KUR'ANI në gjuhën shqipe - Version i Printuar +- Forumi Rinor (https://rinia.info) +-- Forum: Bota Shpirtërore (https://rinia.info/forumdisplay.php?fid=12) +--- Forum: Komuniteti Musliman (https://rinia.info/forumdisplay.php?fid=61) +--- Tema: KUR'ANI në gjuhën shqipe (/showthread.php?tid=27) |
RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Mumtehinet 1. O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hirë të luftës për rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve. Ata e dëbojnë të dërguarin dhe ju, sepse i besoni All-llahut, Zotit tuaj, e ju fshehurazi u ofroni miqësi, po Unë më së miri e di atë që e keni fshehur dhe atë që e keni publikuar. Ai që punon ashtu nga pala juaj, ia e ka humbur rrugën e drejtë. 2. Nëse ata ia dalin t'ju mundin, ata do të jenë armiq tuaj, do të zgjasin duart e veta dhe gjuhët e veta kundër jush, duke ju përbuzur, sepse ata dëshironin të mos besonit. 3. Në ditën e kijametit All-llahu gjykon mes jush, e nuk do t'ju bëjnë dobi as të afërmit tuaj e as fëmijët tuaj. All-llahu sheh atë që punoni. 4. Ju e keni shembullin më të mirë te Ibrahimi dhe te ata që ishin me të, kur i thanë popullit të vet: "Ne tërhiqemi prej jush dhe prej asaj që adhuroni, pos All-llahut, nuk besojnë tuajën, prandaj ndërmjet nesh e jush është e hapët armiqësia e urrejtja derisa ta besoni vetëm All-llahun Një!" (Nuk e kemi shembull) Me përjashtim të fjalës së Ibrahimit thënë babait të vet: "Unë do të kërkoj falje për ty, po unë nuk kam në dorë asgjë për ty te All-llahu!" Zoti ynë, vetëm Ty të jemi mbështetur, vetëm nga Ti jemi të kthyer dhe vetëm te Ti është e ardhmja! 5. Zoti ynë, mos na bën sprovë në duar të atyre që nuk besuan dhe falna, Zoti ynë, Ti je ngadhënjyesi, i urti. 6. Vërtet, për atë që ka shpresë në All-llahun dhe në ditën e gjykimit, ju keni mostër të mirë (te Ibrahimi dhe besimtarët), e kush i bie prapa, le ta dijë se All-llahu është Ai i panevojshmi, vetvetiu i lavdëruari. 7. Pritet që All-llahu të verë miqësi ndërmjet jush dhe atyre që kishit armiqësi, All-llahu është i fuqishëm, All-llahu falë mëkatet, është mëshirues. 8. All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. 9. All-llahu ju ndalon t'u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetës. 10. O ju që besuat, kur t'ju vijnë besimtaret e shpërngulura (prej Mekes), provoni besnikërinë e tyre, ndonëse All-llahu di më së miri për besimin e tyre; nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë, mos i ktheni ato te jobesimtarët, pse as ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to, e ju jepnu atyre (jobesimtarëve) atë që kanë shpenzuar për to (në emër të kurorëzimit). Ju nuk keni pengesë të martoheni me to, pasi t'ua jepni vlerën e kurorës. Mos i mbani nën kurorë, idhujtaret por kërkoni (prej idhujtarëve mekas) atë që keni shpenzuar për to, dhe ata le të kërkojnë (prej jush besimtarë) atë që kanë shpenzuar. Këto janë dispozita të All-llahut me të cilat Ai gjykon ndërmjet jush; All-llahu është më i dijshmi, më i informuari. 11. Në qoftë se u humbet diçka (nga shpenzimi) i ndonjë gruaje tuaj që ikën te idhujtarët, e juve u vjen rasti t'i luftoni dhe të merrni pré të luftës, atëherë atyre që u kanë shkuar gratë, jepnu aq sa kanë shpenzuar; e, kinie frikë All-llahun, të cilin ju e besoni! 12. O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të të japin besën se: nuk do t'i shoqërojnë asnjë send All-llahut; se nuk do të vjedhin; se nuk do të bëjnë kurvëri; se nuk do t'i mbysin fëmijët e tyre; se nuk do të gënjejnë me ndonjë shpifje për (fëmijën e huaj që kanë marrë) se është i tyre; dhe se nuk do të të kundërshtojnë në atë që i urdhëron, atëherë, prano zotimin e tyre dhe lute All-llahun t'i falë ato, se All-llahu është mëkatfalës dhe mëshirues. 