtesë, mendim, imagjinatë, vullnet, ndjenjë, karakter... etj Të gjitha këto në psikologji quhen fenomene psiqike. Me anë të fenomeneve psikike njeriu i njeh sendet qe e rrethojë, lidhet me to, i studjon dhe vepron për ta ndryshuar botën sipas qëllimeve dhe dëshirave të veta. Bota shpirtërore e njeriut është shumë e pasur dhe tepër interesante. Pikërisht këtë botë shpirtërore e quajmë psikikë. Shkalla më e lartë e zhvillimit të psikikës quhet vetëdije.
Shkenca që merret me studimin e psikikës dhe të formës më të lartë të saj vetëdijes, quhet psikologji.
Pra objekti i studimit të psikologjisë është mendja e njeriut dhe veprimtaria e saj. Fjala
sipas domethënies së fjalëve të përngjitura greqishte “psyhe = shpirt“ dhe “logos = shkencë“. Por psikologjia është më shumë se vetëm një shkencë mbi shpirtin, mbi jetën e brendshme të njeriut. Jeta shpirtërore e njeriut ka edhe anën e jashtme. Kështu që kjo shkencë studjon edhe anën e jashtme të sjelljes së njeriut.
Cili është funksioni kryesor i psikikës ?
Funksioni kryesor i psikikës është pasqyrimi dhe reflektimi, pas sinjaleve apo impulseve që shkojnë drejt saj.
Pasqyrimi gjithashtu është një nga vetitë e materies. Pasqyrimin që bën materia inorganike (e pajetë) kur mbi të veprojnë faktorë të tjerë, quhet pasqyrim fizik. P.sh kur ne shihemi në pasqyrë, kur në liqen duket pasqyrimi i maleve, pemëve apo i objekteve të tjerë rreth tij, pasqyrimi i këmbës kur shkel mbi rërë, mbi baltë ose mbi borë, kur shkëmbijtë gërryhen nga forca e dallgëve... etj kemi të bëjmë me pasqyrim fizik. Pasqyrimi fizik është fenomen spontan, pasiv dhe i vdekur.
Ndërsa pasqyrimi që bëjnë organizmat e gjallë kur mbi to veprojnë ngacmues të ndryshëm quhet pasqyrim psikik. Tek njeriu, në sajë të sistemit të tij nervor shumë të zhvilluar ndryshe nga kafshët, pasqyrimi është i një cilësie shumë më të lartë, tepër i ndërlikuar dhe i thellë. Ai është proces aktiv i vazhdueshëm.
Njeriu me anë të vetëdijes pasqyron cilësitë e sendeve dhe fenomeneve që veprojnë drejtpërsëdrejti mbi të, si dhe atyre që kanë vepruar më parë. Njekohësisht me anë të të menduarit, to folurit dhe veprimeve të tij, njeriu ka eksploruar botën dhe ka arritur të depërtojë në thelbin e rregullsive të brendshme të objekteve dhe fenomeneve të ndryshme. Si rezultat i këtij lloj pasqyrimi kanë lindur shkencat e ndryshme bashkë me ligjet e tyre. Ky lloj pasqyrimi përbën fazën më të lartë të njohjes së realitetit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.
Për të vërtetuar se në ç'shkallë pasqyrimet tona i përgjigjen realitetit, na vjen në ndihmë praktika. Praktika përbën bazën e procesit të njohjes. Ajo është kriteri më i lartë i vërtetësisë së njohurive tona. Çdo mendim, çdo shpikje dhe racionalizëm që bën njeriu e verifikon në praktikë. Ajo e vërteton nëse është i drejtë apo jo një mendim, veprim apo shpikje e bërë.
Pasqyrimi psikik i jep mundësi njeriut të njohë sendet dhe fenomenet që e rrethojnë, të ndërtojë punën e vet në përshtatje me kushtet e ambientit dhe me aftësitë e tij krijuese t'i shndërrojë këto kushte sipas kërkesave të shoqërisë. Ndërsa kafshët në sajë të pasqyrimit u përshtaten kushteve, mbrohen nga rreziqet dhe ushqehen. Ato nuk janë në gjendje ta ndryshojnë botën që i rrethon.
Pasqyrimi psikik është një proces i thellë, i gjallë dhe veprues gjatë të cilit organizmi që pëson veprimin e ngacmuesve të tjerë, nuk qëndron indiferent, përkundrazi përgjigjet, shpenzon energji d.m.th bashkëvepron. Pasqyrimi psikik pëson ndryshime të vazhdueshme, bëhet më i plotë, më i thellë dhe vetë organet pasqyrimit përsosen gjithnjë e më shumë.
Shkalla e pasqyrimit psikik përcaktohet jo vetëm nga forcat që veprojnë, por edhe nga gjendja aktive e organizmit, nga përvoja, mosha etj.
Lindja dhe zhvillimi i psikikës.
