Vlerësimi Temave:
  • 0 votim(e) - 0 Mesatarja
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
KUR'ANI në gjuhën shqipe
#2
Al Bekare

1. Elif, Lamë, Mimë.
2. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.
3. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqatë, sadaka etj.).
4. Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (ahiretin).
5. Të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit.
6. E ata që mohuan (Kur'anin dhe Muhammedin) për ta është njësoj ua tërhoqe vërejtjen apo nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë.
7. All-llahu ua mbylli atyre zemrat, veshët e tyre dhe në të pamurit e tyre ka një perde, e ata kanë një dënim të madh.
8. Ka disa njerëz që thonë: "Ne i kemi besuar All-llahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë.
9. Ata përpiqen ta mashtrojnë All-llahun dhe ata që besuan, po në të vërtëtë ata nuk mashtrojnë tjetër, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë.
10. Në zemrat e tyre kanë sëmurje, e All-llahu u shton sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhembshëm.
11. E kur atyre u thuhet: "Mos prishni rendin në tokë"! Ata thonë: "Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)!"
12. Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.
13. Dhe kur atyre u thuhet: besoni, sikurse besuan njerëzit ata thonë: "A të besojmë ashtu sikurse besuan mendjelehtit?" Në të vërtetë ata, dhe mu ata janë mendjelehtit, por nuk e dinë.
14. E kur i takojnë ata që besuan thonë: "Ne kemi besuar!" por kur veçohen me djajt (parinë) e vet u thonë: "Ne jemi me ju, ne vetëm jemi tallur (me besimtarët)".
15. All-llahu ndëshkon talljet e tyre, duke lënë të bredhin edhe më shumë në mosbesimin e tyre.
16. Të tillët janë që e ndërruan të vërtetën (besimin) me të pavërtetën (mosbesimin), pra tregtia e tyre nuk pati fitim dhe ata nuk qenë të vetëdijshëm (në punën e tyre).
17. Shembulli i tyre (në hipokrizi) është si shembulli i atij që ndezë një zjarr dhe, posa të ndritë ai vendin dhe rreth tij, All-llahu ua shuan dritën e tyre dhe i lë në errësira që nuk shohin.
18. (Mbesin në errësirë) Të shurdhër, memecë dhe të verbër, andaj ata nuk kthehen (nga ajo rrugë e tyre e keqe).
19. Ose (Shembulli i tyre është) si ndonjë shi i rreptë prej së larti me errësirë, me bubullimë e me vetëtimë, e prej frikës së vdekjes, nga rrufeja, ata vejnë gishtat në veshët e tyre. Po All-llahu është rrethues i mosbesimtarëve (atij nuk mund t'i shpëtojë askush).
20. Vetëtima gati ua merrë të pamurit dhe, saherë që ajo u bënë dritë atyre, ata ecin në te, e kur u errësohet mbesin aty. E sikur të donte All-llahu, do t'ua merrte të dëgjuarit (me krismën e bubullimës) dhe të pamurit (me shkëndijën e vetëtimës). Vërtetë, All-llahu është i plotëfuqishëm për çdo gjë.
21. O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).
22. Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat, (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani All-llahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë).
23. E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë sillnie ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur'ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos All-llahut, nëse jeni të sinqert (në thëniet tuaja se Kur'ani nuk është prej Zotit).
24. E mos e paçit bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmën), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët.
25. E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në Xhennete në të cilët rrjedhin lumenj. Saherë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: "Ky është që me te u ushqyem edhe më parë". Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë.
26. All-llahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkojë a diçka edhe më e imët se ajo. Për sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se ai (shembull) është i vërtetë nga Zoti i tyre, ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: "Ç'deshi All-llahu me këtë si shembull"? Ai me te humb shumë, e po me te udhëzon në rrugën e drejtë shumë, po me përjashtim të atyre që janë jashtë rrugës, Ai me te nuk humb tjetër.