13. O ju që keni besuar, mos u miqësoni me një popull që All-llahu ka shprehur hidhërim kundër tij, popull që ka humbur shpresën ndaj botës së ardhshme, ashtu si nuk kanë shpresë jobesimtarët prej të vdekurve (që do të ngjallen) në këtë botë, ose në ringjallje (në botën tjetër). RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Saff 1. All-llahun e madhëroi çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, e Ai është mbizotëruesi, i urti. 2. O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? 3. Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni! 4. All-llahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij të rreshtuar si të jetë ndërtesë e fortifikuar. 5. Dhe, (rikujto) kur Musai popullit të vet i tha: "O popull imi, pse më shqetësoni kur e dini se me të vërtetë unë jam i dërguar i All-llahut te ju!" E kur ata u shmangën (nga e vërteta), All-llahu i largoi zemrat e tyre, pse All-llahu nuk e vë në rrugë të drejtë popullin e prishur. 6. Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: "O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!" E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: "Kjo është magji e hapët". 7. E kush është më mizor se ai që për All-llahun shpif gënjeshtrën, kur ai thirret për në fenë islame; po All-llahu nuk i ofron udhëzimin për në rrugën e drejtë popullit zullumqarë. 8. Ata duan ta shuajnë dritën e All-llahut me gojët e tyre, po All-llahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët. 9. Ai (All-llahu) është që e dërgoi të dërguarin e vet me udhëzim të qartë e fé të vërtetë për ta bërë mbizotërues mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë. 10. O ju që keni besuar, a t'ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm: 11. T'i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e All-llahut me pasurinë tuaj dhe veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini. 12. Ai (All-llahu) iu falë mëkatet tuaja, ju shpie në Xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në pallate të bukura në Xhennetet e amshueshme, e këto janë ai suksesi më i madh. 13. Edhe të tjera që ju i dëshironi ndihmë prej All-llahut dhe fitore e afërt, e pra, përgëzoji besimtarët! 14. O ju që besuat, bëhuni ndihmëtarë të All-llahut, si Isai biri i Merjemes havarijunëve (besimtarëve të vet të sinqertë) u pat thënë: "Kush është ndihmëtar imi për në rrugën e All-llahut?" Havarijjunët i thanë: "ne jemi ndihmëtarë të rrugës së All-llahut!" E një grup prej beni israilëve besoi, e një grup refuzoi, e Ne, ata që besuan i përkrahëm kundër armikut të tyre dhe ashtu u bënë ngadhënjyes. RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Xhum'a 1. Çka ka në qiej dhe çka ka në tokë bën tesbih All-llahun, Sunduesin, të Pastërin nga çdo e metë, të Fuqishmin e të Urtin. 2. Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t'ju lexojë ajetet e Tij, t'i pastrojë ata, t'ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme. 3. (U dërgoi) edhe të tjerëve që nuk i arritën ata, Ai është ngadhnjyesi, i urti. 4. Kjo është mirësi e All-llahut, që ia jep atij që do, e All-llahu është i zoti i dhuntisë së përsosur. 5. Shembulli i atyre, që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është si shembulli i ndonjë gomari që bart libra. Shembull i keq, është shembull i popullit që përgënjeshtroi ajetet e All-llahut, e All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë popullin jobesimtarë. 6. Thuaj: "O ju që i përmbaheni jehudizmit, nëse pretendoni se jeni më të afërmit e All-llahut e jo njerëzit e tjerë, atëherë kërkonie vdekjen, po qe se jeni të sinqertë (në atë që thoni)". 7. Po, ata nuk e dëshirojnë kurrë atë, për shkak të asaj që e punuan me duart e veta, e All-llahu e di shumë mirë se kush janë mizorët. 