Organizmat e gjallë që nga ato më elementaret e deri tek njeriu, veprimtarinë e tyre jetësore e realizojnë nëpërmjet veprimit të një organi të veçantë që paraqitet si qëndra e menaxhimit të ngacmimeve të jashtme, përpunimit dhe komandimit të veprimtarisë tek gjallesat. Tek kafshët e ulta si molusqet, krimbat, insektet etj, sistemi nervor është i thjeshtë dhe psikika shfaqet në formën e saj më elementare që quhet ndjeshmëri. Në bazë të zhvillimit të ndjeshmërisë gjallesat formojnë instiktet e ndryshme që i shërbejnë më pas për zhvillimin e veprimtarisë jetësore. Pra lindja e ndjeshmërisë ose e ndijimit përbën fazën e parë të zhvillimit të psikikës.
Zhvillimi i psikikës dhe i organeve të shqisave bëhet në varësi të drejtpërdrejtë të kushteve të ambientit të jashtëm dhe të mënyrës së jetesës d.m.th nga mënyra se si jetojnë kafshët, si e sigurojnë ushqimin, si mbrohen etj. Në një fazë më të avancuar zhvillimi të sistemit nervor të kafshëve shfaqet gradualisht aftësia për të pasqyruar disa cilësi të sendeve përnjëherësh d.m.th sendin. P.sh qeni me anë të psikikës së vet pasqyron jo vetëm një cilësi të njeriut që e ushqen por shumë cilësi të tij. Ai e njeh atë nga era, zëri, rrobat etj, pra lindin ato që quhen shprehi.
Instiktet lindin, trashëgohen, kurse shprehitë nuk lindin, ato fitohen gjatë veprimtarisë praktike pas shumë përsëritjesh.
Kjo fazë e pasqyrimit të sendeve në tërësi dhe e krijimit të shprehive quhet faza perceptive e zhvillimit të psikikës.
Kur kafshët me anë të veprimeve të thjeshta mendore përshtaten më mirë dhe më shpejt me kushtet e reja të ambjentit, kemi të bëjmë me fazën më të lartë të zhvillimit të tyre. Ato në këtë fazë janë në gjëndje të pasqyrojnë lidhjet elementare ndërmjet sendeve dhe fenomeneve të botës që i rrethon. Në këtë fazë kemi të bëjmë jo më me instikte apo shprehi, por me veprime të thjeshta mendore. P.sh nëse një majmun e mbyllim në një kafaz, i varim disa banane në një lartësi të tillë që nuk arrihen me dorë dhe i japim një shkop dhe një karrige për ti përdorur, ai do të arrijë t'i përdorë ato për të kapur bananet. Pra ai arrin të zhvillojë një veprim të thjeshtë mendor.
Në këtë mënyrë zhvillimi i psikikës së kafshëve kalon në tre faza: në atë të ndjeshmërisë, perceptiven dhe në atë të veprimeve të thjeshta mendore. Secila nga këto faza të pasqyrimit i përgjigjet edhe një formë e veçantë e sjellies së kafshëve. Konkretisht, në fazën e ndjeshmërisë kemi instiktet, në fazën perceptive kemi shprehitë dhe së fundi kemi veprime të komplikuara që drejtohen në arritjen e qëllimit.
Ndërmjet tri fazave të zhvillimit të psikikës së kafshëve nuk ka kufij të prerë. Përkundrazi, ato janë të lidhura dhe të gërshetuara ngushtë me njëra-tjetrën.
Në fazat e zhvillimit të psikikës njeriu ndryshe nga kafshët paraqet zhvillimin më të lartë psikikës që është vetëdija.
Vetëdije quhet ajo shkallë e zhvillimit të psikikës që paraqitet me veprimtarinë e të folurit dhe të vepruauarit me inteligjencë.
Njeriu me anë të vetëdijes e nënshtron dhe e shndërron natyrën sipas interesave të veta. Ai komunikon me anë të gjuhës, mendon dhe bën planifikime për të ardhmen, gjëra të cilat nuk mund të bëhen nga kafshët.
Vetëdija e njeriut ka karakter thellësisht shoqëror dhe u nënshtrohet ligjeve historiko-shoqërore. Ndërsa psikika e kafshëve u nënshtrohet ligjeve biologjike, të cilat veprojnë në botën e kafshëve.
Detyrat dhe metodat e psikologjisë.
Detyra kryesore e psikologjisë është studimi i fenomeneve psikike tek njeriu.
Psikologjia shpjegon se si bëhet pasqyrimi i botës materiale në koren e trurit të njeriut, si njeriu e njeh botën që e rrethon dhe çfarë i drejton veprimet dhe sjelljet e tij në shoqëri. Psikologjia studjon se si zhvillohet veprimtaria psikike dhe si formohen veçoritë psikologjike të personalitetit
Shkenca e psikologjisë tregon varësinë e fenomeneve psikike prej kushteve objektive të jetës dhe veprimtarisë së njeriut. Ajo shpjegon se si edukohet dhe zhvillohet njeriu nën ndikimin e kushteve të ndryshme të jetesës dhe të edukatës, të moralit shoqëror si dhe faktorëve të tjerë ndikues.