27. Ata që e thyejnë besën e dhënë All-llahut pasiqë është lidhur ajo, dhe e këpusin atë që All-llahu ka urdhëruar të jetë e kapur,e edhe bëjnë shkatërime në tokë, të tillët janë ata të dështuarit.
28. Si e mohoni All-llahun, e dihet se ju ishit të vdekur, e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, e mandej tek Ai do të ktheheni?
29. Ai (All-llahu) është që për juve krijoi gjithçka ka në tokë, pastaj vullnetin e vet ai drejtoi qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i gjithdijshmi për çdo gjë.
30. (Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: "Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës"! Ata thanë: "A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë"! Ai tha: "Unë di atë që ju nuk e dini"!
31. E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve), pastaj ata ua prezentoi engjëjve dhe u tha: "Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara), nëse jeni të drejtë (çka mendoni)?"
32. (engjëjt) Thanë: "ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i gjithdijshëmi, i urti!"
33. (Zoti) Tha: "O Adem, njoftojë ata (engjëjt) me emrat e atyre (sendeve)!" E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre, (Zoti) tha: "A nuk u kam thënë juve se Unë, më së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë, që ju e publikoni dhe atë që e mbani fshehtë."
34. E kur u thamë engjëjve: përuluni (bini në sexhde) Ademit, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të iblisit (djallit). Ai rrefuzoi dhe u mbajtë në të madh dhe u bë pabesimtar.
35. E Ne i thamë: "O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në Xhennet dhe hani lirisht nga frutat e tij kah të doni, po mos iu afroni asaj bime (peme) e të bëheni zulumqarë (të vetvetes suaj).
36. Po djalli i bëri që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose Xhennetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në te, e Ne u thamë: "Zbritni (dilni), jeni armik i njëri-tjetrit, e ju deri në një kohë në tokë keni vendbanim dhe dëfrim".
37. E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), Ai është mëshirues dhe pranues i pendimi.
38. Ne u thamë: "Dilni prej atyhit që të gjithë, e juve gjithqysh do t'u arrijë udhëzim prej Meje, e kush pranon udhëzimin Tim, për ata nuk ka as frikë as që do të brengosen".
39. E ata që mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet tona, të tillët janë banues të zjarrit, ata do të jenë aty përgjithmonë.
40. O bijtë e israilit, kujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia, të cilat ua dhurova juve dhe zbatoni premtimin që më keni dhënë Mua. Unë zbatoj atë që u premtova dhe të më keni frikë vetëm Mua.
41. Dhe besonie atë, që e shpalla (Kur'anin), e që vërteton atë që e keni ju e mos u bëni mohues të parë të tij, dhe mos i ndërroni ajetet e Mia (Kur'anin) me një vlerë të paktë, por vetëm Mua të ma keni dronë.
42. E mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe me vetëdije të fshehni realitetin.
43. Falnie namazin dhe jepni zeqatin, dhe falnu me ata që falen (bini në rukuë me ata që bijnë).
44. A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?
45. Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).
46. Të cilët janë të bindur se do të takojnë Zotin e vet dhe se ata do t'i kthehen Atij.
47. O bijtë e israilit, përkujtone dhuntinë Time, të cilën ua dhurova, dhe Unë ju pata (të parët tuaj) dalluar ndaj njerëzve të tjerë (të asaj kohe).
48. Dhe ruajuni një ditë kur askush askujt nuk do të mund t'i kryejë asgjë, kur nuk pranohet për te (jobesimtarin) ndonjë ndërmjetësim dhe nuk pranohet për te kompensim, e as që do të ndihmohen ata (fajtorët).
49. Përkujtoni edhe kur u shpëtuam prej popullit të faraonit, që nga ai shijuat dënimin më të idhët, duke ua therrur bijtë tuaj, e duke ua lënë gjallë gratë tuaja. Në këtë torturë përjetuat një sprovim të madh nga Zoti juaj.