8. Thuaj: "S'ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t'ju zënë, e mande do të silleni te Ai që e di të padukshmën dhe të dukshëm, dhe atëherë Ai do t'ju njoftojë me atë që keni punuar". 9. O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, falnie namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini. 10. E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndanuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut, por edhe përmendnie shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim. 11. Po, kur ata shohin ndonjë tregti, ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: "Ajo që është tek All-llahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregëtia, e All-llahu është furnizuesi më i mirë!" RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Munafikun 1. Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: "Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i All-llahut!" E, All-llahu e di se ti je i dërguar i Tij, por All-llahu dëshmon se hipokritët janë rrenacakë (kur thonë ashtu). 2. Ata betimin e tyre e bëjnë për t'u mbrojtur, andaj ata penguan nga rruga e All-llahut. Veprimi që ata bënë është shumë i keq. 3. Ngase ata besuan (me gojë) e pastaj mohuan, andaj zemrat e tyre u mbyllën dhe ata nuk kuptojnë. 4. E kur t'i shohish ata, trupat e tyre të mahnisin, e kur të flasin, fjalës së tyre i vë veshin. Po ata janë si trungujt e zgavruar e të mbështetur, e çdo zë e mendojnë se është kundër tyre. Ata janë armiq, pra ruaju prej tyre! All-llahu i vraftë, si shmangen nga e vërteta! 5. E kur u thuhet: "Ejani te i dërguari i All-llahut që ai të kërkojë prej Tij falje për ju", ata tundin kokat e tyre dhe i sheh se si ta kthejnë shpinën duke e mbajtur veten të madh. 6. Sa u përket atyre, është krejt njësoj: si kërkove për ta falje, si nuk kërkove për ta falje (nga Zoti), sepse All-llahu kurrsesi nuk do t'i falë dhe është e sigurt se All-llahu nuk ia ofron udhëzimin popullit arrogant. 7. Ata janë që u thonë (vendasve të Medinës): "Mos u jepni atyre që janë me të dërguarin e All-llahut (muhaxhirëve), ashtu që të shpërndahen!. Po, te All-llahu janë pasuritë (depot) e qiejve e të tokës, por hipokritët nuk janë duke kuptuar". 8. Ata thonë: "Nëse do të kthehemi (prej luftës me beni Mustalikët) në Medinë, ai më i forti pa tjetër prej aty ka për ta përzënë atë më të dobëtin!" (ashtu thanë) Ndërsa e tërë krenaria i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë. 9. O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos u shmangin prej adhurimit të All-llahut, e kush bën ashtu të tillët janë mu ata të humburit. 10. Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t'i vijë vdekja, e atëherë të thotë: "O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!" 11. Po, All-llahu kurrsesi askë nuk e shtyn për më vonë, kur atij t'i vijë afati i vet. All-llahu hollësisht është i njohur me atë që ju punoni. RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Tegabun 1. Vetëm All-llahut i shprehin madhërinë e lartësimin çka ka në qiej dhe çka në tokë, dhe se vetëm e Tij është i tërë pushteti dhe vetëm Atij i takon falënderimi, e Ai është i gjithfuqishëm për çdo send. 2. Ai është që u krijoi juve, e nga ju ka mohues dhe ka besimtarë. All-llahu e sheh shumë mirë atë që e punoni. 3. Ai krijoi qiejt dhe tokën me urtësi të përsosur dhe Ai juve u dha formën, e formën tuaj e bëri të bukur dhe vetëm te Ai është e ardhmja. 4. Ai e di ç'ka në qiej e në tokë, e di atë që e fshihni dhe atë që e shfaqni haptazi, sepse All-llahu di edhe atë që mbajnë në zemrat. 5. A nuk ju erdhi lajmi i atyre që ishin më parë e nuk besuan, ndaj edhe përjetuan barrën e rëndë të punës së vet dhe ata kanë një dënim të idhët. 