Psikologjia si shkencë me gjithë degët e saj përfshin studimin e të gjitha veprimtarive jetësore të njeriut si dhe gjallesave të tjera. Ajo i shërben njeriut në shumë aspekte të jetës së tij, e ndihmon të kuptojë më mirë veten e tij dhe të tjerët, të njohë anët pozitive dhe negative të karakterit, të zhvillojë aftësinë për të njohur njerzit që e rrethojnë, të njohë më shumë aftësitë e tij krijuese dhe ta bëjë atë më produktiv në veprimtarinë e tij.
Për njohjen dhe studimin e fenomeneve të ndryshme psikike përdoren disa metoda. Metodat kryesore janë: vëzhgimi (vrojtimi) dhe eksperimenti. Ka dhe metoda ndihmëse që janë biseda, anketimi, analiza e punëve krijuese, statistika etj. Këto metoda, të gërshetuara me njera-tjetrën ndihmojnë në studimin dhe verifikimin e fenomeneve të ndryshme psikike.
Kapitulli 2
BAZA FIZIOLOGJIKE TË PSIKIKËS
Njohuri elementare mbi ndërtimin dhe funksionimin e sistemit nervor.
Fenomenet psikike janë produkti i veprimtarisë së sistemit nervor. Sistemi nervor përbëhet nga sistemi nervor qëndror (palca e kurrizit dhe truri) dhe sistemi nervor periferik.
Sistemi nervor qëndror rregullon të gjithë veprimtarinë psikike dhe fiziologjike të organizmit të njeriut, bashkërendon funksionimin e të gjitha pjesëve dhe organeve të ndryshme të trupit si dhe lidhjen dhe përshtatjen e organizmit me botën e jashtme.
Palca e kurrizit drejton reflekset e pakushtëzuara dhe lëvizjet e pavetëdijshme të musklaturës etj.
Truri përbëhet nga: truri i vogël, truri i zgjatur, truri i mesëm, truri i ndërmjetëm dhe truri i madh. Të gjithë këto pjesë bashkëveprojne të lidhura me njëra-tjetrën, por secila kryen edhe funksione të veçanta.
Pjesën më të rëndësishme të trurit e përbëjnë hemisferat e mëdha. Pjesa e sipërme e hemisferave të mëdha formon koren (cipën) e trurit (1.5 mm trashësi), ndërsa qelizat më në thellësi formojnë qëndrat subkortikale ose nënkoren.
Korja e trurit përbën pjesën më të rëndësishme të trurit dhe drejton të gjithë veprimtarinë e sistemit nervor. Qëndrat nënkore pasqyrojnë gjëndjen e përgjithshme të organizmit dhe rregullojnë punën e organeve të brëndshme në mënyrë automatike(zemrës, mushkërive, stomakut, mëlçisë etj)
Sistemi nervor periferik përfshin të gjitha fijet nervore që shpërndahen në pjesët e ndryshme të trupit.
Sistemi nervor përbëhet nga një sasi shumë e madhe qelizash mikroskopike që quhen qeliza nervore ose neurone. E veçanta e tyre është se ato përbëjnë një rrjet të komplikuar lidhjesh me njera-tjetrën dhe shkëmbejnë informacion ndërmjet tyre me anë të impulseve nervore.
Këto nerva ndahen në nerva ndijues që i marrin ngacmimet nga organet e shqisave dhe i përcjellin në sistemin nervor qëndror, në nerva lëvizorë që bëjnë të kundërtën e të parëve dhe në nerva bashkues që e kalojnë nxitjen nga nervat ndijues në nervat lëvizorë.
Proceset kryesore nervore dhe ligjet e tyre
Veprimtaria e lartë nervore ka në bazën e vet dy procese kryesore nervore: nxitjen dhe frenimin.
P.sh kur ndizet drita, rrezet e saj veprojnë mbi mbaresat nervore të të parit dhe e venë atë në gjëndje aktive d.m.th ne gjëndje pune. Kjo gjëndje aktive e qelizës nervore quhet nxitje. Nxitja nervore është rezultat i veprimit të ngacmuesit mbi organizmin tonë.
Procesi i kundërt i nxitjes është frenimi. Frenim quajmë gjëndjen e qelizës në pasivitet. P.sh. kur nuk nuhasim gjë themi se qelizat nervore të të nuhaturit janë të frenuara. Po kështu kur jemi në gjumë të thellë, qelizat nervore janë të frenuara.
Proceset e nxitjes dhe të frenimit kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe për shpjegimin shkencor të fenomeneve psikike.
Me anë të nxitjes dhe frenimit kryhen të gjitha funksionet e sistemit të lartë nervor; krijohen reflekset e kushtëzuara, ruhen qelizat nervore nga shkatërrimi që mund t'u shkaktojnë ngacmuesit shumë të fuqishëm.