50. Dhe kur për ju e ndamë detin, e ju shpëtuam, ndërsa ithtarët e faraonit i fundosëm, e ju i shihnit (me sytë tuaj).
51. E kur i premtuam Musait (t'ia japim Tevratin) dyzet netë, pas tij ju (pasi shkoi ai për Tevrat) e adhuruat viçin, ju ishit dëmtues (të vetës suaj).
52. Mandej edhe pas asaj ua falëm (gabimin), ashtuqë të falënderoni.
53. Dhe (përkujtoni) kur ia dhamë Musait librin, dalluesin në mënyrë që të udhëzoheni në rrugë të drejtë.
54. Dhe kur Musai popullit të vet i tha: "O populli im, me adhurimin e viçit (në vend të Zotit), ju i bëtë zullum vetvetes, pra pendohuni para Krijuesit tuaj, dhe mbytne vetveten. Kjo për ju është më së miri te Krijuesi juaj. E Ai ua pranoi pendimin tuaj, Ai është mëshirues, ndaj pranon shumë pendimin.
55. Dhe kur i thatë: "O Musa, ne nuk të besojmë ty derisa ta shohim All-llahun haptazi, e atëherë juve u rrëmbeu rrufeja (zjarri) dhe ju e shihnit.
56. Pastaj, që të jeni mirënjohës pas vdekjes suaj juve ju ngjallëm.
57. Dhe Ne bëmë që retë t'u bëjnë juve hije, ju furnizuam me rrëshirë (të ëmbël) dhe me shkurtëza. (Ju thamë) Hani nga të mirat që ju furnizuam! (ata nuk qenë mirënjohës). Po Neve ata nuk na bënë kurrfarë dëmi, por ata dëmtuan vetveten.
58. E kur ju thamë: "Hyni në këtë fshat (vendbanim), dhe hani në të lirisht ku të dëshironi, e hyni në derën (e fshatit) përulur dhe thuani: "Hittatun" - ndjesë, Ne ua falim mëkatet tuaja, e bamirësve ua shtojmë shpërblimin.
59. E ata që ishin mizorë atë që u ishte thënë e ndryshuan me një fjalë tjetër, e Ne për shkak se ata kundërshtuan, lëshuam nga qielli një dënim kundër atyre që ishin mizorë.
60. Dhe (përkujtoni) kur Musai kërkoi ujë për popullin e tij, e Ne i thamë: "Bjeri gurit me shkopin tënd", atëherë nga ai gufuan dymbëdhjetë kroje që secili grup e dinte vendin ku do të pinte ujë. (U thamë) Hani dhe pini nga begatitë e All-llahut e mos vazhdoni të jeni çrregullues në tokë.
61. Madje kur ju thatë: "O Musa, ne nuk mund të durojmë (hamë) vetëm një ushqim (të njëjtë), lute pra Zotin tënd për ne të na furnizojë me çka mbinë toka prej perimeve të saj, prej trangujve, prej hudrave, prej thjerze (groshë) dhe prej qepëve të saj"! (Musai) Tha: "A kërkoni ta ndërroni të mirën për atë që është me e thjeshtë"? Zdirgjuni pra në qytet, se aty do të keni atë që kërkoni! E mbi ta rëndoi poshtrimi dhe skamja, e ata kundër vetes shkaktuan hidhërimin e All-llahut. Kjo ndodhi ngase ata mohonin argumentet e All-llahut, mbytnin pejgamberët pa kurrfarë të drejte, dhe për shkak se kundërshtuan dhe i kalonin kufijt në të keqe.
62. Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët sabejët, (kishun lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) All-llahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen (pasi që besuan All-llahun, librat të dërguarit në mesin e të cileve edhe Muhammedin).
63. (përkujtoni) Kur Ne patëm marrë prej jush besën tuaj, ngritëm mbi ju (kodrën) Turin (u thamë): veproni sipas atij (Tevratit) që ua dhamë me seriozitet, e mësoni atë që është në te, ashtuqë të ruheni.