6. Atë (dënim e marrin) për shkak se atyre u vinin të dërguarit e vet me argumente të qarta, e ata thoshin: "A njeriu i thjeshtë do të na udhëzojë neve?" Dhe ashtu nuk besuan dhe u zmbrapsën, po All-llahu nuk ka nevojë për ta; All-llahu është begatshëm, i falënderuar nga vetvetiu. 7. Ata që nuk besuan, menduan se kurrsesi nuk do të ringjallen. Thuaj: "Po, pasha Zotin tim, pa tjetër do të ringjalleni dhe do të njiheni me atë që keni punuar, e ajo për All-llahun është lehtë!" 8. Atëherë pra, pranonie All-llahun, të dërguarin e Tij dhe dritën që e zbritëm Ne. All-llahu është i njohur për atë që veproni. 9. Ditën e kijametit, kur Ai u tubon juve, ajo është ditë e mashtrimit (ditën e kijametit duket se kush është mashtruar). Kush beson All-llahun dhe bën vepra të mira. Ai ia shlyen të këqijat e tij dhe atë e fut në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj; aty do të jenë përgjithmonë, e ai është shpëtimi i madh. 10. E ata që nuk besuan dhe përgënjeshtruan argumentet Tona, të tillët janë banorët e zjarrit; aty do të jenë përgjithmonë, e ai është përfundim i keq. 11. Çfarëdo e keqe që ndodh (godet), nuk mund të jetë ndryshe, vetëm sipas caktimit të All-llahut, e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij; All-llahu është i gjithdijshëm për çdo send. 12. Pra, respektonie All-llahun dhe respektonie të dërguarin, po nëse nuk e respektoni, atëherë detyrë e të dërguarit tonë është vetëm kumtimi i qartë. 13. All-llahu është Ai që pos Tij nuk ka tjetër, prandaj vetëm All-llahut le t'i mbështeten besimtarët. 14. O ju që besuat, vërtet, disa nga bashkëshortet tuaja dhe nga fëmijët tuaj janë armiq tuaj, andaj kini kujdes ndaj tyre, e nëse nuk merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni, ta dini se edhe All-llahu është mëkatfalës, mëshirues. 15. S'ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, ndërsa ajo që është tek All-llahu, është shpërblim i madh. 16. Andaj, sa të keni mundësi ruanu prej dënimit të All-llahut, dëgjoni, respektoni dhe jepni për të mirën tuaj, e kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit. 17. Nëse All-llahut i huazoni diçka të mirë, Ai juve ua shumëfishon atë dhe ju falë; All-llahu është shumë mirënjohës, i butë. 18. Është i gjithdijshmi i të fshehtës e i të dukshmes, është ngadhënjyesi, i urti. RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Talak 1. O ti pejgamber, kur t'i lëshoni gratë, lëshoni ato në vigjilje të fillimit të pritjes së tyre (në kohën e pastërtisë së tyre) dhe kohën e pritjes mbanie mend mirë e kini frikë All-llahut, Zotit tuaj, dhe mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre, e edhe ato të mos dalin ndryshe vetëm nëse bëjnë ndonjë vepër të keqe të vërtetuar. Këto janë dispozitat e All-llahut, e kush del jashtë dispozitave të All-llahut, ai e ka dëmtuar vetveten. Ti nuk e di, All-llahu pas asaj mund të të japë diçka rishtazi. 2. E kur t'i afrohen ato mbarimit të afatit të tyre, atëherë ose mbani (i ktheni në jetën bashkëshortore) si duhet, ose ndanu prej tyre si është e udhës, e këtë do ta dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj dhe dëshminë zbatojeni për hirë të All-llahut. Kështu këshillohet ai që i beson All-llahut dhe ditës së fundit, e kush iu përmbahet dispozitave të All-llahut, atij Ai i hap rrugë, 3. dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij, All-llahu realizon dëshirën e vet dhe All-llahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin). 4. E ato nga gratë tuaja të cilave u është ndërprerë cikli mujor (menstruacioni) nëse nuk e keni ditur, koha e pritjes së tyre është tre muaj, e ashtu edhe ato që ende nuk kanë pasur menstruacion. Ndërkaq, për shtatzënat afati i pritjes së tyre është derisa të lindin. E kush i frikësohet All-llahut, Ai atij ia lehtëson punën. 5. Ky është vendim i All-llahut që ua zbriti juve, e kush e ka frikë All-llahun, Ai atij ia shlyen të këqijat dhe ia shton shpërblimin. 