Të dyja këto procese janë të lidhura ngushtë ndërmjet tyre dhe zëvendësojnë reciprokisht njëra-tjetrën. Pra nëse në një qëndër të kores së trurit lind një nxitje nervore në qëndrat e tjera aktive ndodh frenimi.
Reflekset
Refleks quajmë kundërveprimin e organizmit ndaj veprimit të ngacmuesve të ndryshëm. Reflekset janë të pakushtëzuara dhe të kushtëzuara.
A. Refleks i pakushtëzuar është aftësia e lindur e organizmit për të kundërvepruar (përgjigjur) ndaj veprimit të ngacmuesve të ndryshëm p.sh. tërheqja e dorës po të digjet ose po të shpohet nga diçka etj.
Reflekset e pakushtëzuara janë: reflekset mbrojtëse, reflekset e të ushqyerit, reflekset e shumimit etj.
B. Refleks i kushtëzuar është aftësia që fiton organizmi gjatë jetës, për të kundërvepruar (përgjigjur) ndaj veprimit të ngacmuesve të ndryshëm. P.sh. ndodh shpesh që vetëm pamja e limonit ose vetëm emri limon të na bëjë të sekretojmë pështymë. Kjo nuk ndodh para se ne ta dijmë dhe ta provojmë se ç'është limoni. Nëse ne nuk do e njihnim limonin dhe shijen e tij që më parë, kjo nuk do të jepte efekt. Por me tu njohur nje send, objekt apo fenomen në koren e trurit krijohet një lidhje e re nervore e cila aktivizohet sa herë që përsëritet fenomeni apo shfaqet sendi.
Pra kushti për tu aktivizuar një vatër në koren e trurit bëhet një send, objekt, fenomen ose fjalë.
Veprimtaria e lartë nervore ndryshe quhet edhe veprimtari sinjalizuese. Ajo varet nga ngacmuesit të cilët kanë rëndësi jetike për organizmin. Ato shërbejnë si ndërmjetës dhe lajmërojnë organizmin për diçka të rëndësishme (ushqimi, mbrojtja etj).
Këto sinjale, të cilat gjatë jetës krijojnë sisteme të tëra lidhjesh nervore, përbëjnë sistemin sinjalizues. Me anë të këtij sistemi organizmi ambjentohet me botën e jashtme.
Fillimisht organizmi shfaqet indiferent ndaj këtyre ngacmuesve, pastaj kushtëzohet dhe vepron sipas llojit të sinjalizimit.
Karakteri sistematik i veprimtarisë së lartë nervore (steriotipi dinamik).
Zakonisht në sistemin nervor të kafshëve dhe të njerëzve vepron një numër i madh ngacmuesish. Kuptohet që secili prej tyre shkakton një nxitje në koren e trurit.
Kjo vatër nuk mund të rrijë e izoluar nga vatrat e tjera, por futet në lidhje me to, (sipas ligjeve të rrjedhjes së proceseve nervore). Kështu, në koren e trurit krijohen lidhje, jo vetëm ndërmjet dy vatrash, por edhe ndërmjet një numri të madh vatrash të.ndryshme. Për këtë duhen plotësuar të paktën dy kushte: a) ngacmuesit, pra sinjalet që përsëriten shumë herë në të njejtën renditje. b) të ruhen të pandryshuara kushtet në të cilat organizmi jeton.
Në sajë të përsëritjeve të shumta dhe të njëllojta në koren e trurit, lidhjet e përkohshme nguliten mirë, përforcohen.
Ky përforcim i proceseve nervore sipas një sistemi të caktuar që arrihet me anë të përsëritjeve quhet steriotip.
Steriotipi dinamik është atëherë kur organizmi ambientohet ndaj ngacmimeve të jashtme që përsëriten vazhdimisht njëlloj.
Me fjalën steriotip kuptojmë karakterin shabllon (të njëllojtë) të lidhjeve nervore, ndërsa me fjalën dinamik mundësinë e ndryshimit dhe të shndërrimit të tyre. Steriotipi dinamik ndryshon me ndryshimin e ngacmuesve që veprojnë mbi organizëm.
Krijimi i një sistemi të tillë nxitjesh nervore të cilat lidhen me njëra-tjetrën, bën të mundur që sistemi i reflekseve (kundërveprimeve) të organizmit të kryhet me lehtësi, shpejtësi, me shpenzim të vogël energjish nervore dhe të ngjallë ndjenjën e kënaqësisë.
Kështu ndodh p.sh. me njeriun i cili punon ose jeton sipas një regjimi të caktuar, këto ai i kryen pa pritur urdhra dhe me një ndjenjë kënaqësie.
Prishja e steriotipit (kësaj vazhdimësie) që shkaktohet nga ndryshimi i kushteve të jetesës, paraqitet e vështirë dhe shoqërohet me një gjëndje pakënaqësie.
Kështu ndodh kur ndryshohet puna, banesa ose njerëzit që kemi pranë. Në këto raste hasen vështirësi, gjersa organizmi të përshtatet me kushtet e reja d.m.th. gjersa organizmi të krijojë steriotipin dinamik.