64. E pas asaj (besës) ju më vonë ia kthyet shpinën e po të mos ishte mirësia dhe mëshira e All-llahut ndaj jush, ju do të ishit prej të dëshpruarve (në të dy jetërat).
65. Ju tanimë e keni të njohur çështjen e atyre nga mesi juaj që nuk respektuan (urdhërin) në të shtunën, e Ne u thamë: Shndërrohuni në majmunë të përbuzur!
66. Atë (shndërrimin e tyre) e bëmë masë ndëshkuese për ata që e përjetuan (me sy) dhe për të pastajshmit, por edhe si këshillë për të devotshmit.
67. (Përkutjoni) Edhe kur Musai popullit të vet i tha: "All-llahu ju urdhëron ta therrni një lopë! Ata thanë: "A bën tallje me ne?" Ai tha: "All-llahut i mbështetem të më ruaj e të mos bëhem nga injorantët!"
68. Ata thanë: "Lute Zotin tënd për ne të na sqarojë çfarë është ajo? Ai tha: "Ai thotë se ajo është një lopë as e vjetër (e moshuar) as e re (mëshqerë), është e mesme, zbatoni pra atë që urdhëroheni!"
69. Ata thanë: "Lute Zotin tënd për ne që të na sqarojë çfarë është ngjyra e saj! A tha: "Ai thotë se ajo është një lopë e verdhë, ngjyra e saj është e fortë që kënaqë shikuesit".
70. Ata thanë: "Lute Zotin tëndë për ne që të na sqarojë çfarë është ajo, se lopët na janë përzier (janë bërë të ngjashme) e ne do të gjejmë të vërtetën në dashtë All-llahu!
71. Ai tha: "Ai thot se ajo është lopë jo e lodhur duke lëruar tokën as duke ujitur bimët, ajo është pa të meta dhe në të nuk ka shenjë (ngjyrë tjetër)!" Ata thanë: "E tash na e sqarove saktë dhe e therrën atë, e për pak e lanë pa e kryer punën.
72. (përkujtoni) Kur e patët mbytur një njeri dhe u kundërshtuat mes veti për te, e All-llahu është zbulues i asaj që e mbanit fshehtë.
73. E ne u thamë: "Mëshoni atij (të vdekurit) me një pjesë të saj (të lopës së therrur!") Ja, kështu All-llahu ngjallë të vdekurit dhe ua sqaron argumentet e veta, ashtu që të kuptoni.
74. Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë pasandej të forta si guri, e edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë, madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.
75. A shpresoni se do t'u besojnë ata juve (jehuditë), kur dihet se një grup prej tyre dëgjuan fjalët e All-llahut, edhe pse i kishin kuptuar, e duke qenë të vetëdijshëm (ç'bënin) i ndryshuan ato.
76. E kur takonin ata që kishin besuar (muslimanët) thonin: "Ne kemi besuar! E kur veçoheshin ata mes veti thonin: "A po ju tregoni atyre (muslimanëve) për atë që All-llahu ua shpalli juve (në Tevrat rreth Muhammedit) që ata para Zotit tuaj të kenë argumente kundër jush. A nuk jeni duke kuptuar.
77. A thua nuk e dinë ata (jehuditë) se All-llahu e di atë çka e fshehin dhe atë çka e publikojnë?
78. E ka disa prej tyre që janë analfabetë, nuk e kuptojnë librin, por jetojnë vetëm në shpresa, duke mos qenë të sigurt.
79. Është shkatërrim për ata që me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: "Ky është prej All-llahut!, e për të arritur me te një fitim të paktë, pra është shkatërrim i madh për ta çka shkruan duart e tyre dhe është shkatërrim i madh për ta ajo çka fitojnë.
80. Ata edhe thanë: "Neve nuk do të na kapë zjarri vetëm për disa ditë të numëruara!" Thuaj: "A mos keni marrë prej All-llahut ndonjë premtim, e All-llahu nuk e thyen premtimin e vet, ose jeni duke thënë për All-llahun atë që nuk e dini?