6. Ato (gratë e lëshuara), sipas mundësisë suaj i vendosni në ndonjë vend ku banoni ju, e mos i ngushtoni ato për t'i detyruar (të dalin). Në qoftë se ato janë shtatzëna, atëherë furnizoni ato derisa ta heqin barrën e tyre, e nëse ato u japin gji fëmijëve tuaj, atëherë jepnu atyre shpërblimin që u takon dhe kini mirëkuptim në mes jush ashtu si duhet, e në qoftë se hasni në vështirësi ndër vete, atëherë le të kërkojnë për të gjidhënëse tjetër. 7. Ai që është i pasur, le të shpenzojë sipas mundësisë së vet, e ai që është ngusht nga pasuria, le të japë nga ajo që i ka dhënë All-llahu, e All-llahu nuk ngarkon askë, vetëm aq sa i ka dhënë; mirëpo pas vështirësisë All-llahu sjell çlirim (begati). 8. Sa shumë banorë të fshatrave, që ishin kryeneçë ndaj urdhërit të Zotit të vet dhe ndaj të dërguarëve të Tij, Ne i kemi shpërblyer me një llogari të ashpër, i kemi ndëshkuar me një dënim të papërshkrueshëm. 9. Dhe ata e përjetuan barrën e rëndë të punës së vet, kështu që fundi i çështjes së tyre ishte dështimi. 10. All-llahu u ka përgatitur dënim të rëndë, atyre pra, kinie frikë All-llahun o ju të zotët e mendjes. E ju që keni besuar, All-llahu u zbriti juve shpalljen (Kur'anin). 11. Të dërguarin që ua lexon ajetet e qarta të All-llahut për t'i nxjerrë ata që besuan dhe bënë vepra të mira prej errësirave në dritë. Kush i beson All-llahut dhe bën vepra të mira, Ai e shpie atë në Xhennete nëpër të cilët rrjedhin lumenj; aty do të jenë gjthmonë e kurrë pakëputur. All-llahu i ka dhënë atij furnizim të mirë... 12. All-llahu është Ai që krijoi shtatë palë qiej dhe prej tokës aq sa ata; në to zbatohet vendimi i Tij për ta ditur ju se All-llahu ka fuqi për çdo send dhe që me të vërtetë All-llahu ka përfshirë çdo send me dijen e vet. RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Tahrim 1. O ti pejgamber (o ti, që të është sjellë kumtesa nga qielli),pse ia ndalon vetes atë që All-llahu ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave tuaja? All-llahu është mëkatfalës, mëshirues. 2. All-llahu u ka përcaktuar juve zgjidhjen e betimeve tuaja; All-llahu është kujdestari juaj; Ai është i gjithdijshmi, i urti. 3. (Përkujto) kur Pejgamberi ndonjerës prej grave të veta i kumtoi fshehurazi një lajm, e kur ajo tregoi atë (lajm), e All-llahu (Pejgamberit) i zbuloi atij për të (kallzimin e lajmit nga ajo grua), ai ia bëri (asaj) me dije një pjesë të tregimit, kurse për pjesën tjetër heshti. E kur ai (pejgamberi) e njohtoi atë (gruan) me atë (që i kishte treguar), ajo tha: "E kush të tregoi ty këtë?" Ai tha: "Më tregoi i gjithdijshmi, njohësi i të fshehtave!" 4. Nëse ju të dyja pendoheni te All-llahu (është më mirë për ju), sepse zemrat tuaja tanimë kanë rrëshqitur, e nëse bashkëveproni kundër tij, ta dini se All-llahu është Ai mbrojtës i tij si dhe Xhibrili dhe besimtarët e ndershëm; e kur është kështu, edhe engjëjt i dalin në ndihmë. 5. Nëse ai u ka lëshuar juve, është detyrë e Zotit të tij t'i bëjë atij zëvendsim me gra edhe më të mira se ju; muslimane, besimtare, respektuese, penduese, adhuruese, emigruese që kanë qenë të martuara ose virgjëresha. 6. O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara. 7. O ju që mohuat, sot mos u arsyetoni; ju shpërbleheni vetëm për atë që keni vepruar. 8. O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t'i largojë prej jush të këqijat, t'u shpie në Xhennete, nën të cilat rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: "Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send". 9. O ti pejgamber, luftoji jobesimtarët e hipokritët dhe qëndro ashpër kundër tyre; vendi i tyre është Xhehennemi që është një vend i shëmtuar! 