Kapitulli 3
NDIJIMET
Njohuri të përgjithshme mbi ndijimet.
Objektet dhe fenomenet që na rrethojnë dhe që veprojnë mbi organizmin tonë kanë cilësi dhe karakteristika nga më të ndryshmet. Këto cilësi e karakteristika të marra secila veç e veç pasqyrohen drejtpërsëdrejti në vetëdijen tonë me anë të procesit psikik të ndijimit.
Ndijim quajmë pasqyrimin në vetëdijen tonë të
një cilësie apo karakteristike të veçantë të objektit apo fenomenit që vepron në organet e shqisave (sy, veshë, hundë, lëkurë etj.).
Me anë të ndijimeve ne njohim dhe dallojmë cilësitë e veçanta të sendeve që na rrethojnë: njohim ngjyrat, të qënit e ashpër ose e butë të një sendi, të qënit e freskët ose bajat; dallojmë erën e mirë ose të keqe, tingullin, temperaturën që ka sendi, shijen etj. Kështu ndijimet janë pasqyrimi i cilësive dhe karakteristikave të sendeve, objekteve dhe fenomeneve që ekzistojnë e që zhvillohen objektivisht, pavarësisht nga ndërgjegjia jonë.
Po me anë të ndijimeve ne njohim e dallojmë edhe gjëndjen e brëndshme të organizmit: funksionimin normal ose jo të organeve të ndryshme të trupit, lëvizjet e pjesëve të ndryshme të tij ose gjendjen
statike të tyre, njohim dhe dallojmë dhembjen, etjen, lodhjen, urinë etj.
Ndijim kemi atëherë kur sendet, objektet dhe fenomenet duke u ndodhur rreth nesh veprojnë mbi ne, mbi organet e shqisave tona, duke shfaqur cilësitë dhe karakteristikat e veçanta.
Për ta kuptuar më mirëduhet të kemi të qartë disa terma. Kështu, me termin ngacmues, do të kuptojmë sendet, objektet dhe fenomenet me cilësitë dhe karakteristikat e veçanta që ata kanë.Veprimin e ngacmuesve mbi organet e shqisave e quajmë ngacmim. Procesi që lind si rezultat i ngacmimit të indit nervor quhet nxitje. Kur nxitja me anë të nervave lëvizorë shkon në koren e trurit të madh, atëherë lind ndijimi.
Pra, nga përcaktimet e mëposhtme del se: ngacmimi është proces fizik, nxitja është proces fiziologjik, ndërsa ndijimi është proces psikik.
Aparati anatomo-fiziologjik që shërben për të marrë ngacmuesit e jashtëm ose të brendshëm quhet analizator. Çdo analizator përbëhet prej tri pjesësh: receptorit i cili merr ngacmimet, (receptor është ajo pjesë e organit të shqisave, ku mbarojnë fundet e nervave përkatës), nervave përçues dhe qëndrave përkatëse në koren e trurit të madh.
Për të lindur ndijimi është e domosdoshme prania në të njejtën kohë e ngacmuesve dhe e analizatorëve. Nëse nuk funksionon cilado pjesë përbërëse e analizatorit, nuk lind ndijimi. P.sh për të patur ndijimin e të parit duhet të kemi; burimin e dritës (ngacmuesin), syrin (receptori), nervi përçues (dërgues sinjali), qëndrën e shikimit në koren e trurit (vendi ku lind ndijimi). Nëse njëra nga hallkat e këtij zinxhiri nuk funksionon, lindja e ndijimit bëhet e pamundur. Po kështu ndodh edhe me shqisat e tjera me karaktere ndijuese të ndryshme.
Kështu si baza fiziologjike të ndijimeve shërbejnë proceset e nxitjeve nervore, të cilat lindin si rezultat i veprimit të një ngacmuesi në organet e shqisave tona.
Pra ndijimi është forma filestare e njohjes së botës materiale. Me anë të tij fillojmë të njohim dhe të dallojmë cilësitë dhe karakteristikat e veçanta të sendeve dhe fenomeneve të botës reale që na rrethon.
Llojet e ndijimeve.
Objektet dhe fenomenet e natyrës duke vepruar mbi organizmin e njeriut i shkaktojnë atij ngacmime të ndryshme. Duke qënë se objektet dhe fenomenet janë të shumta dhe cilësitë dhe karakteristikat e tyre të panumërta, atëherë edhe ndijimet janë të ndryshme.
Ndijimet sipas receptorëve i ndajmë në: të parit, të dëgjuarit, të nuhaturit, të shijuarit, ndijime të lëkurës, ndijime muskularo-lëvizor dhe ndijimet organike. Receptorët ndodhen në sipërfaqe të organizmit tonë si dhe në pjesën e brendshme të tij. Edhe ngacmimet që veprojnë mbi receptorët vijnë nga jashtë dhe nga brënda organizmit.