81. Po, (do të ju kapë zjarri) ai që bën keq dhe që e vërshojnë gabimet e tij, ata janë banues të zjarrit, aty janë përgjithmonë.
82. E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë banues të Xhennetit, aty janë përgjithmonë.
83. (përkujtoni) Kur ne morëm zotimin e bijve të israilit; mos adhuroni tjetërkë, përveç All-llahun, të silleni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmëve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve dhe njerëzve u thuani fjalë të mira; falnie namazin dhe jepni zeqatin, e pastaj ju e thyet zotimin dhe përveç një pakice prej jush, ia kthyet shpinën zotimit.
84. Dhe kur morëm zotimin tuaj që të mos derdhni gjakun tuaj, të mos dëboni vetën tuaj nga vendi juaj, e ju e pranuat, ndaj dëshmonie.
85. Pastaj qe, ju jeni ata që mbytni njëri-tjetrin, i dëboni disa prej jush nga vendi i tyre duke bashkëpunuar kundër tyre si është mëkatë e padrejtë, e nëse ata bien te ju në robëri, ju jepni kompensim për (t'i liruar) ata, e dëbimi i tyre nga vendi është i ndaluar për ju. A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni Ç'mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në ditën e gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.
86. Të tillë janë ata, që e vlerësuan jetën e kësaj bote mbi botën tjetër, andaj atyre as nuk do t'u lehtësohet dënimi, e as që do të ndihmohen ata.
87. Ne i patëm dhënë Musait librin dhe pas tij patëm dërguar shumë pejgamberë. Isait, birit të Merjemës i dhamë argumente (mrekulli) dhe e fuqizuam me (xhibrilin) shpirtin e shenjtë. E saherë që u erdhi ndonjë i dërguar me çka nuk u pëlqeu juve, a nuk u bëtë kryelartë dhe disa prej tyre i përgënjeshtruat e disa i mbytët?
88. E (jehuditë e kohës së Muhammedit) thonë: "Zemrat tona janë në këllëf!" Jo, por për shkak të mosbesimit të tyre, All-llahu i ka mallkuar, andaj pak janë që besojnë (ose: pak send besojnë).
89. E kur u erdhi atyre prej All-llahut libri (Kur'ani) që është vërtetus i atij, që e kishin pranë, e që para se t'u vinte e kërkonin ndihmën e tij kundër mosbesimtarëve, e mohuan atë (Muhammedin) që e njihnin, kur u erdhi. Pra mallkimi i All-llahut qoftë kundër mosbesimtarëve!
90. E shëmtuar është ajo për çka ata e shitën vetvetën. Atë që e shpalli All-llahu të mos e besojnë nga zilia, për shkak se All-llahu nga mirësia e Tij t'i shpallë atij që dëshiron nga robtë e vet. Andaj merituan zemërim mbi zemërim (gazep mbi gazep). Mosbesmtarët kanë dënim që i poshtërson.
91. Dhe kur atyre u thuhet: "Besoni atë që e shpalli All-llahu", ata thonë: "Ne besojmë atë që na u shpall neve", kurse e mohojmë atë pas tij, edhe pse është vërtetues i atij, që e kanë ata dhe është i vërtetë. Thuaj: "Nëse jeni besimtarë, pse i mbytnit më parë pejgamberët e All-llahut?"
92. Juve u pat ardhur Musai me argumente, por pas tij ju e adhuruat viçin, pra ju ishit mizorë.
93. (përkujtoni) Kur morëm premtimin tuaj dhe mbi ju ngritëm kodrën Tur, (u thamë) merrni këtë që u dhamë seriozisht dhe dëgjoni (respektoni). Ata thanë: "Dëgjuam (me vesh) e kundërshtuam". E për shkak të mosbesimit të tyre, adhurimi ndaj viçit ishte përzier me gjak në zemrat e tyre. Thuaj: "Nëse jeni besimtarë, besimi juaj është duke u udhëzuar keq".