10. Atyre që mohuan, All-llahu u sjell një shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë, por ato të dyja i tradhtuan (në fé) ata të dy dhe këta të dy nuk mund t'i mbrojnë ato fare te All-llahu, e atyre dyjave u thuhet: "Hyni në zjarr së bashku me ata që hyjnë!" 11. E atyre që besuan, All-llahu u solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: "Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në Xhennet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!" 12. Edhe Merjemen të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme. RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Mulk 1. I madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. 2. Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t'ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhnjyesi, mëkatëfalësi. 3. Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj, drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje? 4. Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet të ti i përulur dhe i molisur. 5. Ne, qiellin më të afërt e kemi zbukuruar me kandila (yje ndriquese) dhe ata i kemi bërë gjuajtës kundër djajve, të cilëve u kemi përgatitur dënim me zjarr shumë të madh. 6. Dënimi në Xhehennem është edhe për ata që nuk i besuan Zotit të tyre; sa vend i keq është ai! 7. Kur të hidhen në të, ata do t'ia dëgjojnë atij ushtimën e ai vlon. 8. Nga zemërimi, ai gati copëtohet. Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: "A nuk ju pat ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)?" 9. Ata thonë: "Po, na erdhi pejgamberi, por ne e përgënjeshtruam dhe ne u thamë: "All-llahu nuk shpalli asgjë, e ju nuk jeni tjetër vetëm se në një humbje të nadhe!" 10. Dhe thonë: "Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit". 11. Pra, i pranojmë mëkatet e veta; banuesit e zjarrit qofshin larg mëshirës. 12. Ata, që pa parë i frikësoheshin Zotit të vet, për ta ka falje dhe shpërblim të madh. 13. E, ju fshihnie ose thonie fjalën tuaj haptas; Ai s'ka dyshim se e di çka fshehni në zemrat tuaja. 14. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai dëpërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë. 15. Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj, ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja. 16. A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos ju shafit (të mos u lëshoj) toka kur të dridhet. 17. A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos lëshojë kundër jush ndonjë stuhi me rrebesh gurësh. E pra, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im! 18. Edhe ata që ishin para tyre përgënjeshtruan, por çfarë ishte dënimi Im? 19. A nuk i shikuan ata shpezët përmbi ta krahëhapur dhe kur krahët i palojnë, ato nuk i mban në ajër pos Fuqiplotit. Ai është që çdo send e sheh dhe e di. 20. Kush është ajo ushtëri juaja që do t'ju ndihmojë, pos Mëshiruesit? Është e vërtetë se jobesimtarët gjenden në një mashtrim të madh. 21. Kush është ai që ju ushqen, po qe se Ai ua ndërpret furnizimin e vet? Jo, askush, por ata vazhdojnë me arrogancë e kundërvënie. 22. A është më i udhëzuar ai që ecën i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ecën në pozicion qëndrues rrugës së drejtë? 23. Thuaj: "Ai është që ju krijoi, ju dhuroi të dëgjuarit, të parit dhe mendjen, kurse pak po falënderoni" 24. Thuaj: "Ai është që ju krijoi e ju shumoi në tokë dhe vetëm te Ai do të tuboheni!" 25. E, ata po thonë: "Kur do të sendërtohet ky premtim, po qe se jeni të vërtetë?" 26. Thuaj: "Atë e di vetëm All-llahu, e unë jam një qortues që ju bën me dije!" 27. Kur ta shohin atë (Xhehennemin) se po u afrohet, fytyrat e atyre që nuk besuan u shëmtohen dhe u thuhet: "Ky është ai që ju e kërkonit sa më shpejt!" 28. Thuaj: "Më tregoni pra, nëse All-llahu më merr shpirtin mua dhe atyre që janë me mua, ose na mëshiron, kush do t'i mbrojë jobesimtarët prej një dënimi të mundimshëm?" 