Për lehtësi studimi receptorët i ndajmë në tri grupe:
1) Receptorët e jashtëm të cilët janë të vendosur në sipërfaqe të organizmit. Këto janë organet e të parit (syri), të dëgjuarit (veshi), të nuhaturit (hunda), të shijuarit (goja) dhe të prekurit (lëkura). Me ndihmën e këtyre organeve pasqyrohen cilësitë dhe karakteristikat e objekteve dhe fenomeneve që ndodhen jashtë organizmit.
2) Receptorët e brendshëm të cilët janë vendosur në organet e brendshme të trupit në zemër, somak, zorrë etj. Me ndihmën e këtyre receptorëve përfitohen ndijeme organike në aparatin e tretjes, në të marrurin frymë, në qarkullimin e gjakut etj.
3) Receptorët lëvizor të vendosur në kyçe, muskuj, ligamente ose tendina të cilët japin ndijimet muskularo-lëvizor si dhe ndijime të ekuilibrit statik. Me ndihmën e tyre merren ndijime të ndryshme të lëvizjeve ose gjëndjes statike të organizmit dhe të pjesëve të veçanta të tij.
1. Ndijimet e jashtme
1) Ndijimiet pamore. Me anë të këtyre ndijimeve ne pasqyrojmë në vetëdijen tonë dritat, ngjyrat, format dhe përmasat e sendeve, objekteve dhe fenomeneve të botës materiale. Drita shpërndahet në ambjent me anë të grimcave dhe valëve elektromagnetike. Valët elektromagnetike janë ngacmuesit e organit të të parit d.m.th. syrit. Nga veprimi i këtyre valëve në fundet e nervit pamor që ndodhet në sy, lind nxitja nervore, kjo kalon në qëndrën e të parit që ndodhet në pjesën e prapme të gjysmëhemisferave të trurit të madh. Këtu lind ndijimi i dritës, ngjyrës, formës dhe përmasave.
2) Ndijimet dëgjimore. Me anë të këtyre ndijimeve ne pasqyrojmë në vetëdijen tonë tingujt që prodhojnë sendet ose fenomenet e botës materiale. Ngacmuesit që prodhojnë ndijimet dëgjimore janë valët e ajrit, që shkaktohen nga lëvizjet lëkundëse të trupave të ndryshë. Kështu kur një objekt bie për tokë ai shkakton një tingull, i cili transmetohet me anën e valëve të ajrit për në veshin tonë. Duke ngacmuar nervin dëgjimor lind nxitja, që pastaj kalon në qëndrën përkatëse të trurit dhe këtu lind ndijimi.
3) Ndijimet e të nuhaturit. Me anën e këtyre ndijimeve ne pasqyrojmë në vetëdijen tonë aromat e ndryshme të sendeve materiale. Si ngacmues për lindjen e ndijimeve të nuhatjes shërbejnë gimcat që përhapen në ajër nga sendet ose objektet që kanë erë. Kjo erë duke vepruar mbi fundet e nervit të nuhatjes, i cili ndodhet në hundë, shkakton nxitjen nervore dhe kjo nxitje nervore kalon në qëndrën përkatëse në tru ku dhe lind ndijimi i nuhatjes.
4) Ndijimet e të shijuarit. Me anë të këtyre ndijimeve ne pasqyrojmë në vetëdijen tonë shijen e sendeve, veçanërisht pijeve dhe ushqimeve. Si ngacmues të këtyre ndijimeve shërbejnë ato sende që treten në pështymën tonë ose në përgjithësi në ujë. Organi i të shijuarit është gjuha dhe qellëza e gojës. Në sipërfaqen e tyre janë të shpërndara disa qeliza nervore që përbëjnë receptorin e të shijuarit. Në këto qeliza gjenden fundet e nervave të shijes tek të cilat pas veprimit të ngacmuesve, lind nxitja nervore. Kjo nxitje me anë të nervave kalon në qëndrën përkatëse në tru nga ku lind ndijimi.
5) Ndijimet e lëkurës. Me anën e këtyre ndijimeve ne pasqyrojmë në vetëdijen tonë ato cilësi të sendeve dhe objekteve që lindin si rezultat i prekjes së tyre. Kështu, ne pasqyrojmë në vetëdijen tonë temperaturën, presionin, peshën, të qënit e ashpër ose e lëmuar të sendit etj. Organi i këtyre ndijimeve është lëkura e tërë trupit si dhe qellëza e gojës dhe e hundës. Si rezultat i këtij veprimi lind nxitja. Prej këtej nxitja kalon në qendrën përkatëse në tru nga ku lind procesi psikik i ndijimit të lëkurës.
2. Ndijimet e brendshme (organike)
Në kategorinë e këtyre ndijimeve hyjnë ndijimet e urisë, të etjes, ngopjes, lodhjes, gjëndjes së shëndetshme ose të sëmurë të organeve të brendshme etj. Receptorët e këtyre ndijimeve ndodhen në sipërfaqen e brendshme të stomakut, zorrëve, mushkërive, enëve të gjakut etj Ngacmimet e brendëshme nxisin fundet e nervave dhe kjo nxitje kalon në qëndrën përkatëse të trurit. Këtu lindin edhe këto lloj ndijimesh.