94. Thuaj: "Nëse bota tjetër (Xhenneti) tek All-llahu është vetëm për ju, e jo edhe për njerëzit e tjerë, nëse jeni të sinqert, kërkone vdekjen (e shkoni më shpejtë).
95. E për shkak të veprave të tyre (mëkateve), ata kurrë nuk e dëshirojnë atë. All-llahu di për zullumqarët.
96. Është e sigurtë se njerëzit më lakmues për të jetuar, ti ke për të gjetur ata (jehuditë), bile edhe më lakmues se idhujtarët. Ndonjëri prej tyre dëshiron të jetojë njëmijë vjet, por edhe sikur të jetojë, ajo (jeta e gjatë) nuk do ta shpëtoj atë prej dënimit. All-llahu sheh çka veprojnë ata.
97. Thuaj:" Kush është armik i Xhibrilit (është armik i All-llahut), e ai me urdhërin e All-llahut e zbriti Kur'anin në zemrën tënde, që është vërtetues i asaj që ishte më parë dhe udhërrëfyes e përgëzues për besimtarët.
98. Kush është armik i All-llahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit (ai është mosbesimtar), All-llahu pa dyshim është armik i mosbesimtarëve.
99. Ne të kemi shpallur ty (Muhammed) argumente të qarta dhe ato nuk i mohon askush, përveç atyre që kanë dalë respektit.
100. (nuk besojnë argumentet tona se) Saherë që ata kanë dhënë ndonjë premtim, një grup prej tyre e hodhi atë, por shumica e tyre nuk beson.
101. E kur u erdhi atyre ndonjë i dërguar prej All-llahut, vërtetues i asaj që kishin ata, një grup prej tyre të cilëve iu kishte dhënë libri, e hodhi pas shpine librin e All-llahut, kinse nuk dinin (asgjë).
102. (e hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që thonin djajt në kohën e sundimit të Sulejmanit. Por Sulejmani nuk ishte i pafé, djajt ishin të pafé, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (Ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t'i thonin: "Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fé!" E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejën e All-llahut me atë askujt nuk mund t'i bënin dëm dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre. E ata (jehuditë) e kanë ditur se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit). Po ta dinin, ata se për ç'ka e shitën vetveten, ajo është shumë e keqe.
103. E sikur të kishin besuar ata dhe sikur të ishin ruajtur (prej mëkateve), po të dinin, shpërblimi prej All-llahut do të ishte shumë më i dobishëm.
104. O ju që keni besuar, mos thuani: "Raina" - po thuani: "Undhurna" dhe respektoni! Mosbesimtarët kanë dënim të dhëmbshëm.
105. As ata, ithtarët e librit që nuk besuan, e as idhujtarët nuk duan që juve të ju vijë ndonjë e mirë nga Zoti juaj. Mirëpo, All-llahu me mëshirën e vet veçon atë që dëshiron, All-llahu është Zot i mirësisë së madhe.
106. Ne nuk abrogojmë (pezullojmë) asnjë nga argumentet tona, apo ta hedhim në harresë e të mos sjellim edhe më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me te. A nuk e ke ditur se All-llahu është i plotfuqishëm për çdo send?
107. A nuk e ke ditur se vetëm All-llahut i takon sundimi i qiejve e i tokës, dhe se pos All-llahut nuk keni as mbrojtës as ndihmëtar.
108. A doni të pyetni të dërguarin tuaj sikurse u pyet më parë Musai. Ai që e ndërron besimin me mosbesimin, ai tanimë e ka humbur rrugën e drejtë.
109. Shumë ithtarë të librit (jehudi, krishterë), edhe pasiqë iu është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t'iu kthejnë në mosbesimtarë, pra ju lini dhe largohuni prej tyre derisa All-llahu ta sjellë urdhërin e vet. All-llahu ka mundësi për çdo send.
110. Kryeni faljen (namazin) dhe jepne Zeqatin, e çfardo të mirë që e përgatitni për veten tuaj, atë e gjeni tek All-llahu. S'ka dyshim All-llahu përcjell çdo veprim tuajin.