29. Thuaj: "Ai është Mëshiruesi, Atij i kemi besuar dhe vetëm tek Ai jemi mbështetur, kurse ju do ta kuptoni se kush njëmend është ai i humburi!" 30. Thuaj: "Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t'ju sjell ujë mbitokësor (burimor)?" RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Kalem 1. Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë! 2. Ti, me dhuratën (pejgamber) e Zotit tënd, nuk je i çmendur! 3. Dhe se ti, padyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë! 4. Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali! 5. Më vonë ti do të shohësh, edhe ata do të shohin. 6. Se cili prej jush është i çmendur? 7. S'ka dyshim se Zoti yt është Ai që e di më së miri se kush është ai që ka humbur prej rrugës së Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit. 8. Andaj, ti mos u pajto me gënjeshtarët! 9. Ata kanë dëshirë që ti të bësh lajka. 10. Mos e respekto askë që betohet shumë dhe është i poshtër! 11. që është përgojues e ban fjalë ndër njerëz. 12. Shumë koprrac ndaj rrugës së mbarë, i pafrenueshëm, mëkatarë, 13. që është shumë i vrazhdë, më në fund edhe kopil (nuk i dihet baba). 14. (Mos e respekto) Vetëm pse ka pasuri e djem! 15. Kur atij i lexohen ajetet Tona, ai thotë: "Legjenda të të parëve!" 16. Ne do ta dëmkosim atë në turi (në hundë). 17. Ne i sprovuam ata (mekasit) sikurse i kemi pas sprovuar pronarët e kopshtit. Kur u betuan se do të vjelin atë herët në agim. 18. E nuk thanë (kur u betuan): "Në dashtë All-llahu - inshall -llahu!" 19. E, sa qenë ata fjetur, atë (kopshtin) e goditi një bela nga Zoti yt. 20. Dhe ai gdhiu si të ishte i vjelë. 21. Ata në mëngjes thërritnin njëri-tjetrin. 22. Ngrihuni herët te prodhimet e tuaja, nëse doni t'i vilni! 23. Dhe ata vajtën duke pëshpëritur në mes vete (të mos i dëgjojnë kush). 24. Të mos lejojnë të afrohet sot në të asnjë i varfër. 26. E kur e panë atë, thanë: "S'ka dyshim, ne kemi humbur (rrugën)". 27. Jo, (ne nuk kemi humbur rrugën) por paskemi mbetur pa të! 28. Ai me maturi prej tyre tha: "A nuk ju thashë përse nuk e përmendi Zotin?" 29. Atëherë ata thanë: "I pafajshëm është Zoti ynë, ne ishim të padrejtë" 30. Dhe u kthyen e po e qortojën njëri-tjetrin. 31. Thanë: "Të mjerët ne, vërtet ne ishim jashtë rrugës!" 32. Shpresohet se Zoti yt do na zëvendsojë me ndonjë edhe më të mirë se ai; ne në të vetëm te Zoti ynë mbajmë shpresën. 33. Ja, kështu do të jenë dënimi (i mekasve), ndërsa dënimi i botës tjetër do të jetë shumë më i ashpër, sikur të jenë që e kuptojnë. 34. Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë te Zoti i tyre kopshte të begatshme. 35. A do ti bëjmë krminelët të barabartë me muslimanët? 36. Ç'është me ju, si gjykoni ashtu? 37. A mos keni ndonjë libër, e prej saj mësoni? 38. E ju do të keni atje çka të dëshironi? 39. Amos keni ndonjë zotim të fortë prej Nesh që vazhdon deri në kijamet, se do ta rrini atë që dëshironi? 40. Pyeti ata se cili është prej tyre që u garanton atë? 41. Apo ata kanë ortakë (zota) që u garantojnë, pra le t'i sjellin ortakët e vet, nëse e thonë të vëtetën? 42. (Përkujto) Ditën kur ashpërsohet çështja deri në kulm (në kijamet), e ata do të ftohen për të bërë sexhde, po nuk mundën. 43. Shikimet e tyre janë të përulura dhe ata i kaplon poshtërimi, kur dihet se ata kanë qenë të ftuar të bëjnë sexhde sa ishin të shëndoshë (e ata - talleshin). 44. Pra më lë Mua dhe ata që e mohojnë këtë Kur'an. Ne do t'i afrojmë ata dalëngadalë te dënimi prej nga nuk presin. 45. Dhe atyre Unë u jap afat, sepse ndëshkimi Im është shumë i fortë. 46. A mos kërkon ti prej tyre shpërblim, e ata janë të ngarkuar me dhëniet? 47. A mos te ta është e fshehta (e Lehvi Mahfudhit), e ata prej aty trumbetojnë (se janë të mirë)? 