1) Ndijimet lëvizore dhe ekuilibrit. Në këto ndijime hyjnë ndijimet muskuloro-lëvizore dhe statike ose të ekuilibrit. Receptorët e këtyre ndijimeve ndodhen në kyçet, muskujt, ligamentet dhe tendinat e trupit tonë.
2) Ndijimet muskularo-lëvizor janë lëvizjet që bëjnë duart, këmbët, koka si dhe çdo pjesë tjetër e trupit. Kur bëjmë këto lëvizje ngacmohen fundet e nervave që ndodhen nëpër muskuj, dhe si rezultat e kësaj lind nxitja nervore që kalon pastaj në qëndrën përkatëse në tru, ku lind ndijimi.
3) Ndijimet statike na japin mundësinë e pasqyrimit në vetëdijen tonë të sendit (objektit) në gjëndje statike (të palëvisshme) në gjëndje ekuilibri.
Receptorët e ndijimeve statike ndodhen në kanalet me formë gjysëm harku në brendësi të veshëve tanë. Në endolimfë përfundojnë degëzimet periferike të nervave ndijimor që rregullojnë pozicionet dhe ekuilibrin e trupit tonë. Nxitjet e këtyre nervave shkaktohet nga lëkundjet e endolimfës.
Kapitulli 4
PERCEPTIMET
Njohuri të përgjithshme mbi perceptimet.
Perceptimi është një proces më i ndërlikuar se ndijimi. Ai lidhet ngushtë me të, por në të njejtën kohë ndryshon shumë nga ai.
Perceptim quajmë pasqyrimin në vetëdijen tonë të veprimit të drejtpërdrejtë në organet e shqisave, të objekteve, sendeve dhe fenomeneve në tërësinë e tyre.
Perceptimi është i ngjashëm me ndijimin dhe lidhet ngushtë me të pasi ai përbëhet nga një grup ndijimesh, Kjo ndodh për arsye se çdo objekt apo fenomen përbëhet nga një sërë cilësish dhe karakteristikash të veçanta. Çdo cilësi dhe karakteristikë e objektit pasqyrohet në vetëdijen tonë me anë të një ndijimi të caktuar.
Pasqyrimi i të gjitha cilësive të një objekti të dhënë në vetëdijen tonë përfaqëson perceptimin nga ne të objektit në fjalë. Kështu në qoftë se marrim një laps në dorë, ne dallojmë tek ai lëmueshmërinë, peshën, formën, përmasat, ngjyrën e jashtme, ngjyrën e grafitit, dëgjojmë zhurmën e lehtë të tij kur shkruajmë etj. Të gjitha këto të marra veç e veç përfaqësojnë ndijime të veçanta (të të parit, të dëgjuarit, të prekurit, etj). Ndërsa pasqyrimi i drejtpërdrejtë në vetëdije i objektit që gëzon këto karakteristika përfaqson perceptimin. Pikërisht këtu qëndron ngjashmëria dhe ndryshimi ndërmjet ndijimit dhe perceptimit.
Kur kemi të bëjmë perceptim të një objekti, ne dallojmë shumë cilësi dhe karakteristika të lidhura organikisht me njëra-tjetrën e që përbëjnë objektin në tërësi. Nuk do të kishim asnjëherë fytyrën e plotë të një objekti po qe se cilësitë dhe karakteristikat e tij do t'i pasqyronim të shkëputura nga njëra-tjetra, ose në qoftë se veçoritë e fenomeneve do t'i trajtonim duke i bashkuar mekanikisht. Përkundrazi, perceptimi nënkupton pasqyrimin në vetëdije të raporteve të caktuara të cilësive të veçanta, të cilat gjejnë shprehjen e tyre në formën e sendeve dhe fenomeneve konkrete.
Perceptimi si proces psikik i komplikuar bazohet dhe ka lidhje jo vetëm me ndijimet, por edhe me proceset e tjera psikike, me përvojën e secilit individ, profesionin, moshën etj.
Sa më të zhvilluar të jenë organet e shqisave, me aë të të cilëve njeriu realizon ndijimet, sa më të jenë dijet e njeriut, sa më e madhe të jetë përvoja e tij, aq më i plotë do të jetë perceptimi i një objekti.
Kur flasim për përvojën dhe ndikimet e saj në perceptim duhet të kemi patjetër parasysh se ajo lidhet ngushtë me kujtesën, sepse në qoftë se në të do mungonte kujtesa, atëhere çdo objekt ose fenomen do të perceptohesh nga ne si i ri dhe i panjohur më parë.
Perceptimi nuk lidhet vetëm me ndijimin, me përvojën personale dhe me kujtesën. Ai lidhet edhe me procese të tjera psikike, siç janë të menduarit, të folurit, ndjenjat, vullneti etj.