111. Ata edhe thanë: "Kurrsesi nuk ka për të hyrë kush në Xhennet, përveç atij që është jehudi ose i krishterë! Ato janë fantazi të tyre! Thuaju: "Sillni argumentin tuaj (çka thoni) po qe se jeni të drejtë?
112. Nuk është ashtu (si thonë ata), po ai që është dorëzuar All-llahut dhe është bamirës, ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij, për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të mërziten.
113. Jehuditë thanë se të krishterët nuk janë të mbështetur në asgjë (nuk kanë fé të vërtetë). Edhe të krishterët thanë se jehudit nuk janë të mbështetur në asgjë, e duke qenë se ata të dy palët e lexojnë librin. Po kështu si thëniet e tyre, thanë edhe ata që nuk dinin (idhujtarët për Muhammedin). Po në ditën e gjykimit për atë që ata nuk pajtoheshin, All-llahu gjykon ndërmjet tyre.
114. E kush mundet të jetë më mizor se ai që në xhamitë e All-llahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hyjnë vetë në to, vetëm duke qenë rrespektues (të tyre e jo rrënues). Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh.
115. Të All-llahut janë edhe (anët nga) lindja edhe nga perëndimi, dhe kahdo që të ktheheni, aty është anë e All-llahut. Vërtetë, All-llahu është i gjerë (në bujari) e i dijshëm.
116. Ata (ithtarët e librit) thanë: "All-llahu ka fëmijë"!? I pastër është Ai nga kjo e metë! E Tij është gjithçka në qiej e në tokë, gjithçka i është nënshtruar Atij.
117. Ai është shpikës i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm) e kur dëshiron diçka, ai vetëm i thotë: "Bëhu!" në atë moment bëhet.
118. E ata që nuk dinë (kurejshitët politeistë) thanë: "Përse të mos na flasë neve All-llahu, ose të na vijë ndonjë argument!" Po kështu, thëniet e tyre në mënyrë të njëjtë i patën përsëritur edhe ata që ishin para tyre. Të njëjta janë zemrat e tyre. Ne tanimë sqaruam argumentet për një popull që dëshiron të bindet.
119. Ne të dërguam ty me të vërtetën (Kur'anin), përgëzues dhe qortues, e ti nuk je përgjegjës për banuesit e Xhehenemit.
120. As jehuditë, e as krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty deri që të pasosh fenë e tyre. Thuaju: "Udhëzimi i All-llahut është udhëzim i drejtë. E nëse pasiqë të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre, nuk ka kush të ndihmojë e as të mbrojë nga All-llahu.
121. Atyre, të cilëve u dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejtë ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur'anin). E ata që e mohojnë atë, të tillët janë ata që dështuan (në dynja e në ahiret).
122. O bijtë e israilit, kujtoni të mirat e Mia që ua dhurova, që ju dallova mbi njerëzit tjerë (të asaj kohe).
123. Dhe ruajuni një ditë kur askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asnjë send, nuk pranohet prej askujt kompensim, nuk do t'i bëjë dobi askujt ndonjë ndërmjetësim dhe as që do të ndihmohen (mëkatarët).
124. Përkujto (O i dërguar) kur Zoti i vet, Ibrahimin e provoi me disa obligime, e ai i përmbushi ato, e Ai i tha: "Unë po të bëj ty prijës (imam) të njerëzimit!" Ai tha: "(bën o Zot) Edhe nga pasardhësit e mi!" (Zoti) Tha: "Mirësinë Time nuk mund ta gëzojnë mizorët!"
125. Dhe kur shtëpinë (Qaben) e bëmë vendkthimi dhe vendsigurie për njerëzit, (u thamë) Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranonie për vendfaljeje! Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastrone shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.