48. Po ti, bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd, e mos u bë si ai peshkut në kohën kur pat thirrur (Zotin) dhe ishte i mllefosur. 49. Sikur të mos i afrohej atij mëshirë nga Zoti i tij, do të hidhej në shkretërirë i demoralizuar. 50. Po Zoti i tij, e bëri atë të zgjedhur prej të mirëve. 51. E ata që nuk besuan gati sa të zhdukin me shikimet e tyre, kur dëgjuan Kur'anin, e (nga inati) thanë: "Ai është i marrë!" 52. Po ai (Kur'ani) nuk është tjetër vetëm se këshillë për botën (e njerëzve e të xhinëve). RE: KUR'ANI në gjuhën shqipe - UKI - 20.12.2024 Hakka 1. Momenti i katastrofës së përgjithshme (kijameti). 2. Ç'është kijameti? 3. Ç'ka të mësoi ty se ç'është kijameti? 4. Themudi dhe Adi përgënjeshtruan tronditjen (kijametin). 5. Sa i përket Themudit, ata u shkatërruan me krismë të tmerrshme. 6. Ndërsa Adi është shkatërruar me një erë të fortë, të pakufishme. 7. Atë Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht, kur shihje njerëzit në to të rrëzuar si të ishi trupa hurmash të zgavëruara. 8. A e sheh prej tyre ndonjë që ka mbetur? 9. Erdhi faraoni dhe ata që ishin para tij si dhe të përmbysurit (fshatrat e popullit të Lutit), me punë të gabuara. 10. Ata kundërshtuan të dërguarin e Zotit të tyre, e Ai i dënoi ata me një dënim edhe më të madh (prej dënimeve të mëparshëm). 11. Pasi që uji pat vërshuar, Ne ju bartëm në anije. 12. Për ta bërë atë (ngjarje) përkujtim për ju dhe për ta ruajtur atë veshët që janë përkujtues. 13. E kur të fryhet në surë një e fryme. 14. Dhe të ngrihen toka e kodrat e t'i mëshojnë njëra-tjetrës me një të goditur. 15. Në atë kohë ndodh e vërteta (kijameti). 16. E qielli çahet, pse ai atë ditë është i raskapitur. 17. Dhe engjëjt qëndrojnë në skajet (anët) e tij, e atë ditë, tetë (engjëj) e bartin mbi vete Arshin e Zotit tënd. 18. Atë ditë ju do të ekspozoheni (para Zotit), duke mos mbetur fshehtë asnjë sekret juaji. 19. Kujt t'i jepet libri i vet nga e djathta e tij, ai do të thotë: "O ju, qe, lexonie librin tim!" 20. Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time. 21. Dhe ai atëherë është në një jetë të kënaqshme. 22. Në një Xhennet të lartë. 23. Pemët e tij i ka krejt afër. 24. (E thuhet) Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë. 25. Ndërkaq, kujt i jepen librat e veta nga e majta, ai thotë: "O i mjeri unë, të mos më jepej fare libri im. 26. Dhe të mos dijsha fare se çka është llogaria ime. 27. Ah, sikur të kishte qenë ajo (vdekja e parë) mbarim i amshueshëm për mua. 28. Pasuria ime nuk më bëri fare dobi. 29. U hoq prej meje çdo kompetencë imja. 30. U thuhet zebanive: Kapnie atë, vënja prangat! 31. Pastaj atë shtinie në Xhehennem... 32. Mandej, lidhne atë me një zingjirë të gjatë shtatëdhjetë kutë. 33. Pse ai ka qenë që nuk besoi All-llahun e madhëruar. 34. Ai nuk nxiste për t'i ushqyer të varfërit. 35. Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik. 36. As ushqim tjetër përveç të të shplarave. 37. Që atë nuk e ha kush, pos mëkatarëve. 38. Pra Unë betohem në atë që e shihni! 39. Edhe në atë që nuk e shihni! 40. Se me të vërtetë ai (Kur'ani) është fjalë (e Zotit) që e lexon i dërguari i ndershëm. 41. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, po ju nuk besoni. 42. Nuk është as fjalë e ndonji falltori, po ju nuk besoni. 43. Është zbritje prej Zotit të botëve! 44. Sikur të trillonte ai (Muhammedi) për Ne ndonjë fjalë! 45. Ne do ta kapim atë me fuqinë Tonë. 46. E pastaj do t'ia këputnim atij arterien e zemrës. 47. Askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij. 48. Ai (kur'ani) është këshillë për të ruajturit. 49. S'ka dyshim se Ne dijmë që prej jush ka që e përgënjeshtrojnë. 50. Ai (Kur'ani) njëmend do të jetë dëshprim për jobesimtarët. 51. Ai është e vërtetë bindëse! 52. Andaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të madhëruar! |