Në qoftë se si bazë fiziologjike e ndijimit shërbejnë proceset e nxitjeve nervore që shkaktohen nga ngacmues të veçantë që veprojnë vetëm në një analizator dhe pasqyrohen në vatrën përkatëse, si bazë fiziologjike e perceptimit shërben tërësia e nxitjeve nervore të cilat shkaktohen nga ngacmues të shumtë e të ndërlikuar, që njëkohësisht në disa analizatorë të ndryshëm dhe realizohen në sajë të veprimtarisë analitiko-sintetike të kores së trurit.
Llojet e perceptimeve.
Perceptimet ashtu si dhe ndijimet janë të shumëllojshme. Lloji i perceptimeve varet nga sendet (objektet) dhe fenomenet që perceptojmë si dhe nga analizatorët që luajnë rolin kryesor në perceptim. Kështu, perceptimet ashtu si dhe ndijimet janë pamore, dëgjimore, të nuhatjes, të shijes, të lëkurës, muskularo-lëvizor dhe organike.
Figurat që pasqyrohen zakonisht në vetëdijen tonë me anë të perceptimeve shfaqen zakonisht si pasojë e veprimit të njëhershëm të disa analizatorëve. P.sh. figura e një sendi që pasqyrohet në trurin tonë, mund të realizohet si rezultat i pjesmarrjes së njëherëshme të analizatorëve pamor, muskularo-lëvizor dhe analizatorëve të lëkurës. Duke vepruar njëkohësisht, ata na mundësojnë një pasqyrim më të qartë të sendit bashkë me cilësitë dhe karakteristikat e tij.
Përveç perceptimeve të përmendura më sipër ka edhe disa lloje të tjera perceptimesh, më të ndërlikuara. Të tilla janë perceptimet e hapsirës dhe perceptimet e kohës.
Perceptimet e hapsirës janë perceptimet e largësisë ndërmjet nesh dhe objekteve si dhe ndërmjet vetë objekteve, perceptimet e formave dhe të përmasave të tyre.
Lëndët dhe fenomenet e botës reale që ne perceptojmë, nuk kanë vetëm veti (cilësi) si ngjyra, era, shija etj, por ato kanë edhe përmasa d.m.th gjatësi, gjërësi dhe lartësi (tri dimensionale). Gjithashtu kanë edhe forma të ndryshme: katrore, rrethore, trekëndore etj, ndodhen në një distancë të caktuar prej nesh: larg ose afër, kanë edhe një pozicion të caktuar: lart, poshtë, në të majtë, në të djathtë etj, kanë njëkohësisht edhe vëllim që krijon thellësinë dhe relievin në perceptimin tonë. Perceptimi i këtyre vetive në ndërgjegjen tonë quhet perceptim i hapsirës. Për të përftuar perceptime të hapsirës njeriu duhet të bazohet në disa lloje ndijimesh dhe konkretisht: në ndijimet pamore, të të prekurit dhe në ndijimet lëvizore.
Perceptimet e kohës bazohen gjithashtu në disa lloje ndijimesh dhe konkretisht: në ndijimet dëgjimore, pamore, lëvizore dhe në ndijimet e brendshme organike.
Perceptimi i kohës pasqyron zgjatjen dhe vargëzimin e ndryshimeve që bëhen në sendet e botës reale. Kur këto ndryshime realizohen shpejt ne themi se ky fenomen ndodhi menjëherë si vetëtimë. Kur ndryshimet ndodhin ngadalë themi se ato u bënë gradualisht duket sikur kanë kaluar vite të tëra.
Në vegjëli perceptimi i kohës dhe hapsirës mungon sepse mongon përvoja jetësore, por ai formohet gradualisht me rritjen tonë dhe marrjen e njohurive dhe përvojës së nevojshme jetësore.
Për të kuptuar më mirë dhe më drejt objektet dhe fenomenet e botës materiale që na rrethon, është i nevojshme formimi i një perceptimi të organizuar, të paramenduar dhe me një plan të caktuar. Ky lloj perceptimi quhet vëzhgim ose vrojtim. Pra, vëzhgimi është perceptimi që bëhet me një plan dhe një qëllim të caktuar.
Që vëzhgimi të kryhet me sukse d.m.th të japi rezultate sa më të sakta është e domosdoshme që të kemi njohuri paraprake dhe të sakta për objektin e vëzhgimit, të përgatisim një plan të menduar mirë dhe të kemi të qartë detyrën që na është ngarkuar në lidhje me objektin që do të vëzhgohet.
Planifikimi i mirë i vëzhgimit të objekteve dhe fenomeneve si dhe zbatimi i kujdesshëm i tij, luan një rol të rëndësishëm në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore. P.sh në fushën e arsimit vëzhgimi është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm në mënyrë që të përftohet një njohjë më e thellë e veçorive psikologjike të nxënësve e për pasojë të përcaktohet rruga e duhur në edukimin dhe arsimimin e tyre.