126. Dhe kur Ibrahimi tha: "Zoti im, bëne këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan All-llahun dhe jetën tjetër, furnizoj me lloje të frutave!" Ai (All-llahu) tha: "(e furnizoj) Edhe atij që nuk besoi do t'ia mundësojë shfrytëzimin e frutave për një kohë të shkurtër, e pastaj do ta shtyejë në dënimin e zjarrit, e sa përundim i shëmtuar është ai.
127. Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes - luteshin): "Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!"
128. Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tanë dhe falna neve, vërtetë Ti je që falë, je mëshirues!"
129. Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të dërguar që t'u lexojë atyre ajetet Tua, t'u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t'i pastroj (prej ndytësisë së idhujtaris) ata. S'ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi.
130. E kush largohet prej fesë së Ibrahimit përveç atij që poshtron vetveten. Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve.
131. Kur Zoti i vet atij i tha: "Dorëzohu"! Ai tha: "Iu kam dorëzuar Zotit të gjithësisë"!
132. E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi, (u thanë) "O bijtë e mi, All-llahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë!"
133. A ishit ju (ithtarë të librit) dëshmitarë kur Jakubit iu afrua vdekja, e ai bijve të vet u tha: "Çka do të adhuroni pas meje"? Ata thanë: "Do të adhurojmë Zotin tënd, dhe Zotin e prindërve tuaj: Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, një të vetmin Zot dhe ne, vetëm Atij i jemi dorëzuar!"
134. Ai ishte një popull që kaloi, atij i takoi ajo që fitoi, e juve u takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që vepruan ata.
135. Ata (ithtarët e librit) thanë: "Bëhuni jehudi ose të krishterë, e gjeni rrugën e drejtë"! Thuaj: "jo, (asnjërën) por fenë e drejtë të Ibrahimit që ai nuk ishte nga idhujtarët.
136. Ju (besimtarë) thuani: "Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të jakubit që ishin të ndarë në dymbedhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur.
137. Në qoftë se ata besuan ashtu siç besuat ju ata vërtetë kanë gjetur rrugën e drejtë, e nëse refuzojnë, atëherë ata janë kundërshtarë (opozitë), po ty (Muhammed) kundër tyre do të mjaftojë All-llahu. Ai është dëgjuesi, i dijshmi.
138. (kjo fe jona është) Njgyrosje e All-llahut, e kush ngjyros (me fe) më mirë se All-llahu. Ne vetëm atë e adhurojmë.
139. Thuaj: "A doni të grindeni me ne për All-llahun, e Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj dhe ne kemi vepra (shpërblimin e veprave) tona, e ju keni veprat tuaja. Por ne jemi (besimtarë) të sinqertë ndaj Tij.


Mesazhet në këtë temë
KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 13:43
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:03
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:03
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:05
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:06
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:09
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:12
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:15
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:16
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:18
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:19
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:29
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:31
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:32
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:32
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:33
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:34
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:36
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:37
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:38
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:39
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:40
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 19.12.2024, 14:41
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:42
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:43
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:43
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:45
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:46
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:47
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:48
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:48
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:49
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:49
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:50
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:51
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:52
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:52
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:53
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:54
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:55
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:56
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:56
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:57
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:58
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:58
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 08:59
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:00
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:00
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:01
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:01
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:02
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:02
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:03
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:04
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:04
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:05
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:05
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:06
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:06
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:07
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:08
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:08
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:09
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:09
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:09
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:10
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:10
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:11
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:11
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:12
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:12
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:13
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:13
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:13
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:14
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:14
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:15
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:15
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:16
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:16
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:17
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:17
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:17
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:18
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:18
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:19
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:19
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:19
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:20
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:20
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:21
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:21
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:21
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:22
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:22
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:23
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:23
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:23
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:24
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:24
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:24
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:25
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:25
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:25
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 09:26
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:05
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:05
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:06
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:06
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:06
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:07
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:07
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:08
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - nga UKI - 20.12.2024, 10:08

Shko tek sektori:


Userat që po e shikojnë temën për momentin: 8 Vizitorë